FLAMURTARI/ Lojëra popullore dhe batuta, trajneri Resuli shtensionon ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2023 | 17:19

FLAMURTARI/ Lojëra popullore dhe batuta, trajneri Resuli shtensionon ekipin

Me Lushnjën kërkohet kthesë. Në Vlorë e dinë rëndësinë e ndeshjes së fundit për këtë vit dhe hapat fals janë të ndaluar. Për të mos shtuar tensionin dhe shpërqendruar ekipin, u “harrua” edhe një analizë e humbjes me Vorën. Në sytë e trajnerit dhe grupit nuk fshihet mërzitja për rezultatin e ndeshjes së fundit, ndonëse po përpiqen ta hedhin pas krahëve.

flamurtari

Dritan Resuli nuk ngurron që të bëjë edhe psikologun, duke u kërkuar lojtarëve të jenë të qetë, sidomos përpara portës. Me përjashtim të Elvi Berishës, Mateus Indios dhe Antonio Ilievskit, të larguar zyrtarisht, të tjerët ishin të gjithë nën urdhrat e stafit teknik në seancën e djeshme.

BATUTAT

Si për të shtensionuar situatën, trajneri Resuli dhe zëvendëstrajnerët Bicaj dhe Liçaj përpiqen të mos e lënë skuadrën ta kapë monotonia. Hera-herës lëshojnë ndonjë batutë duke i ngacmuar. Nuk mungojnë fillimisht as lojërat “popullore” si për nxehje. 10 piketa për 11 lojtarë… Kush nuk arrin dot të zërë piketën e tij, bën vrap derisa t’i vijë radha. Më pas vijon puna me pasimet e shkurtra me topin. Gjashtë futbollistë krijojnë një rreth për të qarkulluar topin. Përpara nisjes së startit nuk mungojnë duartrokitjet. Më pas, seanca vijon me të gjithë elementët e një seance stërvitoreje.

Trajneri Dritan Resuli vrapon me lojtarët në mesin e fushën dhe i jep secilit këshilla. Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah edhe “delikatët” nga i ftohti. Estefano dhe Sidibe janë të kujdesshëm për shëndetin e tyre, teksa janë maskuar me kapele të zeza. Ndërsa Imami, Ramadani dhe Kriviçiç janë mbështjellë me shaje. Të tjerët duket se kanë fituar imunitet dhe veshur mbajnë vetëm uniformat.

flamurtari1

KËSHILLAT

Dritan Resuli ka studiuar Lushnjën. E kuptojmë këtë gjë, teksa shprehet i sigurt në ato se çfarë u thotë lojtarëve. Jo vetëm këshilla taktiko-teknike, por bën edhe psikologun. Kërkon qetësi nga të gjithë. ”Të jemi të qetë përpara portës, të sulmojmë dhe të shënojmë të parët”. Këto janë disa nga fjalët që dëgjohen nga trajneri, teksa përgatit skuadrën për këtë ndeshje. Nëse duan që të kapin një nga vendet e sipërme në klasifikim dhe nisin pushimet e dimrit pa stres, kjo është zgjidhja e vetme.

Trajneri nuk ngurron që të japë edhe të paralajmërojë disa elementë se si të sillen në fushë, kuptohet nga ato klasiket dhe jo vetëm: “Mos t’i lëmë hapësira…”

MUNGESA

Flamurtarit nuk i ndahen “hallet”. Edhe në ndeshjen me Lushnjën do të ketë mungesa, në mbrojtje dhe në sulm. Janë dy lojtarë të rëndësishëm që mungojnë. Eni Imami mungon për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen me Vorën. Mungesë do të jetë edhe Lancinet Sidibe që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Lajm i mirë është se nuk ka dëmtime dhe infermieria është e boshatisur.

PARALAJMËRIMI

Nga Flamurtari kërkohet me çdo kusht ngjitja. Në një mbledhje të zhvilluar më 29 nëntor, Sinan Idrizi ka paralajmëruar lojtarët për këtë temë. Ai ka deklaruar se do të largohet nga drejtimi i klubit, nëse kapin elitën këtë sezon. “Më thoni, a ju kam borxhe? Pse nuk merrni përgjegjësi mbi vete? E dini apo jo ku keni ardhur. Më vjen keq, por nuk kam rrugë tjetër… Nëse nuk do të ngjitemi në Superiore, unë në fund të sezonit do të largohem”, ka thënë administratori.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"