EKSKLUZIVE/ Nga Memaliaj në ikonë e Dinamos, Mujo Targaj: Nëndetësja po mbytet, këta që e kanë marrë nuk më… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2020 | 0:21

EKSKLUZIVE/ Nga Memaliaj në ikonë e Dinamos, Mujo Targaj: Nëndetësja po mbytet, këta që e kanë marrë nuk më… (E PLOTË)

Muhedin Targajn të gjithë e njohin si Mujo Targaj. Kampion si ai, Mjeshtër i Madh, kapiten i Dinamos legjendare dhe Kombëtares sonë, një nga qendërmbrojtësit më të mirë të historisë së futbollit shqiptar.

Targa

Me numrin 4 mbi shpinë, Targaj ka qenë jo vetëm idhull i kohës kur luante në fushë, por mbetet ikonë e gjithëkohshme e futbollit shqiptar, kundërshtar i padëshirueshëm për sulmuesit. Jo shumë aktiv në media, modest po aq sa madhështor në profilin që ka gdhendur në kaq vjet të karrierës së tij sportive, Mjeshtri Muhedin Targaj vjen për herë të parë në një rrëfim të plotë ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Mjeshtër, cilat janë fillesat tuaja të futbollit?

E kam nisur në Memaliaj, duke qenë pjesë e Minatorit të atij qyteti, gjatë viteve 1970-’72. Trajneri im i parë ka qenë Karafil Çaushi, shumë i respektuar, emrin e të cilit mban sot stadiumi i Memaliajt. Jetoja në Tepelenë, por në atë kohë atje nuk kishte as fushë dhe as ekip, ndaj shkoja në Memaliaj.

Çfarë ju shtyu drejt futbollit?

Pasioni dhe dëshira. Në kohën time të gjithë luanin futboll dhe ishin të shumtë ata që merreshin edhe me sporte të tjera. E kam vuajtur pak mungesën e terreneve sportive në Tepelenë, ndaj qysh fëmijë shkoja në Memaliaj. Kishte organizime, klasa sportive, spartakiada, një frymë masive thuajse për të gjitha sportet, sidomos për futbollin.

Pastaj erdhi Dinamo. Si përfunduat aty?

Ka qenë një ndeshje midis Shkëndijës së famshme të asaj kohe, me Llaq Zërin dhe Astrit Hafizin, kundër Minatorit të Memaliajt. Skënder Jareci erdhi në atë ndeshje për të vëzhguar Vasillaq Zërin, Petrit Gjonin dhe Xhorxh Pukën. Aty më pa edhe mua dhe ishte ai, Jareci, që më tërhoqi te Dinamo.

Çfarë është Dinamo për Muhedin Targajn?

Dinamo për mua është gjithçka, është identiteti im sportiv, jeta ime futbollistike. Gjithë karriera ime është e lidhur ngushtë me këtë skuadër. Kam luajtur për 15 vjet te Dinamo, kam fituar kupa, kampionate dhe spartakiada, kam qenë për 7 vjet kapiten i ekipit që është një nga emblemat e futbollit shqiptar. Jam krenar që kam qenë pjesë e një skuadre të tillë, që i ka dhënë aq emra të shquar futbollit tonë kombëtar për vite me radhë.

muhedin targaj

Si ndiheni sot pas kaq vitesh, teksa e shihni Dinamon në këtë tatëpjetë të futbollit inferior?

E kam thënë edhe më parë. Prej vitesh Dinamo i ngjan asaj nëndetëses në mbytje e sipër. Të shkatërrohet kështu një nga ekipet më të mira të historisë së futbollit tonë, me aq trofe, është mëkat dhe dhimbje.

Superliga pa Dinamon duket e cunguar, sepse aty mungon një pjesë e rëndësishme e “arkivës” së futbollit shqiptar, një pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit, një pjesë e rëndësishme e “muzeut” të trofeve të këtij sporti. Është ekipi i dytë me më shumë tituj në Shqipëri, ndërsa sot rrezikon të bjerë në nivelin e tretë të futbollit shqiptar.

Shpresoni se mund të vijë një ditë që Dinamo të rikthehet në kohët e lavdishme?

Nuk kam as më të voglin besim. Përpara disa kohësh pata shpresa se mund të rikthehej, qoftë edhe gradualisht brenda një kohe jo shumë të gjatë, por ata që e morën më pas… S’ka nevojë për shumë komente, rezultatet flasin vetë. Dinamo aq e lavdishme, e katandisur tani në një skuadër për të ardhur keq.

Cili futbollist ka qenë kundërshtari më i vështirë për Mujo Targajn?

Në vitet ’80 ka qenë një futboll cilësor dhe të gjithë sulmuesit kanë qenë të vështirë. Nuk ishin vetëm ekipet e Tiranës me përbërje cilësore, por edhe skuadrat e rretheve kishin lojtarë shumë të mirë. Mund të përmend te Luftëtari i Gjirokastrës Sefedin Brahon dhe Luan Seitin, te Flamurtari Vasil Rucin, tek Apolonia Kujtim Majacin, te Besa Dashnor Bajazitin, te Tomori Përparim Kovaçin, te Skënderbeu Milutin Kërçiçin dhe Dhimitraq Xhambazin, te Vllaznia Roland Luçin e Luan Vukatanën, te Lokomotiva Tut Leshtenin dhe Fatmir Himën, te Labinoti Sokol Begën dhe Vladimir Tafanin etj.

