Festë te Kukësi, shpërndahet premio 20 milionë lekë para Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2018 | 19:55

Festë te Kukësi, shpërndahet premio 20 milionë lekë para Laçit

Kukësi ka arritur një fitore të madhe në kampionat ndaj Partizanit duke kënaqur gjithë ambientin sportiv kuksian, por më tepër presidentin Gjici. Fitorja e katërt rresht në kampionat ka sjellë dhe të mira materiale për lojtarët, që kanë marrë premio për çdo ndeshje të fituar. Ndaj Laçit dhe Vllaznisë ekipi është shpërblyer me nga 10 milionë lekë të vjetër, ndërsa është rritur kuota për fitoret ndaj Kamzës dhe Partizanit. 15 mijë euro u akorduan për Kamzën dhe 20 milionë lekë për trepikëshin e fituar ndaj Partizanit.

kukesi dhomat123

Premio e vendosur për fitoren ndaj të kuqve është shpërndarë dje, ndërkaq drejtues të klubit u kanë pohuar lojtarëve se në një moment tjetër do ndahet dhe 15 mijë euroshi i premtuar për fitoren në transfertën e Kamzës. Javën që shkoi, verilindorët kanë marrë paradhënie pagat e marsit, që sipas rregullit duhet të shlyheshin pas datës 25 të këtij muaji. Ky trajtim vjen për ekipin në një moment kyç, pasi vendi i dytë është thuajse i siguruar, si dhe janë stimuluar për një tjetër sfidë shumë të rëndësishme, ajo ndaj Laçit për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Drejtuesit kërkojnë kalimin në finale me çdo kusht, ndaj skuadra e ka për detyrë fitoren e ndaj kurbinasve në Kukës. Donjet Shkodra- Kukësi ndodhet në momentin më të mirë sezonal dhe, pas fitores me Partizanin, verilindorët janë optimistë edhe për ndeshjen e nesërme ndaj Laçit në Kupë. I këtij mendimi është edhe mesfushori Donjet Shkodra, i cili në një prononcim për “Telesport” shprehu siguri që Kukësi kalon në finale të Kupës, por ka dhënë sinjale largimi nga Shqipëria në verë. “Jemi në një pozicion të mirë në kampionat dhe shpresoj ta mbajmë këtë ritëm.

Shpresoj që edhe në Kupë të arrijmë finalen e në Europë të bëjmë më të mirën e mundshme. Për sa i përket çështjes sime, kam ardhur nga Belgjika, pasi atje kam familjen dhe deri tani më ka ecur përgjithësisht mirë. Do të shoh çfarë do të bëhet në të ardhmen, pasi kam edhe gruan në Gjermani. Largim nga Shqipëria? Ndoshta largohem, por do të shohim sesi do të shkojnë punët, pasi kam një kontratë 1- vjeçare me skuadrën e Kukësit”, u shpreh Shkodra.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"