Flamurtari bind me të rinj, pa “milionerët”. Gjika: Këtë javë bëjmë analizën e dështimit

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Maj 5, 2013 | 13:04

Flamurtari bind me të rinj, pa “milionerët”. Gjika: Këtë javë bëjmë analizën e dështimit

Flamurtari-LaciFLAMURTARI-VLLAZNIA 3-1
GOLAT: Idrizaj 4′, Nelaj 44’, Lena 87’; Shtubina 50′
FLAMURTARI: Xhelili, Licaj, Bisha (Lena 19′), Hasani, Mici, Pepa, Kuqi, Telushi, Bregu, Nelaj (Plepi 78′), Idrizaj (Meta 83′). Trajner: Ernest Gjoka
VLLAZNIA: Vujodinoviç, Kruja, Beqiri (Dema 46′), Belisha, Marku, Tafili, Bardulla, Shtubina, Hajdari, Rexha (Guri 46′), Dragoj. Trajner: Artan Bushati.
KARTONË TË VERDHË: Pepa 90+2’/ Tafili 70′
DELEGAT: Kristaq Toçi;
VËZHGUES: Stavri Papa
GJYQTARET: Olsi Sokoli/ E.Avdo dhe E.Çela (Tiranë)

MINUTAT
4′ Pepa kroson bukur në zonë duke dalë në vijën këndore, ku gjen përballë Vujadinovicin, Idrizajn. Ky i fundit nuk nguron dhe shënon me kokë brenda kohës, duke e kaluar në avantazh 1-0 Flamurtarin.
7′ Shtubina rrezikon seriozisht portën e Xhelilit me një gjuajtje të rrufeshme, por mbrojtja gjendet në kohën e duhur, duke eliminuar golin e sigurt.
10′ Sërish Shtubina në kërkim të golit, pas një vertikalizimi të topit nga Dragoi, por ndërhyn Xhelilaj. Bordulla shfaqet ndërkohë mjaft këmbëngulës dhe kërkon të përfitojë nga një rrëmujë e mbrojtjes vlonjate, por fati është me Flamurtarin, pasi gjuajtja e topit përfundon në shtyllën e djathtë jashtë.
15′ Bisha gjendet në zonën e Flamurtarit dhe, në përpjekje për të ndihmuar shokët e tij, përplaset kokë më kokë me portierin Xhelili, dhe dëmtohet. Pas 4 minutash, në vend të tij aktivizohet Lena.
40′ Mbrojtja vlonjate sërish e papërqendruar, teksa Rexha vendos në rrezik portën, sërish fati devijon sferën.
44′ Nelaj, në pritje të topit në zonë, vepron saktë përballë portierit të shkodranëve, duke e kaluar sërish në avantazhin e golit të dytë Flamurtarin.
50′ Pas një gabimi të Flamurtarit, Vllaznia përfiton një goditje dënimi, e cila merret përsipër të ekzekutohet nga Shtubina, që tregohet i saktë dhe 2-1.
80′ Lena ndërhyn gabimisht, teksa dëmton Bardullën. Arbitri e shikon të arsyeshme të japë goditje dënimi, e cila merret përsipër nga Dema, por topi përfundon mbi tra.
87′ Pepa në kënd pason drejt Lenës. Ky i fundit nuk mendohet gjatë dhe shënon i gjendur në vendin e duhur, Vujadinovic i dobët në nuhatje, Vllaznia pëson golin e tretë.

