Ëndrrat dhe sekretet e një “gjeniu”, shifrat më të veçanta të Mesit në ditëlindjen e 32-të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2019 | 20:16

Ëndrrat dhe sekretet e një “gjeniu”, shifrat më të veçanta të Mesit në ditëlindjen e 32-të

Çdo vit, kur afron data 24 qershor, tifozët e Barcelonës kanë një motiv për të qenë pak më të trishtuar. Leo Mesi mbushi 32 vjeç, diçka që u kujton tifozëve se lojtari më i mirë që ka veshur fanellën blaugrana është gjithnjë e më pranë tërheqjes nga ky sport.

leo mesi

Megjithatë, argjentinasi duket se nuk po e mendon aspak largimin nga futbolli. Këtë sezon “firmosi” një nga sezonet më të mira të karrierës së tij, të paktën në nivel individual. Duket se do ta mbajë akoma këtë nivel të lartë edhe për shumë sezone të ardhshme. Me kalimin e kohës po shndërrohet në një mesfushor dhe lamtumira nga futbolli është shumë larg.

Por në çdo rast, Leo e di mjaft mirë që herët apo vonë do të vijë momenti për të varur këpucët në gozhdë. Deri kur të vijë ky moment, argjentinasi ka disa sfida dhe objektiva për të arritur. Ato mund të konsiderohen si dëshirat që ka menduar ai kur ka fikur qirinjtë e tortës së ditëlindjes.

Mesi

CHAMPIONS- Ky është objektivi kryesor i Leos. Këtë sezon ishte shumë pranë triumfit në Ligën e Kampionëve, por Liverpuli bëri një mrekulli në “Anfield” dhe e nxori jashtë garës. Argjentinasi e konsideron Champions-in si kompeticionin e tij favorit. Më specialin.

GOLASHËNUES- Një nga duelet që ka me Kristiano Ronaldon lidhet me titullin e golashënuesit në historinë e Champions-it. Për momentin, Ronaldo mban kryesimin dhe ka 126 gola, ndërsa Mesi e ndjek me 112.

ARGJENTINA- Deri tani, arritja më e madhe e Mesit me kombin e tij është një medalje ari në Lojërat Olimpike. Ai e ka thënë gjithmonë se ëndrra e tij është të fitojë diçka të rëndësishme me Argjentinën. Ka humbur 3 finale dhe tani është i angazhuar me skuadrën e tij për Kupën e Amerikës. Nëse triumfon, do t’i jepte fund duelit me Maradonën.

“TOPI I ARTË”- Leo kërkon që të mbahet mend si lojtari që ka fituar më shumë “Topa të Artë” në historinë e futbollit dhe për momentin këtë rekord e ndan me Ronaldon (5 secili). Do të bëjë gjithçka për të arritur i pari “Topin e Artë” të gjashtë dhe të vazhdojë dominimin te “Këpuca e Artë”. Ëndrra e tij është që të fitojë sërish 6 trofe në një sezon, diçka që e ka bërë me Guardiolën. Barcelona e atij sezoni arriti ta bënte realitet këtë gjë, ndërsa Interi me Murinjo-Benitez dhe Bajerni me Hejnkesin u ndal në kuotën e 5 trofeve brenda një sezoni.

mesi

“KAMP NOU”- Nuk varet shumë nga Mesi ky objektiv i radhës, por nga drejtuesit katalanas për të ndërtuar stadiumin e ri. Gjasat janë që ai të jetë gati në vitin 2023 dhe Mesi do të jetë 36 vjeç në atë kohë. Dëshiron që të shënojë një gol në këtë stadium. Duhen edhe 4 vite, por Leo Mesi nuk ka ndërmend që të ndalet. Katalanasit janë gati t’i ofrojnë një kontratë deri kur ai të dojë dhe kjo do të thotë se do të qëndrojë te Barcelona deri në momentin që do të vendosë t’i japë fund futbollit.

STATISTIKAT

* Lionel Mesi ka shënuar 115 gola në 11.379 minuta të luajtura në kompeticionet europiane, praktikisht një gol çdo 99 minuta të luajtura.

* Argjentinasi është përballur me 39 skuadra të ndryshme në Europë, nga 16 vende. Ai nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës vetëm ndaj 5 skuadrave: Atletiko, Benfika, Inter, Rubin Kazan dhe Udineze.

as

* Atletiko e Madridit është ekipi kundër të cilit ka luajtur më shumë dhe nuk ka arritur t’i shënojë gol në Europë: 360 minuta në kompeticionet e UEFA-s.

* Çelsi është ekipi ndaj të cilit ka luajtur më shumë minuta dhe qëndroi i pathyer për 730 minuta.

* Portieri që ka mbajtur ecurinë më të gjatë pa pësuar gol nga Leo Mesi është Zhulio Sezar (270 minuta kundër Interit).

* Viktima e preferuar e argjentinasit në Europë është Arsenali, të cilit i ka shënuar 9 gola në 447 minuta të luajtura në 6 ndeshje. Kjo do të thotë se “Pleshti” e gjente rrjetën 1 herë në 49 minuta e 40 sekonda.

* Kundërshtarët që kanë bërë më shumë rezistencë ndaj Mesit janë portugezët. Leo ka luajtur 478 minuta ndaj tyre dhe u ka shënuar vetëm 2 gola.

1

* Duke llogaritur vetëm skuadrat e 5 kampionateve kryesore në Europë, “viktimat” e preferuara të kapitenit të Barcelonës janë gjermanët. Kundër tyre, ai shënon një gol në 70 minuta e 34 sekonda, ndërsa formacionet kundër të cilave has vështirësi janë anglezet. Ai shënon një gol në 102 minuta e 8 sekonda.

* Leo Mesi ka shënuar më shumë gola në pjesët e dyta të ndeshjeve në Champions dhe kjo do të thotë se fiziku i tij vazhdon të jetë një pikë e fortë.

* Kapiteni i Barcelonës ka shënuar 12 gola me penallti në kompeticionet e UEFA-s dhe ka gabuar 3 të tjera. 2 janë pritur nga portieri i Panathinaikosit në shtatorin e vitit 2010 dhe një tjetër nga Siti në shkurtin e vitit 2015. Një penallti tjetër është ndalur në traversë në prillin e vitit 2012 kundër Çelsit.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"