EKSKLUZIVE/ Shehu: E “mashtrova” me një gol, Lekbello më kërkonte lekët (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2018 | 0:02

EKSKLUZIVE/ Shehu: E “mashtrova” me një gol, Lekbello më kërkonte lekët (E PLOTË)

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i Partizanit, Ylli Shehu, tregon si përgatitej një derbi në diktaturën komuniste, si dhe vuajtjet e përfitimet që lojtarët kishin atë periudhë, ku bënte pjesë edhe privilegji në marrëdhëniet me femrat. Në jetën e përditshme lojtarët ishin miq, por ngacmimet ishin evidente. Mes tyre ai kujton edhe një episod me Artur Lekbellon e Tiranës.

ylli shehu

Rikthimi i derbit të kryeqytetit pas një mungese një sezonale mendoni se do ta zbukurojë më shumë Superioren?

Këtë gjë e kemi thënë edhe më përpara, pasi derbi i jep një tjetër kënaqësi kampionatit. Luajnë dy ekipe që i japin atmosferë dhe atë ditë do të jetë një gjë e bukur në Tiranë.

I përkisni një plejade që derbin e ka luajtur si lojtar edhe në kohën e diktaturës komuniste. A ka dallime në përgatitjen e këtij takimi duke ju referuar kohës së para viteve 90-të dhe tani?

Mund të them se trajneri e ka punën e lehtë në derbi se të gjithë lojtarët janë të përgatitur vetë për atë punë. Gjithsekush kërkon të japë më të mirën, pasi janë ndeshje që mbahen mend. Pra, të gjithë duan të shkruajnë historinë e tyre.

Po atmosferën si e shikoni, duke ditur se tani skenën e derbeve e kanë marrë grupimet ultrase?

Jo vetëm tani, por edhe dikur gjithë javës flitej për derbin në kryeqytet. Flitej gjatë javës edhe për ndeshje të tjera, por derbi krijonte një diskutim tjetër. Tani atmosfera bëhet më e bukur me grupimet ultras, të cilët u japin më shumë ngjyra stadiumeve me flamuj e banderola apo edhe me mënyrën e organizimit. Pastaj tani janë edhe rrjetet sociale që e bëjnë më të veçantë këtë takim.

Për lojtarët, a ishte e vështirë të përgatitej derbi në kohën tuaj?

Për ne ka qenë shumë e vështirë, pasi gjatë gjithë kohës ishim në kontakt me popullin. Ngaqë nuk kishte lokale dhe makina si tani, gjithmonë duhej të hipje në autobus për të ikur në stërvitje apo në punë. Pra, gjatë gjithë kohës ishe në kontakt me banorët e qytetit. Ne e kemi pasur më të vështirë, sidomos pas humbjeve.

A ju ngacmonin para dhe pas derbit nga pala kundërshtare?

Normal që ka pasur ngacmime. Batuta e kunjat ishin pjesë e jetës së përditshme për sportistët. Kunjat kanë qenë edhe nga ne lojtarët që ngacmonim njëri-tjetrin. Njiheshim mirë me njëri-tjetrin, pasi përveç se jetonim e punonim në një qytet, ishim edhe lojtarë të ekipit Kombëtar, pasi Tirana, Partizani, Dinamo dhe Flamurtari e Vllaznia ishin baza. Duke pasur shoqëri na pëlqente edhe që të ngacmoheshim.

Cila palë e mbante flamurin e ngacmimeve?

Partizani faktikisht ka pasur më shumë mbështetës, ndërsa Tirana në atë kohë mendohej vetëm si e vendalive. Mes lojtarëve ngacmimet ishin më shumë si shaka miqësore. Zakonisht, ne ishim edhe të një moshe. Për shembull, unë isha në një moshë me Artur Lekbellon, Krenar Alimehmetin etj. Ndërsa, brezi tjetër që i përkiste të ndjerit Arben Minga, Agustin Kola dhe Çim Muça ishin në konkurrencë me Perlat Mustën, Ilir Lamen e të tjerë. Kryesisht, kështu edhe shoqëroheshim me përafërsi brezash.

