Erjon Xhafa: Presioni është mbi Tiranën, Dinamo më komode

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2024 | 11:16

Erjon Xhafa: Presioni është mbi Tiranën, Dinamo më komode

Tiranës i ka veshur si futbollist, kurse vitet e fundit ka qenë pjesë e stafeve teknike të dy skuadrave në rolin e zëvendëstrajnerit (ndihmës i Emanuel Egbosë dhe Rodolfo Vanolit), kështu që ambientin, si te blutë, ashtu edhe te bardheblutë, e njeh shumë mirë.

erjon xhafa

Erjon Xhafa, ish-mbrojtësi kryeqytetas, ka folur për “Panorama Sport” në lidhje me derbin e së dielës. Ai gjykon se më e vështirë do të jetë për Tiranën në këtë 90- minutësh, sepse situata e momentit nuk është pozitive dhe ka më shumë presion, ndërsa Dinamo vjen me një gjendje të mirë dhe më komode sa i takon objektivit sezonal. Sipas ish-fuftbollistit, rezultati i një derbi është shumë i vështirë për t’u parashikuar.

GJENDJA “Në këtë moment të kampionatit dy skuadrat vijnë në gjendje të ndryshme. Tirana nuk ka pasur rezultatet e duhura javët e fundit dhe, me sa kam parë, ka një grup të reduktuar futbollistësh. Këto nuk janë gjëra pozitive përpara një ndeshjeje dhe aq më tepër përpara një derbi. Dinamo në anën tjetër ka një gjendje më të mirë, e ka rritur lojën dhe është ngjitur edhe në klasifikim. Ka pasur më shumë stabilitet. Ka ndoshta gjendje më të mirë fizike dhe psikologjike. Megjithatë, do të thosha se në një derbi situata është pak e veçantë. Lojtari kur hyn në fushë harron gjithçka dhe kërkon medoemos ta fitojë derbin. Ka një emocion tjetër ndeshja derbi, tjetër atmosferë, pavarësisht se ku luhet dhe ka pak apo shumë tifozë në stadium”, ka thënë fillimisht Xhafa.

PRESIONI Për ish-mbrojtësin, Tirana duhet të mposhtë edhe një kundërshtar tjetër në fushë përveç Dinamos, që është presioni. “Natyrisht që presioni bie mbi Tiranën në këtë ndeshje. Sepse Tirana e ka nisur sezonin me objektiva madhorë, siç është titulli kampion. Gjatë kampionatit ka qenë në vendet e para dhe tani ka dalë nga 4-shja, çka mund të rëndojë psikologjikisht te kjo skuadër. Tani ka presionin që duhet të ngjitet në renditje dhe të shkojë në “Final 4”. Kualifikimi në Kupën e Shqipërisë nuk mjafton, kampionati ka rëndësi. Dinamo besoj është më e lirshme në aspektin psikologjik. Kjo skuadër ka ardhur në ngritje dhe nuk e ka nisur sezonin me objektiv të qartë për të qenë në 4-shen e parë. U rikthye në Superiore dhe përveç fillimit të vështirë, më pas ka pasur një ecuri të mirë. Tani ka çdo të drejtë të synoj një vend në “Final 4″, Janë faktorë që mund ta ndihmojnë Dinamon për të kaluar me sukses edhe derbin dhe nëse e bën këtë, do ta ketë më të lehtë më tej, sepse rrit akoma më shumë besimin”.

SFIDA Për aspektin teknik të derbit, ish-futbollisti i dy skuadrave thekson: “Do të jetë një ndeshje e barabartë, ku do të vendosin detajet dhe episodet. Varet gjithçka nga interpretimi që do bëjnë lojtarët në fushë, nga përqendrimi i tyre. Secila skuadër ka shanset e veta, siç e thashë Dinamo ka më pak presion dhe kjo gjë mund të ndihmojë për të marrë rezultat pozitiv”.

RIVALITETI “Futbolli i kohëve të sotme është ndryshe. Klubet që kanë anën ekonomike më të fortë, ata kanë edhe më shumë mundësi për të qenë para të tjerëve. Kemi shembullin e Mançester Sitit, që nuk bënte pjesë në klubet e mëdha të futbollit anglez dhe europian më parë, por ka 10 vjet që po dominon. Në këtë sens, nuk është fare çudi që Superioren e kryeson Egnatia, pastaj vjen Vllaznia e më pas skuadrat e kryeqytetit. Megjithatë, gara besoj se do të mbetet e hapur deri në fund, pastaj çfarë do të ndodhë në “Final 4″ vështirë që ta parashikojmë”, ka përfunduar Erjon Xhafa.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"