EKSKLUZIVE/ Tetova: Egnatia nuk e lëshon kreun, me “demat” vlen edhe barazimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 10:22

EKSKLUZIVE/ Tetova: Egnatia nuk e lëshon kreun, me “demat” vlen edhe barazimi

Egnatia do të presë të dielën në 15:00 Partizanin në shtëpi në duelin më të rëndësishëm të javës së 31- të të Kategorisë Superiore. Rrogozhinasit do të tentojnë të rikthehen te rezultatet pozitive, ndonëse përballë do të kenë kampionët në fuqi. Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, ekskluzivisht për “Panorama Sport”, u shpreh se kundër Partizanit do të jetë e vështirë dhe lë të kuptohet se edhe një pikë do ta kënaqte. Tekniku durrsak theksoi se në qendër të mbrojtjes pritet të luajë Aleksi për shkak të mungesës të Dylis dhe Xhemajlit.

edlir tetova

Tetova, luani me Partizanin, e shikoni këtë duel si një minifinale?

Do të një ndeshje e rëndësishme dhe shumë e fortë për ne. Jemi munduar që në çdo seancë stërvitore të marrim maksimumin nga vetja për të qenë gati për këtë duel. Mendoj që do të jetë një ndeshje e luftuar që do të dhurojë emocione të bukura. Do të futemi në fushë për të bërë një ndeshje pozitive para tifozëve tanë. Jo vetëm në këtë përballje, por në çdo takim gjithçka bëhet e vështirë, pasi çdokush kërkon pikë për të arritur objektivat. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqendruar për të shfrytëzuar rastet.

Sa të vështirë jua bën këtë sfidë mungesa e tre titullarëve?

Është e vërtetë që për sfidën me Partizanin do të mungojë Dylis, Xhemajli dhe Spahiu, tre futbollistë, që kanë luajtur titullar për pjesën më të madhe të ndeshjeve që kemi zhvilluar. Në dyshim është edhe Mario Gjata, i cili ende nuk e ka kaluar plotësisht dëmtimin që ka pasur së fundmi. Pavarësisht mungesave, ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë. Kam besim maksimal te lojtarët që do të luajnë. Nuk i druhem aspak një rezultati negativ, pasi gjithmonë kërkoj të fitoj, pavarësisht kundërshtarit që kam përballë.

Do t’ju kënaqte një barazim me të kuqtë?

Për të qenë korrekt, mundohemi t’i përgatisim ndeshjet për të marrë tri pikët. Megjithatë, një barazim me Partizanin nuk është keq, pasi arrijmë të mbajmë distancën me ta. Do të futemi në fushën e lojës me dëshirën për të prodhuar një ndeshje siç na ka hije, si për të demonstruar përpjekjet tona drejt arritjes së objektivave.

Si është gjendja psikologjike e skuadrës pas sfidës me Erzenin?

Është diçka që e shkuar dhe fokusi ka kaluar i gjithi te përballja e së dielës. Skuadra është e qetë psikologjikisht dhe ka punuar mjaft mirë gjatë javës për të interpretuar si duhet 90 minutat me një nga rivalët tanë këtë sezon. Ne jemi të përgatitur për këto episode që t’i ofron futbolli shqiptar. Lojtarët e mi kanë mbi supe eksperiencën e duhur për të lënë pas këto momente.

A është kjo edhe një sfidë mes jush dhe Shehit?

Nuk e shoh sfidë personale, edhe pse ne do të mundohemi të inkurajojmë lojtarët tanë në këtë përballje. Ne jemi miq përtej fushave të blerta, por në ato 90 minuta çdo gjë harrohet.

Kush do të luajë përkrah Malotës në qendër të mbrojtjes?

Kam provuar gjatë javës Albano Aleksin, pasi edhe më parë e ka bërë këtë pozicion. Më ka dhënë sinjale pozitive, por nesër do të vendos sa i takon formacionit që do të aktivizoj kundër kryeqytetasve. Kemi tri pozicione, ku më duhet të bëj llogaritë me lojtarët që do të aktivizoj nga minuta e parë. Fatmirësisht alternativa kam, por më duhet të jem i kujdesshëm, pasi përballë do të kemi një ekip që të bën dëm në çdo moment.

A do ta ruajë Egnatia vendin e parë?

Ne do të bëjmë gjithçka për ta mbajtur vendin e parë. E kemi prioritet ta mbyllim në krye dhe do të bashkojmë forcat për të kryesuar deri në “Final 4”. Në lojë janë 18 pikë dhe gjithçka është e hapur, por Egnatia ka fatin që rivalët direkt i pret në Rrogozhinë. Ky është një avantazh për ne, por kjo nuk do të thotë që vendi i parë është i garantuar.

A mund të krijojë tentimi i dy trofeve lodhje fizike, ku rrezikoni gjithçka sa i takon trofeve?

Ne jemi këtu me meritë, sepse gjithçka e kemi arritur me mund dhe sakrificë. Nuk kemi “vjedhur” asgjë në këto 30 javë kampionat. Në kushtet ku ndodhemi, kemi të drejtën tonë legjitime për të tentuar të dy trofetë. A ndjemë lodhje?! Sigurisht që po, pasi është fundi i sezonit dhe lojtarët kanë në këmbët e tyre pafund minuta. Ne e dimë që do të jetë e vështirë, por kjo skuadër i ka shanset dhe kualitetet për t’u shkuar deri në fund Kupës dhe kampionatit.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"