Flamurtari pa plan, ekipi nuk ekziston as në letër. Ende asnjë lëvizje për të plotësuar kriteret e licencimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2019 | 10:49

Flamurtari pa plan, ekipi nuk ekziston as në letër. Ende asnjë lëvizje për të plotësuar kriteret e licencimit

Klubi i Flamurtarit nuk po bën asnjë lëvizje konkrete për të përmbushur detyrimet financiare të vendosura si kusht nga FSHF.

flamurtarii

“Panorama Sport” mëson se gjatë gjithë muajit korrik zyrtarisht drejtuesit nuk kanë bërë asnjë marrëveshje me Tatimet dhe as me lojtarët që u detyrohen. Klubi vlonjat ka një “mal” me borxhe dhe praktikisht e ka të pamundur të licencohet për sezonin e ri.

Situata është vërtet serioze, po të kemi parasysh faktin se ditët ikin dhe po afron 31 korriku, që është edhe afati përfundimtar i vendosur nga FSHF. Klubi nuk ka paguar asnjë detyrim ndaj futbollistëve apo stafit teknik të sezonit të fundit. Në këto kushte, klubi vlonjat mbetet më i ekspozuari për t’u penalizuar nga FSHF, edhe pse drejtuesit ndoshta nuk e shkojnë nëpër mend që Flamurtari do të zbresë nga kategoria.

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, deklaroi dy ditë më parë se ekipi do të nisë përgatitjet më 30 ose 31 korrik, me lojtarët e rinj vlonjatë që kanë mbetur nga sezoni i kaluar dhe ata që janë pjesë e akademisë. Por duket se në këtë zvarritje që po bëhet nga drejtuesit për të caktuar trajnerin e ri dhe plotësuar skuadrën, ka edhe një prapaskenë që lidhet me afatin e vendosur nga FSHF.

Frika nga ndonjë vendim penalizues ka bërë që në Vlorë të mos nxitohen dhe të presin një herë çfarë do të bëhet, e pastaj të nisë puna për sezonin e ri. Në këtë periudhë, administratori Idrizi ka pasur biseda të shpeshta me trajnerin Julian Ahmataj, por kontrata mes palëve nuk është nënshkruar zyrtarisht. Të gjithë janë në pozita pritëse, por me këtë situatë duket gati e pamundur që Flamurtari të ketë një skuadër dinjitoze në sezonin e ri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"