Si ish-sulmues i Partizanit mbani mend ndonjë derbi të veçantë, ku jeni gëzuar apo hidhëruar më shumë?

Derbi gjithmonë ka qenë i bukur, edhe shijoje gëzimin, por edhe hidhërimin.

Cili ka qenë mbrojtësi i Tiranës që jua ka sjellë më “ngushtë” në fushën e lojës?

Në derbi më binte që të luaja kundër Lekbellos. Në fushë ishim kundërshtar, por në jetën e përditshme ishim thuajse gjithnjë bashkë. Në shkollë kemi qenë bashkë në Politeknikum, në klasa paralele. Kemi luajtur që atëherë bashkë për të kaluar më pas tek ekipet e moshave.

Po Lekbello ju ngacmonte në fushë ose e anasjella?

Batuta hidhnin herë pas here me njëri-tjetrin në fushë, por pa e kaluar masën. Mbaj mend në një derbi kur unë po kthehesha avash-avash dhe Tirana po qarkullonte topin. Në këtë moment i them Turit (Lekbellos): Hidhe more, hidhe! Ai kujtoi se isha shok i skuadrës së tij, pasi nuk më kishte vënë re dhe ma pasoi topin. Ai më konsideroi tamam si shokun e skuadrës së tij dhe unë arrita të shënoja më pas.

Çfarë ndodhi pas ndeshjes mes jush dhe Lekbellos?

Pas ndeshjes ai afrohet dhe më thotë:  Po ti pse u tregove kaq i keq që e bëre gol?

Unë u tregova burrë e ta dhashë. Pastaj, më vonë më thoshte: Ku i ke lekët, më detyrohesh për atë gol që bëre. Pra, ai vijoi të më ngacmonte edhe më pas me këto batuta për atë gol që i shënova.

Në aspektin sportiv një lojtar e shijonte më mirë asokohe apo tani?

Njësoj është. Tani, por edhe atëherë lojtarët kishin shoqërinë e tyre dhe shijonin sipas mënyrës së tyre.

Tani duket e çuditshme, por para viteve 90-të vuhej për bazën materiale, kryesisht këpucët. Si e kujtoni atë periudhë?

Gjetja e këpucëve ka qenë vërtet e vështirë. Kur dilte ndonjë palë “adidas” i vishnim edhe një ose dy numra më të vegjël apo më të mëdhenj sesa e kishim këmbën. Ndonjëherë na dilnin këpucët nga këmbët, ngaqë i kishim më të mëdha ose na shtrëngonin se ishin më të vogla. I pranonim këto vuajtje vetëm e vetëm se ato ishin firmato.

Ku i siguronit këto këpucë firmato?

Kur luanim me ekipet kombëtare sajonim ndonjë palë këpucë. Në përgjithësi këpucët kanë qenë prodhime vendëse, prodhime të ndërmarrjes së “Mësimores”.

Shkëlqimi në derbi, a ju krijonte ndonjë përfitim ekstra?

Na respektonin shumë dhe mund të krijohej ndonjë përfitim ekstra, por gjithnjë bëhej fjalë për gjëra të vogla. Këto mund t’i përfitonte çdo njeri, por ndaj nesh bëheshin më me qejf.

Të qenurit futbollist, aq më shumë pjesëmarrës në një derbi, a ju favorizonte apo privilegjonte në marrëdhënien me femrat?

Të privilegjuar kemi qenë, por nuk është se ka pasur shumë. Pasi mungonte edhe ekspozimi mediatik. Bëhej fjalë thjesht për transmetimin e ndeshjes ditën që luhej dhe “Rubrika Sportive”.

Të kthehemi te takimi i së premtes. Mund të përsëritet historia e para 5 viteve, ku Partizani i ardhur nga Kategoria e parë fitoi derbin me Tiranën, kur dihet se tani janë bardheblutë në ato pozita?

Në derbi çdo rezultat është i pranishëm. Asnjëherë nuk ka fituar ekipi që ka qenë më mirë, madje kanë dalë kampion, por janë mundur në derbi.

