Fitorja detyrim, Stojku: Laçi na hap rrugën për mbijetesën në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2019 | 9:30

Fitorja detyrim, Stojku: Laçi na hap rrugën për mbijetesën në Superiore

Kamza e destinuar për fitore ndaj Laçit, pasi vendi i fundit dhe diferenca mes rivalëve është thelluar. Kjo përbën një panoramë të hidhur që e ka përcjellë Kamzën gjatë një sezoni me shumë pak dritë e shumë hije për të qëndruar mes skuadrave më të mira elitare.

Kamza

Ndoshta kjo situatë ka marrë përmasat e një misioni të pamundur, por gjithsesi shpresat e kësaj skuadre mbeten në fuqi, ndërsa takimi i tyre me Laçin, vlen sa gjithë sezoni.

Kamza shpreson dhe sinjali u dha një javë më parë kur shenjat e jetës u shfaqën gjatë ndeshjes kundër Kukësit, ku Kamza arriti të shënonte dy gola, si në asnjë takim gjatë këtij sezoni. Para sfidës ndaj Laçit, për “Panorama Sport” ka folur trajneri Gentjan Stojku.

HUMBJA ME KUKËSIN – “Nuk besoj se ka ndikuar për keq. Edhe pse lamë pikët, kjo ndeshje e dha sinjalin se skuadra mund të rimëkëmbet. Jemi munduar të mos e ngarkojmë psikologjikisht skuadrën, pasi ajo do të na dëmtonte më shumë, por jemi munduar për të ngritur moralin se mund t’ia dalim me Laçin. Gjatë kësaj jave kam parë seriozitet dhe entuziazëm në ekip”.

Stojku

MUNGESA E FUKUIT – “Është një mungesë e rëndësishme për skuadrën, pasi është dhe lojtari që ka shënuar më shumë. Por për fat, ekipi ynë ka dhe alternativa të tjera po aq cilësore sa dhe Fukui. Rëndësi ka që të bëjmë lojën tonë dhe skuadra të ecë mirë gjatë takimit”.

Kamza5

SIGURIA PËR MBIJETESËN – “Normalisht që siguria për të mbijetuar është një shpresë e madhe për ekipin tonë. Problemet tona në renditje janë përkeqësuar, por kjo ndeshje mund të shërbejë dhe si një kthesë e madhe për ta synuar qëndrimin tonë në Superiore. Kam besimin e plotë se skuadra do të dalë te fitorja. Sigurisht, duhet dhe shumë kujdes”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"