Flamurtari mbledh të rinjtë për të nisur përgatitjet, ja kush do jetë trajneri provizor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2019 | 21:57

Flamurtari mbledh të rinjtë për të nisur përgatitjet, ja kush do jetë trajneri provizor

Flamurtari ka gati planin “emergjent” për nisjen e përgatitjeve. Klubi vlonjat është duke menduar për të filluar përgatitjet për shkak se koha kalon dhe po afron data për fillimin e kampionatit dhe në Vlorë çdo gjë është në “ajër”.

Flamurtari goli

Përgatitjet do të fillojnë me të rinjtë e akademisë si dhe me futbollistët vlonjatë të cilët kanë qenë pjesë e Flamurtarit sezonin që u mbyll. “Panorama Sport” mëson se drejtuesit e Flamurtarit u kanë thënë lojtarëve vlonjatë të jenë në gatishmëri për shkak se nga momenti në moment mund që të telefonohen.

Gjasat janë që përgatitjet të nisin këtë javë. Por, në dispozicion janë pak lojtarë. Kështu, Flamurtari me shumë mundësi do të fillojë stërvitjet në ditët e para me lojtarët që mbyllën sezonin në Vlorë. Në dispozicion të stafit teknik pritet që të jenë Fjoralb Deliaj, Jurgen Qarri, Arbër Beqaj, Arrinaldo Rrapaj, Shaqir Haruni, Ardit Ziaj dhe Ariel Muçollari.

Grupi është shumë i cunguar dhe në këto kushte, do të merren edhe lojtarë të tjerë nga ekipi i moshave. Po ashtu, gjasat janë që të hidhen sytë edhe nga lojtarët e tjerë vlonjatë të cilët kanë qenë pjesë e Flamurtarit edhe më parë. Kështu, flitet se klubi po mendon afrimin e portierit Shpëtim Moçka, por edhe vlonjatët e tjerë Ardit Hoxhaj dhe Lejdi Liçaj.

STAFI TEKNIK – Në Vlorë kanë vendosur të mos presin më edhe për stafin teknik. Deri në një përgjigje nga trajneri Julian Ahamatj, drejtuesit e klubit janë të vendosur për të filluar punën.

edmonnd licaj

Burime pranë klubit vlonjat pohojnë për gazetën se do të jenë drejtori Edmond Liçaj, ai që do të bëjë rolin e trajnerit derisa të zgjidhet çështja për pankinën. Liçaj do të stërvisë lojtarët, të cilët do të fillojnë përgatitjet me shumë gjasa gjatë kësaj jave. Bisedimet vijojnë që të jenë të hapura me trajnerin Julian Ahamatj. Çështjen e trajnerit e ka lënë të hapur edhe administratori Idrizi, i cili është shprehur se nëse trajneri elbasanas nuk vjen, do të shikohen të tjera alternativa.

ANKTHI – Në Vlorë janë në ankth se çfarë do të ndodhë më 31 korrik. Ky është edhe afati përfundimtar që ka vendosur FSHF-ja për Flamurtarin, që duhet të paguajë detyrimet e prapambetura, në të kundërt nuk do të licencohet për në Superiore. Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e datës 5 korrik 2019 vendosi edhe shtyrjen e mbledhjes së Komisionit të Licencimeve të klubeve për dhënien e licencave të Kategorisë Superiore për edicionin 2019- 2020.

Afati i fundit për pranimin e dokumenteve përkatëse sipas Rregullores së Licencimit të Klubeve për pjesëmarrjen në veprimtaritë e FSHF-së, neni 13 dhe pika V e aneksit I (Kriteret financiare) do të jetë data 31 korrik 2019. Në rast se edhe pas këtij afati, kriteri financiar nuk do të jetë përmbushur, materialet do t’i paraqiten Komisionit të Licencimit të Klubeve në gjendjen aktuale, çka do të thotë se Flamurtari mund të rrezikojë mosmarrjen e licencës e për rrjedhojë edhe mospjesëmarrjen në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore për sezonin 2019- 2020.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"