EKSKLUZIVE/ Sadiku fiton gjyqin, Erzurumspor duhet t’i japë sulmuesit të Kombëtares shumën e majme (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2021 | 17:43

EKSKLUZIVE/ Sadiku fiton gjyqin, Erzurumspor duhet t’i japë sulmuesit të Kombëtares shumën e majme (E PLOTË)

Sulmuesi shqiptar, Armando Sadiku, fiton gjyqin në CAS ndaj klubit turk të Erzurumspor ku në 22 janar 2021 nënshkroi një marrëveshje për të prishur kontratën.

SADIKU

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht çështjen e sulmuesit në FIFA, me një gjyq që përfundoi në favor të tij me klubin turk.

Pas shqyrtimit të çështjes, CAS ka dalë ditën e djeshme me vendim në favor të Sadikut dhe brenda 45 ditëve klubi turk duhet t’i paguajë shqiptarit shumën prej 70 mijë euro plus 20% interes për vonesat.

ÇËSHTJA

Sadiku dhe klubi turk i Erzurumspor, në janar të këtij viti prishën kontratën që e lidhte lojtarin me klubin. Skuadra turke ra dakord dhe mori përsipër që t’i paguante Sadikut pjesën e mbetur të rrogës në 4 këste.

a. 60,000 euro neto deri më 10 shkurt 2021

b. 70,000 euro neto deri më 30 mars 2021

c. 60,000 euro neto deri më 30 maj 2021

d. 50,000 euro neto deri më 30 korrik 2021

Në marrëveshje përmendej se nëse klubi do të vonohej me pagesat do të ushtrohej një kamatë interesi 20%. Pas pagesës së parë, shkojmë te e dyta ku fillojnë edhe problemet.

Në 26 prill 2021 Sadiku njofton klubin se kanë dhjetë ditë kohë që të bëjnë pagesën e radhës, por klubi pas 10 ditësh i dërgon një e-mail lojtarit ku i shpjegon se klubi është në vështirësi ekonomike dhe duhet të shtyjmë afatin e pagesës

PADIA

Armando Sadiku pas 20 ditësh pritjeje vendos t’i drejtohet FIFA-s për të ngritur një padi kundër klubit ku kërkonte pagesën prej 70 mijë eurosh + 20% interes për vonesën. Një muaj më vonë klubi e çon çështjen në CAS.

Pas procedurave dhe seancave Gjykata Federale Zvicerane i dha të drejtë shqiptarit dhe klubi turk duhet t’i paguajë shumën prej 70 mijë eurosh plus 20% interes për vonesën brenda 45 ditëve ose në të kundërt do t’i bllokohet merkatoja e transferimeve deri në 3 sesione. Sadiku momentalisht është pjesë e skuadrës së Las Palmas në kategorinë e dytë në Spanjë.

PANORAMASPORT.AL

LAJMIN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"