Fierakët duan që të ndryshojnë trajektoren. Janë projektuar për “play off”, Apolonia e Vora masin “pulsin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2024 | 16:57

Fierakët duan që të ndryshojnë trajektoren. Janë projektuar për “play off”, Apolonia e Vora masin “pulsin”

Apolonia ka shtuar dozën stërvitore, pasi dje ekipi kreu 2 seanca stërvitore. Duke qenë në luftë të vazhdueshme me kohën, fierakët po mundohen t’i marrin maksimumin përgatitjeve për të menaxhuar me sukses sfidën e së shtunës me vorakët. 

apolonia

Në stadiumin e Vorës do të vihen përballë dy ekipet, të cilat përmes fazës “play off” janë projektuar për të synuar Superioren në fund të sezonit. Në këtë këndvështrim, përballja mes Vorës dhe Apolonisë nuk do të jetë thjesht vetëm ndeshja e radhës, por një provë “zjarri” ku do të matet “pulsi” i dy ekipeve me pretendime në Kategorinë e Parë. Dje, trajneri Artan Mërgjyshi u mundua të karikojë fizikisht ekipin e tij me ushtrime atletiko-fizike, fillimisht në ambientet e palestrës dhe më pas në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”.

Megjithatë, pa nisur seanca stërvitore, timonieri i fierakëve me anë të një video-projektori analizoi kundërshtarin dhe i dha udhëzimet futbollistëve të tij se si të reagojnë në situata të ndryshme përgjatë 90 minutave. Analiza u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati afro 25 minuta.

Pas përfundimit të ushtrimeve me karakter fizik, trajneri i ndau lojtarët në 2 grupe me qëllim për të provuar goditjet në drejtim të portës në kufijtë e 16 metrave. Finalizimi në tërësi ishte i kënaqshëm dhe Umejiego, Maksuti, por edhe Trifoni spikatën me tentativat e tyre. Në fund, ekipi bëri një ndeshje kontrolli ku u ndanë në dy grupe titullarët dhe lojtarët e stolit.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"