Për të mos harruar që 17 Nëntori kishte Shkëlqim Muçën, Agustin Kolën dhe Arben Mingën, Partizani Agim Muratin. Ndaj futbollistëve të tillë kërkohej gjithmonë vëmendje, kujdes dhe përqendrim maksimal, sepse ishin në gjendje që në çdo moment të krijonin situata goli. Për të dalë sërish te pyetja juaj, them me sinqeritet se të gjithë kanë qenë të vështirë.

Dinamo-Partizani apo Dinamo-17 Nëntori, cili derbi ju ka shijuar më tepër?

E vështirë për të zgjedhur, pasi të dy derbit kanë pasur shije të veçantë dhe ia vlenin për t’u luajtur. Një stadium i mbushur plot e përplot, interesim nga e gjithë Shqipëria, entuziazëm dhe emocione të jashtëzakonshme.

Por do të shtoja që ndeshje plot rivalitet kanë qenë edhe ato kundër Vllaznisë, sepse kjo skuadër kishte pak a shumë të njëjtën mënyrë loje si Dinamo, me futboll të hapur, dhe të gjitha ndeshjet DinamoVllaznia kanë qenë ndër më të bukurat e atyre viteve, me shumë gola dhe rezultat të paparashikuar. Mendoj se këtë mënyrë loje te Vllaznia e injektoi Skënder Jareci, në kohën që drejtoi shkodranët.

Ku ndryshon futbolli i kohës së sotme me atë të viteve ’80?

Futbolli ecën përpara, janë kohë të ndryshme. Sot futbolli është më i shpejtë, më profesionist, tani kushtet dhe metodologjia në stërvitje janë shumë më të avancuara dhe lojtarët kanë mundësi të luajnë në çdo skuadër jashtë Shqipërisë. Me kushtet tona të dikurshme janë si dita me natën. Pasioni dhe përkushtimi ynë ka qenë shumë më i lartë mbase, kemi luajtur futboll të pastër, më me sedër, ndërsa sot ky sport është i ngarkuar me dyshime dhe akuza për ndeshje të trukuara apo të paracaktuara.

Ne, edhe kur luanim ndeshjen e kontrollit brenda skuadrës, ekipi i parë me të dytin, luanim me shpirt dhe donim të fitonim me çdo kusht. Në momente të veçanta, edhe në kohën tonë mund të bëheshin lëshime ose nënvlerësime, fjala vjen kur skuadra kishte siguruar objektivin e vet dhe i vinte keq për ndonjë ekip, por këto kanë qenë mëshirë dhe dashamirësi sportive, pa përfituar asgjë. As që bëhej fjalë për pazare dhe ndeshje të shitura.

Dhe, që ta mbyll këtë pyetje, po e ritheksoj se brezi ynë i viteve ’80, ka qenë i talentuar, që nuk vjen më në Shqipëri, por i pafat, sepse mungonin hapësirat dhe kushtet që u krijuan pas viteve ’90. Mendojeni pak sikur brezi ynë të kishte patur në atë kohë më së paku mundësinë për të luajtur me ekipe jashtë Shqipërisë!

Cili titull ju ka shijuar më tepër nga 5 kampionatet e fituara?

Ai i sezonit 1985-1986.

Pse pikërisht?

Sepse kanë qenë 3 ekipe në lojë dhe garë shumë e fortë, gjer në ditën e fundit: Dinamo, Flamurtari dhe 17 Nëntori. E kemi fituar titullin vetëm në javën e fundit, me pikë të barabarta me Flamurtarin, por me golavarazh më pozitiv ne dhe vetëm 1 pikë më shumë se 17 Nëntori i vendit të tretë.

Për këtë kampionat vlonjatët pretendojnë se ka lëshuar Luftëtari ndaj jush, madje ata hedhin dyshimin se Dinamo u dhuroi gjirokastritë këpucë “Adidas” në shkëmbim të ndeshjes. Sepse një javë para fundit, Flamurtari kryesonte me 37 pikë, ndërsa Dinamo dhe 17 Nëntori me nga 36. Komenti juaj?

