EKSKLUZIVE/ Tre donatorë për rikthimin e madh në elitë, klubi i Kategorisë së Parë me synime të qarta për të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2021 | 20:22

EKSKLUZIVE/ Tre donatorë për rikthimin e madh në elitë, klubi i Kategorisë së Parë me synime të qarta për të ardhmen

Në Berat kanë plane të mëdha. U bë më shumë se një muaj që nuk kanë trajner dhe as lojtarë (pasi që të gjithëve u kanë skaduar kontratat që kishin nga vjet). U premtua se do të ndërtohej një ekip më dinjitoz, për të mos e diskutuar më ngjitjen në Kategorinë Superiore.

Tomori

Në një kohë që ditët kalonin dhe projekti për sezonin 2021-2022 nuk po zbardhej, heshtja shtoi frikën dhe skepticizmin. Gjithsesi, vonesa e paska një shkak. Zyrtarizimet janë shtyrë, pasi klubi po punon për të afruar një grup të fuqishëm donatorësh.

Tratativat vazhdojnë prej ditësh dhe me të arritur akordin final, drejtuesit do të zbulojnë gjithçka për publikun e gjerë. Është vetë bashkia që po merret me këtë çështje dhe po zhvillon bisedime intensive me disa biznesmenë të njohur nga kryeqyteti, të cilët kanë shfaqur dëshirën për t’iu bashkuar grupit që ka investuar deri më tani.

Gazeta “Panorama Sport” mëson se janë tre biznesmenët nga Tirana, që duan t’i bashkohet Tomorit. Nga informacione konfidenciale mësohet se në Berat ka pasur takime me karakter informues, si nga pala e interesuar për të investuar te Tomori sezonin e ri, ashtu edhe përfaqësues nga vetë klubi dhe bashkia.

E gjithë kjo kohë është shfrytëzuar për të rritur besueshmërinë, derisa të bashkojnë forcat në një pikë: investimin e fuqishëm për ndërtimin e një ekipi për elitën.

Në Berat po e marrin shtruar, pasi duan që të “kopsitin” gjithçka deri në detaje. Koha premton, derisa më 11 shtator starton edhe kampionati i Kategorisë së Parë.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"