EKSKLUZIVE/ Shkëlqeu këtë sezon, Kukësi nis bisedimet me mbrojtësin e Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2021 | 11:21

EKSKLUZIVE/ Shkëlqeu këtë sezon, Kukësi nis bisedimet me mbrojtësin e Laçit

Edhe pse për momentin skuadra nuk e ka gati stafin, lëvizjet dhe bisedimet paraprake në merkato kanë nisur. Emri më i fundit që ka dalë në skenë është ai i Emiljano Mustës. Mbrojtësi, i cili u largua në nisje të sezonit që sapo lamë pas nga verilindorët, iu bashkua menjëherë Laçit, skuadër me të cilën arriti edhe të zërë një vend në Kupat e Europës.

MUSTA

Fakti që elbasanasi nuk ka pasur probleme me ish-klubin e tij, madje edhe i ka vlerësuar ata pas largimit, ka bërë që marrëdhëniet të jenë të mira dhe tani po shihet mundësia që ta rikthejnë sërish në skuadër. Burimet pohojnë se kontaktet e para kanë nisur, për më tepër që për Mustën nuk bëhet dot pengesë as ekipi i Laçit, me të cilin i ka mbaruar kontrata më 31 maj.

Gjithsesi, fakti që kurbinasit janë në Europë mund të arrijnë një tjetër marrëveshje me futbollistin, të paktën për të vijuar kontributin e tij edhe për këtë kompeticion. Mirëpo, Kukësi do të ketë edhe një rival nga Kosova për të marrë shërbimet e 29-vjeçarit. Është pikërisht skuadra e Gjilanit në Superligën e Kosovës që ka shfaqur interes për mesfushorin.

Më herët, verilindorët kanë shfaqur interesim edhe për sulmuesin e Kastriotit, De Silva, si edhe për ish-futbollistin e po kësaj skuadre, Patrik Bardhi.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"