Ende i bllokuar në Greqi, Luftëtari në ankth për Açkën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2020 | 22:25

Ende i bllokuar në Greqi, Luftëtari në ankth për Açkën

Luftëtari po i kthehet normalitetit. Ata po stërviten maksimalisht për të rifituar formën fizike, pas atij pushimi të detyruar. Tashmë edhe drejtuesit dhe stafi teknik janë më të qetë, pasi futbollistët e testuar për “COVID-19” rezultuan negativë. Neritan Novit, nga ana tjetër, po i plotësohet grupit dita-ditës. Bluzinjve iu bashkua edhe portieri Avernold Qyrani, i cili po kurohej për një problem me dhëmbët.
Luftetari3

E megjithatë, mungesat janë të pashmangshme. Seancat e së enjtjes nuk kishin praninë e mbrojtësit Enes Isufi dhe mesfushori Donald Açka. I pari vazhdon t’i nënshtrohet fizioterapisë në Tiranë (pas dëmtimit që mori muaj më parë), ndërsa mbetet për t’u mësuar e ardhmja e të dytit. Sikundër është bërë e ditur lojtari nuk është kthyer dot nga Greqia dhe ky fakt ka irrituar klubin, aq sa njoftuar se do ta gjobisin. Këto shqetësime nuk po e pengojnë ekipin që të angazhohet maksimalisht në fushë. Ata duan që të jeni gati për rinisjen e kampionatit dhe duhet thënë që punë kanë boll përpara.

Laci-Luftetari
Janë edhe 10 javë për t’u luajtur dhe gara pritet që të jetë jo pak e vështirë, e sidomos pas shkëputjes që i mbajti ekipet mbi 67 ditë larg fushave stërvitore. Numri një i pankinës po ndalet gjerësisht te përgatitjet me topin, për të harmonizuar lojën mes lojtarëve. Ngarkesat po vijnë në rritje dhe deri më tani lojtarët po i përgjigjen mirë çdo kërkese të trajnerit të bluzinjve. Rregulli i ri i zëvendësimeve pas pandemisë i shkon për shtat edhe Luftëtarit. Me 5 lojtarë që mund të futen nga stoli, tashmë do të kenë më shumë shans edhe të rinjtë që ta tregojnë veten.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"