Ish-kapiteni Demiri ka deklaruar se Partizani ia ka marrë dorën derbeve, ndonëse Tiran luan më mirë, në fund triumfon e kuqja…

Presidenti Gaz Demi ka pasur shumë sukses në derbi duke iu referuar kohës që ai financon ekipin. Ky është fakt tashmë, pasi me Demin Partizani ka humbur vetëm një derbi në Superiore. Madje, herë pas here i drejtohem presidentit: Sa frikë e paska Tirana këtë Partizanin tënd.

Presidenti Demi, mbase në kuadrin e batutës, ka deklaruar vetë se sa të jetë në krye të Partizanit, Tirana nuk ka për të fituar asnjë derbi…

(Qesh) Ndodh që edhe batutat kthehen në të vërtetë dhe rezultatet i japin të drejtë deri tani.

Si i shikoni dy ekipet përpara duelit të radhës, duke ditur se vijnë me ndryshime në staf dhe përbërje nga hera e fundit kur janë ndeshur?

Partizani ka një grup që kanë luajtur kryesisht së bashku edhe vjet. E njëjta gjë edhe për Tiranën, ndonëse ka qenë në Kategorinë e Parë. Por, çdo ekip ka problemet e veta. Të dyja skuadrat janë të karikuara për këtë takim. Lojtarët janë të motivuar, media bën punën e saj, atmosfera pozitive, rrjetet sociale.

Presidentët do të kërkojnë më të mirën nga skuadrat e tyre. Kështu që në këtë moment interesi është edhe më i madh. Pastaj, lojtarët janë më të motivuar në këtë javë dhe i përkushtohen më shumë futbollit, duke privuar diçka edhe nga vetja, duke lënë ndonjë shëtitje apo kafe me miqtë.

Partizani vjen me një mbrojtje solide, në krahasim me Tiranën. Mund të jetë mbrojta përcaktuese në ndeshje të tilla?

Derbin e shikoj si një lojë të hapur, duke mos u bazuar shumë te mbrojtja. Ndaj, mendoj se do të ketë gola në takimin e së premtes.

Meqë thatë do ketë gola, keni ndonjë parashikim?

Unë them ka gola, pasi tifozët do jenë të shumtë dhe ata i inkurajojnë ekipet që të shënojnë. Loja do të jetë më me ritëm dhe nuk do të jenë Partizani dhe Tirana që kemi parë deri tani në 5 javë kampionat. Pra, pres një lojë me ritëm dhe dyluftime. Parashikim nuk kam, por dihet që peshorja ime anon nga Partizani dhe këtë gjë nuk e kthej.

Mungesa e golashënuesve ka vite që është prezent në futbollin tonë, por këtë sezon kjo është më e theksuar. Si ish-sulmues, ku e shikoni zgjidhjen e këtij fenomeni?

Kjo është edhe në varësi të lojës që bëjnë ekipet, pasi kryesisht luhet më shumë në mbrojtje. Pra, angazhimi është më i madh në fazën difensive. Si duket, edhe trajnerët punojnë më shumë në fazën mbrojtëse, duke e harruar orientimin te sulmi. Është krijuar ideja, më mirë pajtohem me një pikë sesa të rrezikoj në sulm e të mbetem pa gjë. Barazimi quhet rezultat i pranueshëm tani, ndaj del në pah edhe shterpësia në sulm.

Duke ditur që është derbi i parë që organizohet me stjuartë, keni ndonjë mesazh për tifozët, në mënyrë që të mos përsëriten skenat e fillim-sezonit në Korçë?

Tifozëve u bëj thirrje që të kontrollojnë veprimet, pasi edhe ne nuk mund të shikojmë më pas derbet dhe ndeshjet e kampionatit në stadium. Nëse vazhdohet me atë frymë të dënimeve, stadiumet do të mbeten bosh. Sporti në përgjithësi luhet për tifozët, pasi ata u japin bukuri ndeshjeve. Faktikisht, derbi është më interesant edhe për mediat, jo vetëm për klubet, prej tifozëve që krijojnë ngjyra dhe atmosferë në stadium.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"