Festa tradicionale, kreu dhuratë për qytetin e Elbasanit. Ndaj Burrelit nuk lejohen gabimet, mungon kapiteni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2024 | 12:19

Festa tradicionale, kreu dhuratë për qytetin e Elbasanit. Ndaj Burrelit nuk lejohen gabimet, mungon kapiteni

Elbasani merr kryesimin për herë të parë në këtë kategori pikërisht në javën më simbolike të këtij qyteti. Bëhet fjalë për javën e Ditës së Verës, festa tradicionale që simbolizon edhe qytetin e Elbasanit, me lojtarët që e kanë bërë tanimë dhuratën e tyre enkas për këtë festë.

elbasani

Kuptohet që lidhja e skuadrës së futbollit me qytetin e Elbasanit është shumë e ngushtë, për më tepër që dekadën e fundit ky sport i traditës thuajse ishte zhdukur dhe nuk pretendonte ngjitjen në elitë. Gjatë gjithë kampionatit verdheblutë kanë qenë ndjekës të Bylisit të vendit të parë dhe në dy tentativa për të rrëmbyer kreun në ndeshje direkte nuk ia dolën dot, pasi elbasanasit nuk shkuan më shumë sesa barazimi ndaj tyre. Mesa duket, ishte e thënë që kryesimi të merrej pikërisht tani, në mënyrë që ekipi dhe qyteti ta kremtonte këtë festë në vendin e parë.

OPTIMIZMI – Edhe pse në Elbasan janë përpjekur që të mos e vënë nën presion skuadrën sa i përket vendit të parë dhe titullit kampion, me investimet që janë bërë, drejtuesit nuk do të kënaqeshin vetëm me arritjen e objektivit për t’u ngjitur në Superiore. Tani që për momentin janë në krye, duket se optimizmi është rritur së tepërmi edhe në skuadër, edhe pse nga ana tjetër presioni sa vjen e bëhet më i madh.

Elbasani vjen pas disa ndeshjesh pozitive dhe duket se më në fund janë gjetur ekuilibrat e duhura në skuadër, ndaj synohet që vendi i parë të mbahet deri në fund dhe të mos jetë vetëm një dhuratë e klubit për qytetin me rastin e Ditës së Verës.

BURRELI – Kundërshtari i kësaj jave në Elbasan do të jetë Burreli, i cili edhe pse ka synime të tjera, vjen pas një forme të mirë në kampionat. Në dy sfidat e para verdheblutë ia kanë dalë të marrin tri pikët, ndonëse jo pa vështirësi. Në Burrel u vendos nga një penallti e shndërruar në gol nga kapiteni Abaz Karakaçi, i cili në këtë ndeshje do të mungojë.

Gjithsesi, në “Elbasan Arena” verdheblutë kanë treguar se nuk bëjnë hapa fals dhe me këtë objektiv do të hyjnë në fushë edhe këtë të diel. Një fitore ndaj matjanëve, i mban ata sërish në vendin e parë, pa u shqetësuar nga rivalët e Bylisit.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"