Flamurtari “i zbuluar” në Korçë, Troisi mediton largimin: Lehtë që të kritikosh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2020 | 10:51

Flamurtari “i zbuluar” në Korçë, Troisi mediton largimin: Lehtë që të kritikosh

Flamurtari udhëton drejt Korçës i cunguar. Në Vlorë vijon e njëjta situatë, teksa merkatoja është e pezulluar dhe lojtarët që janë afruar në periudhën e janarit nuk mund të aktivizohen dot. FIFA nuk po hap sistemin, edhe pse drejtuesit e klubit konfirmojnë se e kanë paguar detyrimin ndaj rumunit Kristian Sirgi. Ata disponojnë edhe mandatet e pagesës, por vijojnë të jenë të bllokuar. Dhe sikur të mos mjaftonin këto probleme, për ndeshjen e sotme trajneri Marselo Troisi nuk do të ketë të gatshëm as Denis Pjeshkën. Ky i fundit nuk luan, pasi u dënua nga Komisioni i Disiplinës me dy ndeshje pezullim.partizani flamurtari1

Në këto kushte, vlonjatët mbeten pa qendërmbrojtës, pasi i vetmi që kishin ishte pikërisht Pjeshka. Trajneri Troisi është bërë kështu me “dhimbje koke”, pasi situatën nuk e ka aspak në favor. Në këto kushte, do të improvizohet diçka brenda formacionit që luajti edhe në Shkodër, ku pritet ndonjë ndryshim roli mes lojtarëve.

Një alternativë për qendrën e mbrojtjes është Muçollari, i cili mund të luajë si qendërmbrojtës. Ndërsa Mateo Qarri, i rikthyer dje nga klubi, mund ta nisë si titullar në mbrojtje, në të cilën do të jetë edhe Gocaj e Kreshpa. Në mesfushë pritet që të rreshtohen Haruni, Rrapaj, Vrapi, Nebihu, ndërsa në sulm do të jetë dyshja Hoxhaj-Ribaj. Por, gjithsesi, asgjë nuk është vendosur ende rreth ndonjë ndryshimi të mundshëm në formacion, por baza e ekipit do të jetë ajo që u pa në Shkodër.Flamurtari2

SITUATA

Flamurtari vijon të përballet me situatën më të rëndë që mund të ketë pasur ndonjëherë në historinë e vet. “Panorama Sport” mëson se trajneri Marselo Troisi po e mendon seriozisht largimin. Duke mos parë që gjërat të përmirësohen dhe për më tepër me një merkato të bllokuar, trajneri brazilian e ka paralajmëruar klubin se mund të largohet javën e ardhshme. Gazeta mëson se Troisi u ka vendosur si afat drejtuesve të Flamurtarit mesjavën që vjen.

Nëse merkatoja nuk do të zhbllokohet deri atëherë, braziliani do të largohet. Por, gjërat për Troisin mund të rëndohen edhe më shumë në rast të ndonjë humbjeje sot me Skënderbeun. Nuk përjashtohet mundësia që pas një disfate të mundshme sot në Korçë, të jenë drejtuesit e Flamurtarit ata që do ta ndërpresin bashkëpunimin me teknikun brazilian. Madje, edhe ky variant është duke u diskutuar në Vlorë, për t’i paraprirë një vetëlargimi të Troisit.troisiii

Trajneri Marselo Troisi, në një mënyrë apo në një tjetër, është duke e nxjerrë mërzinë që ndien përbrenda nga kjo situatë. Dje braziliani ka postuar në rrjetet sociale një foto ku shihet nën shoqërinë e përgatitësit atletik portugez dhe, ku me sa duket, ka një përgjigje për kritikët. “Lehtë për t’u kritikuar, e vështirë është të jem unë”, shprehet Troisi.

TRO

Ndërkohë, në ndryshim nga ndeshja në Shkodër, ku udhëtuan bashkë me skuadrën, dje nuk ndodhi e njëjta gjë me lojtarët e afruar te Flamurtari si përforcime të janarit. Emra si Bruno Lipi, Uelder Kosta, Flosard Malçi, Indio Oliveira dhe Taje Taivo mbetën në Vlorë dhe nëse FIFA nuk zhbllokon merkaton e kuqezinjve, atëherë me siguri ata do të largohen për të gjetur një tjetër ekip.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"