EKSKLUZIVE/ Torasa: Me zviceranët ndeshje shahu, mjafton një gjysmë goli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2020 | 20:58

EKSKLUZIVE/ Torasa: Me zviceranët ndeshje shahu, mjafton një gjysmë goli

Agustin Torasa është i bindur që Tirana ia del ndaj Jang Bojsit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, argjentinasi flet për të tashmen dhe të ardhmen e afërt.

Torasa

Jo vetëm kaq, por Torasa thotë se skuadra e tij nuk duhet të ketë frikë në këtë ndeshje shahu që në fund do të nxjerrë një fitues. Sigurisht kalon ai që nuk bën gabime, ndërsa për të tjerat, duhet të jenë të gjithë djemtë që sakrifikojnë në fushën e lojës.

Tirana në short ka përballë Jang Bojsin. Një skuadër shumë e vështirë që do të keni përballë në “play off”-in e Europa League-s?

Po, është një kundërshtar shumë i fortë. Normalisht dhe ndeshja është e vështirë. Në këtë moment të gjitha skuadrat apo kundërshtarët janë shumë të fortë. Po kështu e njohim edhe rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Na duhet që të japim maksimumin dhe të mos bëjmë qoftë edhe një gabim për të fituar ndeshjen.

Mund të kualifikohet Tirana në fazën e grupeve të Europa Leagues-s?

Praktikisht do të jetë një ndeshje ku brenda fushe duhet të bëjmë gjithçka në perfeksion për të mundur kundërshtarin. Kemi mundësi të kualifikohemi. Do të tregojmë veten dhe do të luajmë si në ndeshjen me Tbilisin dhe Zvezdën. Nëse luajmë në atë mënyrë dhe të mos e shohim veten inferiorë, jam i bindur që ia dalim. Ama duhet të fitojmë duke luajtur në mënyrë inteligjente.

Praktikisht, një ndeshje futbolli që kthehet në një lojë shahu mes dy ekipeve që duan grupet e Europa League-s?

Po, është e njëjta gjë. Do të jetë kështu. Asnjë nga skuadrat nuk do të rrezikojë shumë, duke luajtur në sulm. Ata kanë presionin e fushës. Për këtë jam i bindur. Madje, Jang Bojsi ka presionin më të madh. Janë ata që duhet të zgjidhin ndeshjen, sepse luajnë në fushën e tyre. Në fillim duhet të mbrojmë mirë portën tonë dhe më pas të mendojmë për sulmin.

Nëse kaloni në fazën e grupeve?

Do të jetë diçka historike për të gjithë ne, Tiranën dhe me radhë, madje edhe për Shqipërinë. E kuptojmë pozicionin që jemi. Kemi mbi shpatulla një peshë të rëndë dhe të rëndësishme. Çdo lojtar ëndërron që të jetë në pozicionin që jemi ne në këtë moment. Ama ne e kemi këtë fat dhe realisht jemi këtu. Duhet ta marrim ndeshjen me shumë përgjegjshmëri.

Si mund të fitohet kjo ndeshje që për të gjithë është shumë e vështirë, ashtu si me Zvezdën?

Thjesht duke e luajtur këtë ndeshje dhe e shijuar në fushë. Të mos mendosh që ata janë të fortë, por të japësh maksimumin. Ky është çelësi i fitores.

Një tjetër gol me hundë do të shënoni këtë herë, njëlloj siç bëtë në Tbilisi?

(Qesh) Këtë herë le ta bëj me çfarë të dua, unë apo shokët. Edhe gjysmë goli të jetë unë do të gëzoj. Në këto ndeshje, vlejnë golat e mëdhenj, por të shëmtuar. Nuk më mbetet hatri. E përsëris gjithsesi. Si fillim duhet të mbrojmë mirë portën dhe më pas të shënojmë. Jam i bindur që mund të bëjmë gjëra të mëdha.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"