EKSKLUZIVE/ Qëndroi një muaj jashtë fushe, zbardhen prapaskenat me sulmuesin e Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2023 | 0:03

EKSKLUZIVE/ Qëndroi një muaj jashtë fushe, zbardhen prapaskenat me sulmuesin e Flamurtarit

Zbardhen prapaskenat pse sulmuesi Amos Beji Antoni shqetësoi Flamurtarin dhe qëndroi një muaj jashtë fushe. Klubi është treguar i kujdesshëm të mos japë shumë detaje në këtë periudhë, por “Panorama Sport” zbulon se sulmuesi nigerian, pak kohë më parë i është ankuar stafit për një shtrëngim në krahun e zemrës.

408797750_18007138889500540_6005861161961511340_n

Ngjarja ka ndodhur në periudhën kur Rafael Duamena i Egnatias kishte ndërruar jetë, po nga probleme kardiovaskulare. Kjo ka bërë që t’i shqetësonte të gjithë në klubin e Flamurtarit. Drejtuesit kanë urdhëruar që Beji të mos stërvitej, ndërsa lojtari nigerian u dërgua për një kontroll të specializuar në një nga klinikat e specializuara në Tiranë. Mjekët gjykuan që të bënte rezonancën, pasi dyshimet e para flisnin për probleme me zemrën. Ai u shoqërua në vizitën mjekësore edhe nga vetë ish-trajneri Emiljano Çela. Gjatë kësaj periudhe Beji është lënë pushim, ndërsa përgjigja e analizave u vonua për shkak edhe të seriozitetit të çështjes.

Megjithatë, gazeta mëson se përgjigja mbërriti pak ditë më parë dhe rezulton se Antoni Beji ka inflamancion të miokardit, pikërisht muskulit të zemrës. Mjekët i rekomanduan 1 muaj pushim, por problemi tashmë ka kaluar, ndërsa fiks pas një muaji ai mori minuta në ndeshjen e kupës me Burrelin më 6 dhjetor në Vlorë. Sulmuesi 24-vjeçar është ndër më të paguarit në skuadër dhe natyrisht, një prej afrimeve më të rëndësishme që Flamurtari bëri në merkaton e verës. Në 4 sezonet e kaluara ai ka luajtur për Bylisin e Ballshit, duke qenë njohës shumë i mirë i kampionatit. Në Shqipëri, nigeriani ka qenë gjithashtu edhe te Egnatia e Rrogozhinës në Kategorinë e Parë.

ÇFARË ËSHTË MIOKARDI Por çfarë është ajo që shqetësonte Antoni Bejin? Është një sëmundje inflamatore e indit muskulor të zemrës, e cila mund të përfshijë një pjesë, ose të gjithë zemrën, duke krijuar dëmtime në funksionin e zemrës. Miokarditi mund të jetë i lehtë ose i rëndë. Ndër simptomat kryesore të një infeksioni viral mund të përmendim: lodhje e theksuar, dobësi trupore dhe dhimbje të kyçeve. Mjekët kanë dhënë siguri që për Bejin nuk ka rrezik, ndaj i kanë dhënë leje të luajë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"