EKSKLUZIVE/ “Nuk kishim presion nga Korça”, anësori i Skënderbeu-Flamurtari: S’e ngrita unë flamurin, Devolli e meritoi të kuqin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2020 | 22:44

EKSKLUZIVE/ “Nuk kishim presion nga Korça”, anësori i Skënderbeu-Flamurtari: S’e ngrita unë flamurin, Devolli e meritoi të kuqin (E PLOTË)

Nuk ka të mbaruar debati për Skënderbeu-Flamurtari. Edhe pse kanë kaluar 9 vite, protagonistët e asaj ndeshjeje kanë ende për të thënë. Këtë herë është Agim Guçe ai që jep variantin e tij. Ai ka qenë gjyqtar anësor në atë 90-minutësh, e megjithatë mohon të ketë ngritur flamurin. Në një rrëfim të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ish-arbitri qartëson se penalltia ishte një vendim i dhënë direkt prej kryesorit Lorenc Jemini dhe ai si arbitër linje nuk kishte kurrfarë lidhjeje.agim doci (1)

Devis Koreshi, Bledi Shkëmbi, Lorenc Jemini, Artan Sakaj, Remzi Sadiku dhe Agim Guçe para ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari Foto: F. Hazizllari

Tashmë që ka kaluar gati një dekadë e pranon se ranë pre e “dinakërisë” së Rafael Sozës, ndërsa shpjegon edhe historinë e të kuqin ndaj Bledar Devollit. “Nuk është e vërtetë që kam ngritur flamurin. Rasti i Sozës me Spahon ka qenë shumë specifik. Ka qenë një aksion shumë i shpejtë dhe reagimi i portierit Spaho me sulmuesin Soza ishte shumë dinamik. Të gjithëve ne na u duk 11- metërsh. I vetmi që ka kundërshtuar ka qenë portieri Spaho dhe unë kam qenë aty pjesë e lojës.

Vetëm ai thoshte: ‘Unë nuk e preka, nuk e preka, nuk e preka’. Të gjithë të tjerët, madje edhe pankina e Flamurtarit, nuk ka pasur ndonjë kundërshti të madhe për atë rast. Rasti ishte shumë i shpejtë. Protagonistët u përfshinë nga një shpejtësi veprimesh. Me një top të gjatë”, tha fillimisht lushnjari.

DINAKËRIA E SOZËS

Teksa shpjegon me detaje dinamikën e atij aksioni, që solli edhe penalltinë e shumëpërfolur, anësori sqaron se atij nuk i lejohej që të ngrinte flamurtarin. “Sulmuesi Soza ishte shumë dinak. Të gjithë ne ishim pre e asaj dinakërie të atij sulmuesi. Portieri Spaho ka deklaruar që asistenti Guçe ka ngritur flamurin. Nuk është e vërtetë. Mua nuk më lejohet të ngre flamurin për 11- metërsh. Ne mund të bëjmë shenjat tona profesionale. Por jo të ngre flamurin. Nuk kam qenë unë protagonist për të dhënë 11-metërshin. Nuk ka lidhje me mua fare, sepse është dhënë direkt nga kryesori.

SOZA VS FLAMURTARI

Është dhënë 11- metërsh sepse e gjithë dinamika e linte të mendonte për 11-metërsh. Prandaj Lenci tani thotë ‘unë kam gabuar’. Është thjesht pendesë e një diçkaje që ka kaluar. Në lojë është e vështirë sepse është në fragmentet e sekondës. Po ta kisha parë mirë, absolutisht që do ta kisha anuluar penalltinë që dha direkt kryesori. Po të shikoja moskontaktin, absolutisht që po. Me pa diskutim. Unë do të bëja shenjen time profesionale, për të treguar që ka diçka. Do të sqaroheshim dhe do të anulonim 11-metërshin. Është e vështirë dhe për raste të tilla sistemi VAR është zgjidhje”, deklaroi ish-gjyqtari Agim Guçe.

KARTONI PËR DEVOLLIN

Për kartonin e dytë të verdhë që iu dha ish-mesfushorit të Flamurtarit, Bledar Devolli, Guçe tha se ka qenë i merituar pas një konsulte midis tij dhe kryesorit Jemini. “Veprimi që ka kryer Devolli në episodin me Arapin ka qenë për karton të verdhë. Arsyeja e marrjes së kartonit të verdhë nuk ka qenë teknike, për ndërhyrje të rëndë apo tërheqje të fanellës. Devolli e mori kartonin e verdhë sepse pasi ndoqi Arapin, edhe pse aksioni përfundoi, donte ta shtynte, fyente dhe godiste. Kjo ishte arsyeja që Devolli u penalizua me karton të verdhë. E gjitha kjo në lojë pa top me kundërshtarin. Këtë lloj ndërhyrjeje e bëri dhe na detyroi të merrnim vendimin, unë dhe kryesori.doci (1)

Ky karton i verdhë ishte shumë i drejtë, sa edhe vetë Devolli nuk e kontestoi. Ishte koshient dhe super i qartë për atë që bëri. Për veprimin që bëri ishte i qartë. Ky veprim nuk është kontestuar nga askush. Qëlloi kartoni i dytë i verdhë, fati i tij i keq dhe doli me të kuqe, por veprimi plotësonte kriteret për karton të verdhë. Kjo është e vërteta e Devollit. Bëri ndërhyrje pa top, sepse topi doli jashtë. Ndoqi kundërshtarin nga pas dhe filloi ta godiste, ta shtynte. Edhe me fjalë ta fyente. Se si i kishin ata replikat, unë nuk e di, unë vlerësova veprimin që bëri ai. Unë vlerësoj veprimin në fushën e lojës”, sqaroi Guçe për atë episod.

NDËRHYRJA PËR KORÇËN

Ish-gjyqtari kujton se kanë qenë të qetë në Korçë dhe nuk kanë ndierë asnjë lloj presioni. “Absolutisht që nuk ka pasur presione nga Korça në drejtim të gjyqtarëve. Gjyqtarët kanë qenë të qetë, kanë drejtuar ndeshjen. Ka qenë një ndeshje shumë e bukur dhe një atmosferë shumë e bukur. Nuk ka pasur presione nga Korça për gjyqtarët”, përfundoi anësori i ndeshjes së famshme të 21 shkurtit të 2011-ës.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"