Fjodor Xhafaj: T’i japim pak kohë Flamurtarit, por nuk është start… pretendenteje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2023 | 15:46

Fjodor Xhafaj: T’i japim pak kohë Flamurtarit, por nuk është start… pretendenteje

Fjodor Xhafa beson te kthesa e Flamurtarit. Starti nuk është i duhuri për një ekip pretendent, por ish-sulmuesi mendon se skuadra ka nevojë edhe për pak kohë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai analizon situatën e vlonjatëve.

fjodor-xhafa

“Nuk është situata më e mirë e mundshme. Pritshmëritë janë të mëdha. Të gjithë presin që ne të konkurrojmë për vendet e para. Megjithatë, besoj se kthesa do të vijë. Kemi një ekip të ri dhe që kërkon kohën e vet. Lojtarët duhet të lidhen dhe përshtaten me njëri-tjetrin. Janë të rinj në fund të fundit, kanë ardhur vetëm këtë sezon. Duhet mirëkuptuar, kjo gjë ka dhe do kohën e saj. Megjithatë, kam besim te skuadra.

Të gjithë futbollistët e dinë që prej tyre pritet maksimumi dhe realizimi i objektivit që është vendosur nga klubi. Normalisht që nuk ishte një nisje e mirë për atë çfarë duam ne të arrijmë dhe të kapim, por janë gjëra që ndodhin në futboll kur ke një skuadër të re dhe të krijuar, pikërisht për këtë sezon. E rëndësishme është që të reflektohet në vazhdimësi me qëllim që të dilet sa më shpejt nga kjo gjendje”, shprehet fillimisht Xhafaj.

VAZHDIMËSIA – Thekson se Flamurtari duhet që t’i kushtojë rëndësinë e duhur çdo ndeshjeje. E shikon shumë të vështirë me Vorën, por vlonjatët duhet të bëjnë kthesën: “Do të thosha se është shumë e rëndësishme në këto momente vazhdimësia. Duhet parë çdo ndeshje me vëmendje të madhe dhe me kujdes. Për skuadrën, aktualisht duhet të mbetet si objektiv ndeshja e radhës. Nëse përqendrohen aty, normalisht që rezultatet do të vijnë vetë.

Ndeshja e radhës do të jetë shumë e fortë. Vora është një skuadër e mirë. Do të jetë takim i vështirë, ndaj duhet që Flamurtari të shpalosi të gjithë arsenalin që ka. Kjo duhet që të jetë java e kthesës. Skuadra duhet që të bëjë më të mirën në këtë ndeshje, për aq më shumë që luhet në Vlorë dhe do të kenë përballë publikun vlonjat”.

GARA – Kampionatin e cilëson si shumë të vështirë dhe se parashikon një rrugë të gjatë përpara për Flamurtarin. Por ish-sulmuesi këshillon që çdo javë duhet trajtuar si finale. “Ky është një kampionat shumë i fortë. Janë shumë rivalë në garë dhe nuk mund ta përcaktosh dot në këtë moment se cilat ekipe ngjiten në Kategorinë Superiore. Flamurtari i ka mundësitë, pasi është ndërtuar për këtë qëllim. Do të kenë një rrugë të gjatë përpara, pasi vetëm 270 minuta janë luajtur. Rëndësi ka vetëm një gjë, nuk duhet të gabojnë më. Çdo ndeshje duhet që të vlerësohet si një finale”, përfundon Xhafa.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"