Flamurtari u beson vlonjatëve dhe nuk gabon, fiton me rezultatin 3-1 në takimin e luajtur përballë Vllaznisë së Shkodrës në Vlorë. Dy gola nga vlonjatët Idrizaj dhe Nelaj në pjesën e parë, si dhe një i Lenës në pjesën e dytë i dhanë fitoren Flamurtarin, ndërsa Vllaznia, edhe pse kishte ardhur e karikuar, ka shënuar vetëm njëherë me anë të Shtubinës, i cili shënon kundër ishskuadrës së tij. Një Flamurtar që, siç pritej, kishte në fushë plot 9 lojtarë vlonjatë, disa prej të cilëve të aktivizuar shumë pak gjatë sezonit, si dhe prurje nga ekipet e moshave. Pavarësisht mungesës së titullarëve dhe lojtarëve më të paguar, Flamurtari ka arritur të fitojë në këtë përballje, edhe pse Vllaznia kishte në fushë më shumë titullarë se vlonjatët.
Ndeshja – Gjoka ia besoi sulmin Idrizajt, ndërsa në krahun e djathtë të mbrojtjes u aktivizua Liçaj. Në fakt, loja nis shumë e qetë nga të dyja skuadrat dhe pa pikë ritmi. Katër minuta nga fillimi i lojës Flamurtari kalon shpejt në avantazh, kur Pepa kroson bukur në zonë duke dalë në vijën këndore, aty gjen Idrizajn, i cili nuk nguron dhe shënon me kokë brenda kohës, duke kaluar në avantazh 1-0 Flamurtarin. Vjen ndërkohë reagimi i shkodranëve dhe është Shtubina që, tri herë brenda 15 minutave, rrezikon portën e ish-ekipit të tij, por ka qenë i menjëhershëm reagimi i portierit Xheliliaj. Flamurtari mund të shënonte sërish 25 minuta nga nisja e takimit, kur Bardulla pengon Lenën në zonë dhe Flamurtari përfiton goditje dënimi, por sfera e gjuajtur nga Telushi fluturon mbi traversë. Një minutë nga përfundimi i pjesës së parë Nelaj, që e kishte këtë takim të parin si titullar, është në pritje të topit dhe në zonë vepron saktë përballë portierit të shkodranëve duke e kaluar sërish në avantazhin e golit të dytë Flamurtarin. Ai duartrokitet gjatë nga tifozëria vlonjate, edhe pse e paktë në shkallët e stadiumit. Kuqezinjtë shkojnë në avantazh në dhomat e zhveshjeve.
Golat – Pjesa e dytë do të kishte më shumë ritëm nga të dyja skuadrat, ndërsa që në fillim të saj nuk mungojnë zëvendësimet nga Vllaznia, ku dalin nga loja Beqiri e Rexha dhe në vend të tyre hyjnë Dema e Guri. Gati pesë minuta nga pjesa e dytë Vllaznia përfiton një goditje dënimi, pas një gabimi të vlonjatëve që merret përsipër të ekzekutohet nga Shtubina, duke e çuar rezultatin në 2-1. Flamurtari dhe Vllaznia në minutat në vazhdim kanë edhe disa raste të tjera, por pa i administruar dot. Në minutën e 80-të Vllaznia ka një mundësi tjetër për të shënuar, por nuk e arrin dot. Lena ndërhyn gabimisht, teksa dëmton Badrullën. Arbitri e shikon të arsyeshme të japë goditje dënimi, që merret përsipër nga Dema, por topi mbi tra. As tri minutat shtesë nuk kanë shumë histori. Shkodranët bëjnë një lojë vrasëse, gjatë të cilës ndikojnë në dëmtimin e lojtarëve vendës, por megjithatë këta të fundit arrijnë të gëzojnë në fund. Kështu, Flamurtari fitoi në këtë ndeshje nderi pa Memellin e Muzakën, vetëm me lojtarë të rinj, ndërsa kjo ishte një provë dhe shërbeu për drejtuesit si një test për formimin e ekipit të ri. Edhe pse fitoi, Flamurtari është tashmë jashtë çdolloj objektivi, pasi doli edhe nga objektivi i vetëm që ishte pjesëmarrja në Kupat e Europës. Edhe pse një Flamurtar më i motivuar në këtë fazë të dytë, kur në pankinë u ul trajneri Gjoka, por gjithsesi pa e shmangur dot dështimin.

MË I MIRI
Idrizaj dhe Nelaj ishin edhe dy lojtarët më të mirë në takimin e djeshëm. Ata, jo vetëm kontribuan në fitoren e ekipit, por ishin edhe kërkues në fushë, duke treguar se vlejnë për këtë skuadër.

MË PAK AKTIVI
Elvin Beqiri dhe Kastriot Rexha ishin dy lojtarët më të dobët në fushën e lojës. Si i pari në mbrojtje dhe tjetri në linjën e sulmit nuk e ndihmuan aspak ekipin dhe bënë gabime, ndaj dhe u zëvendësuan në pjesën e dytë.

GjiTagani-Gjika dhe Kollcakuka: Këtë javë, analiza e dështimit
Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, e ndjek i vetëm takimin nga tribuna. Në pjesën e dytë Gjikës iu bashkua edhe biznesmeni Adhurim Duka. Në sy të binte mungesa e titullarëve, as në shkallët e stadiumit. Takimi u ndoq vetëm nga Veliu, Rajoviç dhe Bratiç. Gjithashtu, në shkallët e stadiumit ishte një numër shumë i vogël tifozësh, që nuk i kalonte të 70-at, më shumë prindër të futbollistëve. Në ndeshje mungonte edhe grupimi “Flota kuqezi”, i cili e bojkotoi ekipin për shkak të daljes nga objektivi. Po ashtu të binte në sy edhe mungesa e shefit të klubit, Geri Çipi, si dhe e drejtorit sportiv, Ardi Behari, të cilët mesa duket janë drejt largimit nga Flamurtari. Sakaq, i pyetur në fund të takimit nga “Panorama Sport”, presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, pohoi se do të analizojë sezonin kuqezi në një nga ditët në vazhdim. “Në ditët në vazhdim do të zhvillojmë analizën. Nuk mund të flas asgjë për momentin për mediat”, – ka thënë ai. Kujtojmë se pas humbjes, javën e shkuar në Kukës me rezultatin 6-1, Flamurtari dështoi totalisht për këtë sezon, pasi humbi edhe objektivin e fundit dhe më minimalin: pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

