Elbasani, Dede: Me kreun kënaqim veten dhe tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2024 | 12:32

Elbasani, Dede: Me kreun kënaqim veten dhe tifozët

Elbasani për herë të parë luan një ndeshje radhe në kampionat si ekipi kryesues, pasi i rrëmbeu javën e kaluar kreun skuadrës së Bylisit. Përballë verdhebluve do të jetë Burreli, një skuadër që në kampin elbasanas është vlerësuar maksimalisht.

Dede

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Nevil Dede, kërkon të mbajë në tonus skuadrën që drejton, duke theksuar se për ta nuk ndryshon asgjë vendi i parë. Sipas tij, synimi është të përmirësohen në çdo ndeshje, për të kënaqur veten apo tifozët, si edhe përligjur investimin e klubit.

Si vjen Elbasani para ndeshjes me Burrelin?

Skuadra vjen në anën më të mirë të mundshme psikologjike, por ajo që më intereson më shumë është se jemi fizikisht mirë. Lila ka disa probleme të vogla në kavilje dhe do ta vlerësojmë këto dy ditë. Më pas, siç dihet është edhe mungesa e Karakaçit për arsye kartonësh. Pjesa tjetër e skuadrës është në rregull.

Me Burrelin keni vuajtur paksa në sfidën e kaluar, si e prisni përballjen në Elbasan?

Realisht është një skuadër që do vlerësim maksimal, jo vetëm Burreli, por çdo ekip që ne përballemi. Është e vërtetë që na vunë në vështirësi në fazën e dytë në Burrel, por djemtë treguan një karakter të tillë që mund të përballonin edhe me një lojtar më pak. Duhet të marrim parasysh faktin që dinamika e një ndeshje nga tjetra ndryshon gjithmonë. E rëndësishme është që ne të vazhdojmë me performancën e mirë dhe mbi të gjitha njerëzit të kënaqen me kontributin e lojtarëve në fushë, lojtarëve individualë, por edhe skuadrës në tërësi.

Për herë të parë këtë sezon luani një takim si kryesues, ka ndonjë dallim për ju në krahasim me javët e kaluara?

Të jem i sinqertë, besoj se siç mendoj unë mendon e gjithë skuadra, ne vazhdojmë punën tonë. Qëllimi është një dhe i vetëm, përmirësim dhe paraqitje sa më e mirë e mundshme e kësaj skuadre dhe këtyre djemve. Duke marrë parasysh faktin e CV-së tyre, karakteristikat, eksperienca që kanë në futbollin shqiptar, por edhe investimi që ka bërë presidenti dhe klubi.

Sa e vështirë do të jetë tani për ta mbajtur vendin e parë?

Këto elementë që përmenda janë ato që ne na bëjnë që ne të vazhdojmë punën. Për mua nuk do të ndryshojë asgjë, duhet të jemi me të njëjtin fokus dhe të njëjtin përqendrim. Mbi të gjitha me të njëjtën dëshirë për të kënaqur veten dhe tifozët tanë.

A ka shkuar ky Elbasan aty ku pretendon Dede, apo ka ende gjëra për të përmirësuar?

E kam thënë edhe më herët me një shprehje që e mira nuk ka fund. E rëndësishme është që ne jemi të qëndrueshëm dhe kemi vazhdimësi. Kjo është më e rëndësishmja.

elb

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"