“Fitorja me Apoloninë nuk duhet të diskutohet”, Edi Martini: Pas humbjes me Laçin, kemi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2021 | 17:05

“Fitorja me Apoloninë nuk duhet të diskutohet”, Edi Martini: Pas humbjes me Laçin, kemi…

Trajneri i Teutës, Edi Martini ka folur ditën e sotme në prag të ndeshjes me Apoloninë, ku është shprehur se objektivi i vetëm për nesër është fitorja dhe kjo nuk duhet të diskutohet ndaj fierakëve. Më tej Martini ka thënë se pas humbjes me Laçin, kanë qenë ditë reflektimi në kampin durrsak, ku shprehet se tashmë janë të gjithë të bashkuar.

EDI MARTINI

“Pas humbjes me Laçin ishin ditë reflektimi në stërvitje, por edhe në bisedat që kam pasur me lojtarët. Të them të drejtën ishte një humbje ku nuk bëmë një ndeshje të keqe, por pësuam gol dhe humbëm pikë. Kemi punuar me të njëjtin ritëm dhe kemi  biseduar shumë me lojtarët sepse ana psikologjike është gjithashtu e rëndësishme. I kemi parasysh gabimet e bëra ndaj Laçit.

Jemi munduar t’i rregullojmë gjatë javës, normalisht që secili gjatë analizës sheh gabimet e veta, jemi munduar dhe besoj se do i rregullojmë. Ndaj Apolonisë pres të marrim fitoren, që është e domosdoshme dhe nuk duhet të diskutohet. Kemi përballë Apoloninë, që ka bërë mirë javët e fundit, por për ne është e rëndësishme të fitojmë. E kam thënë edhe më përpara dhe për të disatën herë. Tani nuk ka ndeshje në shtëpi dhe jashtë. Fushat janë asnjëanëse, pa tifozë, nuk ka ndikim se në cilën fushë luan. Ne duam të fitojmë çdo ndeshje.

Unë nuk bëj fare llogari sepse na kanë kushtuar dhe kemi gabuar. Do shohim të ndeshjet tona dhe kemi kohë më pas për të parë kundërshtarët. Të gjithë jemi një. Jemi bashkë edhe kur jemi mirë, edhe kur jemi keq.

Edhe drejtuesit kanë kërkesat e tyre sepse jemi ndërtuar për të qenë të parët këtë vit. Vllaznia është skuadra, që ka dalë nga pritshmëritë sepse jemi aty-aty me të gjithë rivalët e tjerë.

Në përgjithësi jemi mirë. Avdyli ka plotësuar numrin e kartonëve dhe nuk do jetë pjese e ndeshjes.  Deri nesër do të shohim dhe do vendosim për formacionin, kemi mjaftueshëm lojtarë dhe besoj se do zgjedhim më të mirët nesër para fillimit në ndeshjes.”, u shpreh Martini.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"