“Fanatics” drejt rikthimit në Shkodër, Vllaznia kërkon gjyqtarë të huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2017 | 12:11

“Fanatics” drejt rikthimit në Shkodër, Vllaznia kërkon gjyqtarë të huaj

Tiranës pritet që t’i rikthehen tifozët. Dhe këtu nuk flasim për ata që kanë qenë edhe javët e fundit në stadium, por për grupimin më të madh dhe më të organizuar, “Tirona Fanatics”. Nuk është ende zyrtare, megjithatë burime pranë gazetës konfirmojnë se anëtarët janë duke menduar seriozisht që të ndalin bojkotin në transfertën më vendimtare të sezonit.

Vllaznia - Tirana

Ata pritet që të jenë në “Loro Boriçi”, atje ku do të vendoset mbijetesa e ekipit më të titulluar në vend. Tifogrupi është ende në proces konsultimi, megjithatë shanset që ata të jenë në Shkodër sa vijnë dhe rriten. Rënia nga kategoria nuk mund të përtypet kurrsesi prej tyre, ndaj në finish kanë menduar që të japin kontributin e tyre. Në fushë do të luajnë lojtarët, megjithatë prezenca e tyre do të thotë shumë për bardheblutë, të cilët prej javësh përpëliten në fundin e renditjes.

Një gjë është e sigurt, rikthimi nuk do të thotë kurrsesi “paqe” me presidencën, pasi pakënaqësitë ndaj drejtuesve mbeten të pandryshuara. Prania e “Fanatics” në Shkodër do të ketë vetëm një motiv: t’i qëndrojnë pranë ekipit të zemrës në momentin më delikat në historinë 96-vjeçare. Ditët në vazhdim do të jenë vendimtare në këtë drejtim, pasi edhe vetë grupimi mund të dalë në një komunikatë zyrtare.

KËRKESA PËR GJYQTARËT

Java e fundit do të na ofrojë një “finale” mbijetese krejt të pazakontë. “Klasikja” shqiptare këtë herë do ketë vetëm një përfundim: Tirana ose Vllaznia mund të bien nga kategoria. Duke qenë një duel kaq vendimtar, klubi vendës ka menduar që të kërkojë gjyqtarë të huaj. Nga burime pranë shkodranëve mësohet se drejtuesit do të depozitojnë një shkresë në zyrat e FSHF-së që 90-minutëshi, që do të luhet në “Loro Boriçi”, të gjykohet nga arbitra ndërkombëtarë.

Ata duan që të shmangin “bilbilat” vendës, për të evituar çdolloj paragjykimi dhe larguar presionin për të dyja skuadrat në fushë. Në të njëjtën shkresë do të kërkojnë që të huajt të jenë edhe cilësorë, në mënyrë që në fund të kësaj ndeshjeje rezultati të jetë i pakontestueshëm. Kujtojmë që të dyja skuadrat në javët e fundit janë ndëshkuar nga gabimet “njerëzore”, ndaj në finish duan që t’i shmangin ato.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"