“Fituam me lojtarë të rinj, pres më shumë nga ky ekip”
Trajneri i Flamurtarit, edhe pse e ka kritikuar paksa lojën e disa lojtarëve të rinj, përsëri ka theksuar se është i kënaqur, të paktën me faktin se skuadra fitoi. “Ishte një ndeshje e interpretuar mirë, pavarësisht se Vllaznia erdhi me lojtarë titullarë dhe ne kishim menduar tjetër ide. Mendoj se ka vend për shumë punë. Që të bëhesh futbollist në Superiore, duhet të punosh shumë dhe të stërvitesh shumë. Përgjithësisht më pëlqeu loja e të gjithë futbollistëve të mi që kisha në fushë. Ndoshta pres pak më shumë nga disa, sidomos nga të rinjtë, pasi i kanë të gjitha mundësitë”, – ka pohuar Gjoka. Ndërkohë, ky i fundit së bashku me presidentin Gjika janë acaruar disa herë me arbitrin anësor. Në dy momente Gjoka e Gjika e kundërshtojnë veprimin e gjyqtarit për mosdhënie të faulleve. Kontestime për gjykimin edhe nga tifozët, në veçanti për mosakordimin e kartonëve në momentet e ndërhyrjeve të gabuara nga ana e futbollistëve të Vllaznisë.

“Vendimet e klubit do të merren sipas kontratave”
Trajneri i Vllaznisë, ka kritikuar lojën e skuadrës së tij. “Erdhëm në Vlorë me një ekip miks, mes të rinjve dhe lojtarëve me eksperiencë. Për këtë duhet të fitonim, por mesa duket lojtarët nuk u përshtatën dot edhe pse kishim raste para portës. Për këtë në vijim edhe vendimet e klubit do të merren sipas kontratave. Më vjen keq, pasi golin e parë e pësuam ende pa e marrë vesh që ishim në fushën e lojës dhe kjo gjë nuk duhet të na ndodhë”, pohoi Bushati.

Lena dhe Nelaj: Ky ekip ka të ardhme
Fantazisti kuqezi, Nijas Lena, ka pohuar se edhe me të rinj Flamurtari tregoi se është një skuadër e mirë. “Normal që një fitore të kënaq dhe të entuziazmon. Unë kam dhënë më të mirën time te Flamurtari, natyrisht që do vazhdoj ta bëj një gjë të tillë deri në fund. Më pëlqeu loja e lojtarëve të rinj, ndërsa shpresojmë që të jemi më mirë sezonin e ardhshëm. Kjo skuadër ka futbollistë me të ardhme dhe gjykoj se edhe qyteti e tifozët meritojnë më shumë”, – ka thënë Lena. Ndërkohë, sulmuesi tjetër Refrenc Nelaj nuk e ka fshehur kënaqësinë e golit, duke ua dedikuar tifozëve. “Jam i gëzuar, pasi ishte një lojë e bukur me djem të rinj, që shfaqën veten e tyre. Golin ua dedikoj tifozëve. Nëse do të aktivizohen më shumë, premtoj se do kem vazhdimësi në lojën time dhe dua të jap maksimumin tim te Flamurtari. Uroj që sezonin e ardhshëm të kem më shumë hapësira në skuadër”, – ka pohuar sulmuesi i ri.

Shtubina: Kthehem në Vlorë dhe fitoj trofe
Ai ishte autori i golit të vetëm të Vllaznisë në Vlorë, por më shumë sesa goli, ajo çka bëri përshtypje ishte deklarata e Ndriçim Shtubinës. Futbollisti shkodran e ka thënë qartë se mund të rikthehet te kjo skuadër, me fanellën e së cilës luajti në sezonin 2011-2012, gjithnjë nëse arrihet një akord i mirë mes drejtuesve të klubit dhe atij. “Ishte një ndeshje e veçantë për mua. Unë takova edhe drejtuesit e Flamurtarit, me të cilët jam ndarë goxha përzemërsisht. Kam kujtime të mira te kjo skuadër, paçka se nuk ishte një nga sezonet më të mira të miat. Gjithsesi, jam i gatshëm pse jo për një rikthim të mundshëm këtu. Kam kontakte me drejtuesit e Flamurtarit, por asgjë më shumë për momentin, pasi jam në bisedime edhe me klube të tjera. Të shpresojmë, pse jo, për ndonjë rikthim dhe, nëse do ndodhë, atëherë do mundohem që të fitoj trofe me këtë skuadër”, – ka pohuar shkodrani.
ERMAL SIKA






www.minuta90.com