Elbasani ekziston vetëm në letra, asnjë lëvizje në dy muaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2019 | 15:04

Elbasani ekziston vetëm në letra, asnjë lëvizje në dy muaj

Thonë që shpresa është ajo që vdes gjithnjë e fundit, kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet. E tillë duket situata në Elbasan, teksa prej muajsh nuk po shihet asnjë zhvillim në klub dhe ajo që i mban “gjallë” është vetëm shpresa.

Elbasani

Duket se ngërçi me aksionet dhe gjyqi me anglezët po rezulton fatal për klubin, që nuk po mundet të gjejë një zgjidhje qoftë edhe provizore, aq sa për të ndërtuar skuadrën që të marrë pjesë normalisht në kampionat. Nuk bëhet fjalë vetëm për një grup sa për formalitet, sepse klubi ka të rinjtë dhe nuk përbën asnjë problem kjo gjë, por të paktën të mos nisë kampionati duke e ditur fundin, që do të thotë se nuk do të arrinte të mbijetonte.

Në fakt, u shpresua që gjatë muajit korrik në klub do të lëvizte diçka, por nuk ndodhi asgjë dhe po bëhen më shumë se dy muaj që klubi i futbollit të Elbasanit ekziston vetëm në letra. Gjithsesi, duke qenë se në Elbasan janë mësuar me këtë situatë, pasi u bënë vite që çdo fillimkampionati kanë pothuajse të njëjtat probleme, kanë shpresa që të gjendet një zgjidhje. Të paktën, shpresat për ndërtimin e skuadrës nuk i kanë humbur akoma në Elbasan.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"