Flamurtari humb miqësoren, shpërthen Idrizi: Ç’është ky ekip?! Gjysma të ikin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2020 | 23:48

Flamurtari humb miqësoren, shpërthen Idrizi: Ç’është ky ekip?! Gjysma të ikin

Flamurtarin e ndjekin nga pas “hijet e së shkuarës”. Kuqezinjtë nuk dinë të fitojnë as në Kategorinë e Parë. Në fundjavë i ka mundur sërish në Vlorë ekipi i Orikut, duke u dhënë një tjetër leksion në prag të kampionatit. Edhe pse në një ndeshje miqësore, ishte një humbje që la një shije të hidhur duke sjellë edhe irritimin e administratorit Idrizi.

Sinan Idrizi Flamurtari

Oriku i Memushit e kishte vlerësuar në maksimum takimin, ndërsa Flamurtari duket se e kishte marrë lehtë, me objektivin për t’u dhënë hapësirë elementëve të rinj. Portieri Moçka qëndroi në stol, duke mos u aktivizuar as në pjesën e dytë. Ai ia la portën të riut Alimuçaj. Goli i 17-vjeçarit Dhrami, i ardhur nga ekipi U-17 i Flamurtarit, vetëm sa ngushtoi diferencën, pasi më parë kishin shënuar për Orikun Branica dhe Tahiraga.

LOJA – Që në fillim të takimit, Oriku e vë në presion Flamurtarin dhe ka momente që është superior në lojë. Madje miqtë, në minutën e 25-të, do të humbnin edhe një penallti, ku Bocaj nuk u tregua i saktë. Pas dëmtimit të Muçollarit, i cili la fushën duke ecur me vështirësi, trajneri Resuli u detyrua të bënte një ndërrim te detyruar dhe hodhi në fushë Kreshpën. Tahiraga do të kishte një mundësi të artë për shënim, por nuk ia doli.

Megjithatë, do të mendonte Branica në minutën e 42-të për golin e avantazhit. Sulmuesi peqinas gjuajti saktë me kokë. Në nisje të pjesës së dytë, Oriku do të shfaqej i rrezikshëm, herë me Branicën dhe herë me Tahiragën. Trajnerët Resuli dhe Memushi më pas bënë zëvendësime të shumta. Në një moment, Ribaj u pengua në zonë dhe vlonjatët pretenduan për penallti, por nuk ishte i këtij mendimi gjyqtari Sheko, duke dhënë vetëm një goditje këndi.

Aliaj gjen të lirë Ribajn dhe sulmuesi përpiqet të çojë sferën drejt portës, por pa rezultat. Në minutën e 65-të, Tahiraga shfrytëzon një mungesë përqendrimi të mbrojtjes vendëse dhe shënon golin e dytë. Flamurtari duket tërësisht i dorëzuar, por në fund shënon golin e nderit 17-vjeçari Dhrami, i gjendur shumë pranë portës.

IRRITOHET IDRIZI – Administratorin Sinan Idrizi nuk e mbajti vendi pas golit të dytë të Orikut. Sapo përfundoi ndeshja, ai zbriti në fushë dhe iu drejtua me tone të larta stafit teknik të Flamurtarit, ndërsa aty pranë ishte edhe një pjesë e ekipit, që po stërvitej nga përgatitësi atletik, Rui Sampaio. “Çfarë është kjo paraqitje? Çfarë është ky ekip. Gjysma e lojtarëve të ikin në shtëpi, e gjithë mbrojtja të ikë. Mos bëni prova me të rinjtë”, ka thënë Idrizi.

Në tunel ai u përball me trajnerin Memushi, i cili i tha: “President, çfarë ke? Ndeshje miqësore është, provohen lojtarët e rinj”. Por Idrizi ishte i vendosur në mendimin e tij. “Nuk ka kohë për prova, çfarë janë këto prova? Jemi para nisjes së kampionatit”, iu përgjigj administratori i klubit vlonjat.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"