EKSKLUZIVE/ Sejdini gjykon Dinamon, “Xhaxhi” këshillon kryeqytetasit: Kujdes transfertat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 18:43

EKSKLUZIVE/ Sejdini gjykon Dinamon, “Xhaxhi” këshillon kryeqytetasit: Kujdes transfertat

Barazimi me Tomor in është lënë pas krahëve në kampin dinamovit, edhe pse mund të ketë ndonjë “peng” për faktin që skuadra nuk arriti të merrte 3 pikët. Përpara është ndeshja me Besëlidhjen, që duhet fituar me çdo kusht për vetë situatën aktuale në renditje dhe objektivin e Dinamos.

dinamo

Në fushën e saj skuadra e trajnerit Nevil Dede ka fituar bindshëm, ndërkohë që mungon fitorja jashtë fushe. Blutë kanë luajtur deri tani në dy fusha shumë të vështira, siç janë ato të Skënderbeut dhe Tomorit.

Në të dyja kanë barazuar dhe këto rezultate mund të pranohen, por në vazhdim kryeqytetasit kanë patjetër nevojë për trepikëshat e transfertave për të bërë vërtetë diferencën në Kategorinë e Parë.

BARAZIMI Edhe një nga legjendat e klubit blu, pohon pikërisht këtë gjë: duhen fitore edhe jashtë fushe. Faruk Sejdini ishte i pranishëm në stadiumin e Beratit, bashkë me legjendën tjetër Sulejman Demollari.

FARUK SEJDINI

Për “Panorama Sport”, në lidhje me ndeshjen me Tomorin, ai shprehet: “Ajo që mund të them në këtë moment është se Dinamo është në rrugën e drejtë për objektivat që ka. Në Berat ndoshta mund të merrte më shumë se barazimi, por për mënyrën si shkoi loja ai rezultat është i pranueshëm. Edhe Tomori kishte një ekip të mirë, me sa pashë. Nuk e di deri ku mund të shkojë në këtë kampionat, a do të jetë pretendent për kreun në vazhdim apo jo, por në atë ndeshje luajti fort”.

TRANSFERTAT Më tej, ish-lojtari dhe ishtrajneri i Dinamos prek edhe çështjen e transfertave: “Po dihet që një skuadër me pretendime madhore, siç është edhe Dinamo, ka nevojë edhe për fitoret jashtë fushe, sepse ato janë shumë të rëndësishme. Deri tani ka luajtur dy herë jashtë fushe dhe dy herë ka barazuar. Nuk ka asnjë fitore dhe kuptohet që diçka duhet përmirësuar në këtë drejtim. Objektivi i sezonit arrihet kur merr tri pikët edhe jashtë fushe. Besoj se Dinamo do të fitojë edhe në transferta, sepse siç e thashë që në fillim, më duket në rrugën e duhur. Të shohim tani, sepse jemi akoma në fillim të kampionatit”, ka përfunduar “Xhaxhi”, pa hyrë në detaje teknike.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"