Ekskluzive / Xhaka: Trajneri gënjen për Zvicrën, unë shqiptar ndër breza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2017 | 10:33

Ekskluzive / Xhaka: Trajneri gënjen për Zvicrën, unë shqiptar ndër breza

Një xham që thyhet, është i pamundur të ribashkohet sërish. Të tilla janë edhe marrëdhëniet njerë- zore, që duket se mjafton një deklaratë e dikujt për t’i dhënë fund një bashkëpunimi edhe disavjeçar, pa ruajtur as respekt dhe as mirënjohje për gjithçka pozitive që ka ndodhur në të shkuarën.

Të thuash që mes De Biazit dhe Xhakës do të ketë më bashkëpunim, është si të besosh se kuqezinjtë do t’ia dalin që të shkojnë në Botërorin “Rusi 2018”. Kjo nisur nga ngjarjet e fundit mes tyre, si dhe deklaratat e bëra publike nga të dyja palët.

xhaka

KRISJA

Ajo shishe e përplasur në pankinë gjatë pjesës së dytë të ndeshjes kundër Zvicrës në Europian ishte më shumë se domethënëse edhe për të ardhmen. Pas ndeshjes me Italinë, mesfushori mori vendimin për të lënë grumbullimin që u pasua me një deklaratë të teknikut se nuk kishte aureolë shenjtërie dhe se duhet të sillej si të gjithë të tjerët.

Si kundërpërgjigje, në një reagim për “Panorama Sport”, Xhaka deklaroi arsyet pse e kishte ndërmarrë këtë vendim, si dhe bëri me dije që nuk do të vinte më në Kombëtare për sa kohë të drejtohej nga De Biazi.

“THYERJA”

I ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, trajneri i Kombëtares shkoi më tej në lidhje me situatën e Xhakës. Ai komentoi mënyrën si kish zgjedhur mesfushori të luante me Shqipërinë, por duke treguar se ishte refuzuar fillimisht nga Zvicra. Në lidhje me këtë, “Panorama Sport” kontaktoi me vetë futbollistin për të mësuar të vërtetën e tij rreth kësaj deklarate.

XHAKA

I pyetur për deklaratën e trajnerit për faktin se Taulant Xhakën e kish refuzuar më parë Zvicra dhe për këtë arsye i kishte pranuar të luante me Shqipërinë, mesfushori i është përgjigjur trajnerit duke treguar identitetin e tij dhe origjinën familjare. “Është gënjeshtër! Unë të kisha pritur edhe vetëm një vit do të kishte qenë tjetër situatë ndoshta.

Megjithatë, unë gjithmonë kam dëshiruar të luaj për Shqipërinë me zëmër dhe me shpirt se jam shqiptar! Babanë dhe gjyshin i kam shqiptarë, kurse ai është italian e s’ka aspak gjak shqiptari!”, ka deklaruar Xhaka për “Panorama Sport”. Me sa duket, “xhami i thyer” mes palëve, edhe në rast se do të ketë një ngjitje artificiale dhe të jashtme, do të lërë shenjë të tillë që palët nuk do të rikthehen kurrë në marrëdhëniet e mëparshme…

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"