Flamurtari reflekton kundër Kastriotit, Kapllani shpërdoron penallti. Ndreu: Vlonjatët erdhën dy herë te porta dhe fituan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2024 | 14:34

Flamurtari reflekton kundër Kastriotit, Kapllani shpërdoron penallti. Ndreu: Vlonjatët erdhën dy herë te porta dhe fituan

 Kastrioti dhe Flamurtari janë ndeshur në kuadër të javës së 24-t në “Redi Maloku” të Fushë Krujës. Fitorja u ka buzëqeshur vlonjateve, të cilët me këtë trepikësh bënë autokritikën e humbjes së një javë më parë me Burrelin. 

Ramadan Ndreu, trajneri i Kastriotit

Vlonjatët të dy golat i shënuan në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e parë dhe të fundit, ku fillimisht realizoi Vucaj dhe në fund Indio. Edhe në këtë ndeshje trajneri i Flamurtarit Eqerem Memushi ka drejtuar nga tribuna pasi vuan dënimin e Disiplinës, ndërsa në pankinë kanë qenë ndihmësit e tij dhe drejtori sportiv Alfred Ferko. Takimi ka nisur me sulme e kundërsulme nga të dy ekipet, por pa mundur që të gjejnë rrugën e golit në 45 minutat e para.

Fraksioni i dytë nis me golin e miqve, ku në minutën e 46-të vlonjtatët shënojnë falë përgjumjes së mbrojtjes vendase. Topi nisur nga mesfusha shkon te Sebastian La Torre, i cili depërton në anën e majtë të sulmit, kroson te Vucaj, i cili godet bukur sferën duke shënuar i entuziazmuar kuqezinjtë. Pësimi aq i shpejt i golit ka sjell panik e shpërqendrim te krutanët. Një minutë më vonë, Vucaj gjatë një inkursioni pason bukur te Diamanti, që për pak dyfishon shifrat. Vendasit pas disa minutash çoroditje, fitojnë një goditje këndi.

Topi i ardhur nga këndi në zonë gjen një grumbull lojtarësh dhe aty portieri Teqja shkakton faull ndaj Doseh. Gjyqtari Çela i gjendur aty pranë ndëshkon me karton të verdhë Teqjan dhe akordon penallti për krutanët. Në të 52’ ekzekuton Kapllani, por gjuajtja e tij e dobët i heq mundësinë e barazimit të tijve. Vendasit e humbin fare toruan e vlonjatët administrojnë minutat e mbetura. Në minutën e parë shtesë, pas një goditje dënimi, topi krosohet në zonë te Indio që shënon të dytin për Flamurtarin, dhe në shifrat 0-2 u mbyll i gjithë takimi.

 Ndreu: Vlonjatët erdhën dy herë te porta dhe fituan

Ramadan Ndreu, trajneri i Kastriotit ka mbetur i zhgënjyer nga të tijtë në humbjen që pësuan në shtëpi ndaj Flamurtarit. Gjithsesi trajneri i skuadrës krutane vlerëson pjesën e parë të takimit, por sipas tij, me fillimin e së dytës lojtarët ishin në gjumë. “Në dy rastet që Flamurtari erdhi në portën tonë arriti të shënojë dy gola. Gjithsesi, duhet pranuar fakti se kundërshtari ka lojtarë me kualitete.

Pjesa e parë ishte jashtëzakonisht e mirë për Kastriotin. Lojtarët treguan nivel, ndërsa në pjesën e dytë sapo filloi loja pësuam golin i cili prishi ekuilibrin. Patëm rastin për ta barazuar me penallti, por Kapllani nuk i doli në këtë rast. Nëse ai do të kishte shënuar loja mund të kishte shkuar ndryshe dhe pas saj mund të flisnim ndryshe”, u shpreh pas ndeshjes për “Panorama Sport” trajneri i Kastriotit, Ramdan Ndreu.

Shkëlqim Hasani- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"