Do e nis nga fundi. Nuk dua të bëj polemikë me askënd, por të them të vërtetën. Dinamo nuk luante me këpucë “Adidas”, vetëm ekipi kombëtar luante me këpucë të tilla, që na i kishin dhuruar gjermanët. Dhe lojtarë të Kombëtares nga Dinamo në atë kohë ishim vetëm dy: unë dhe Sul Demollari. Sa i përket ndeshjes, Dinamo ishte shumë më e fortë dhe shumë më e motivuar se Luftëtari. Fituam 3-0, por edhe sikur 1-0 të kishim fituar, ndërsa Flamurtari dhe 17 Nëntori barazonin 0-0 mes tyre. Luftëtari mund të mos ketë qenë shumë i motivuar, por ndeshja ka qenë korrekte dhe as që bëhet fjalë për shitje. Ajo historia e këpucëve “Adidas” është absolutisht e pavërtetë. Luftëtari ka patur fërkime me Flamurtarin edhe përpara atij sezoni, po ç’kusur ka Dinamo që Flamurtari dhe 17 Nëntori barazuan në ndeshjen e fundit dhe ne fituam e u shpallëm kampionë?

A mund të sillni për lexuesin tonë disa nga kujtimet mbresëlënëse nga karriera juaj?

Kujtimet dhe mbresat janë nga më të larmishmet. Karrierën më të mirë e kam patur te Dinamo, ku kam fituar 5 kampionate dhe 3 kupa apo edhe titullin kampion i Ballkanit me Shpresat në 1981-shin, ku kam qenë kapiten i ekipit. Pastaj në Kombëtare ka plot situata dhe mbresa që nuk shlyhen kollaj. Kemi zhvilluar një ndeshje të bukur ndaj Polonisë në Mielec, më 31 tetor 1984, ku kemi barazuar 2-2, madje kryesonim 2-1 gjer në 10 minutat e fundit. Po atë vit, më 22 dhjetor, kemi arritur një fitore të madhe, 2-0 ndaj Belgjikës, me golat e Josës dhe të Mingës.

Kanë qenë ndër vitet më të mira të Kombëtares dhe i kujtoj me nostalgji. Dhe mos harroni që Belgjika kishte dalë nënkampione Europe në 1980-ën dhe do të renditej e katërta në Botërorin e Meksikës në 1986-ën. Luanin futbollistë, si: Pfaf, Shifo, Verkauteren, Kulemans, Van der Elst, Grun etj; Polonia kishte Bonjek, Smolarek e Xhekanovskin; Greqia pati lojtarë, si: Antoniu e Saravakos etj. Ndërsa merak më ka mbetur një humbje në Finlandë më 2 shtator 1981. Ne udhëhiqnim 1-0, kam shënuar gol me penallti, por finlandezët barazuan pjesën e dytë dhe 5′ nga fundi ne pësuam edhe golin tjetër, duke humbur 1-2

Mbresat më së shumti i lidhët me Kombëtaren. Për ta shtyrë me tej argumentin, Shqipëria gjatë viteve ’70 zhvilloi vetëm 14 ndeshje, madje për 4 vjet ekipi kombëtar nuk ekzistonte…

Pikërisht edhe këto fakte interesante që përmendët ju të shtyjnë më tepër për t’i mëshuar futbollit të përfaqësueses sonë. Imagjinoni, nga viti 1973 gjer në 1980-ën, Kombëtarja jonë zhvilloi vetëm dy ndeshje miqësore, të dyja në Tiranë: barazim 1-1 me Kinën në 1973-shin dhe fitore 3-0 me Algjerinë në 1976-ën.

Izolim i pakuptimtë! Gjithë ai brez i mrekullueshëm lojtarësh i dekadës së viteve ’70 pati sakrilegjin e mungesës së Kombëtares, nuk e provuan ndjesinë e krenarisë me fanellën e kombit. Pra, na mungonte përvoja në arenën ndërkombëtare dhe, në këtë sens, rikthimi i Shqipërisë si ekip kombëtar, qe një motiv më tepër për lojtarët e viteve ’80.

ikona-770x470

Ekipi Shpresa po jepte modelin e një brezi të talentuar, duke fituar dy tituj Ballkani në ’78-ën dhe ’81-shin, pastaj eliminimi i Gjermanisë dhe Austrisë në 1983-shin, ndërthurja e futbollistëve të rinj të ardhur nga Shpresa me të tjerët me më shumë përvojë, sollën dhe një frymë pozitive dhe shumë cilësi në ekipin kombëtar, rezultate që u vunë re sidomos në eliminatoret e Botërorit “Meksikë 1986”. Për të gjithë ata me të cilët kam luajtur në ekipin kombëtar, ruaj vlerësime nga më pozitivet dhe respekt të veçantë.

Cila do të ishte këshilla e Mjeshtrit të Madh, Mujo Targaj, për futbollistët e rinj?

Punë, pasion, përkushtim, disiplinë. Talenti humbet pa elementet e mësipërme.

Ky sezon futbollistik në Shqipëri është në dilemë për një zgjidhje përfundimtare. Ju për çfarë versioni do të ishit?

Jam për futbollin e luajtur në fushë, pavarësisht kufizimeve dhe masave të rrepta për sigurinë shëndetësore. Vetëm kjo zgjidhje i bind të gjitha palët. Nëse nuk është e mundur të realizohen ndeshjet në fushë, pak rëndësi kanë zgjedhjet e tjera, sepse çdo formulë tjetër, nuk i shmang dot kontestimet dhe pakënaqësitë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"