EKSKLUZIVE/ Objektivi “Superiore”! Flamurtari i bën ofertë Danilo Alveshit, braziliani: Mendoj rikthimin në Vlorë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2022 | 14:40

EKSKLUZIVE/ Objektivi “Superiore”! Flamurtari i bën ofertë Danilo Alveshit, braziliani: Mendoj rikthimin në Vlorë!

Flamurtari tenton rikthimin e Danilo Alveshit. Klubi ka hyrë në bisedime me brazilianin, ndërsa e shikon si një mundësi shumë të mirë për ofensivën.

danilo alvesh

Braziliani ka qenë pjesë e kuqezinjve në sezonet 2016-2018, ndërsa ishte një nga të preferuarit e drejtuesve të klubit dhe tifozëve. Administratori synon të ndërtojë një ekip që të sigurojë ngjitjen në elitë në vitin 2023, ndaj edhe nuk do të kursehet në merkato.

Në listën e dëshirave të mëdha ka pikërisht 31-vjeçarin.

“Panorama Sport” mëson së fundmi ka qenë vetë Sinan Idrizi që ka folur me sulmuesin. Ai i ka ofruar rikthimin, duke i thënë se derën e ka të hapur në çdo kohë në Vlorë.

Qysh prej largimit nga Flamurtari, Alvesh deri tani numëron katër klube ku ka zhvendosur aktivitetin, ndërsa eksperienca ka pasur në Kazakistan e Kore. Duhet theksuar se vlonjatët i kanë shlyer të gjitha detyrimet brazilianit.

BRAZILIANI – Edhe vetë Danilo Alvesh jep shenja rikthimi. I kontaktuar nga gazeta, ai nuk fsheh dëshirën për t’u rikthyer në Vlorë. Braziliani ndihet mirënjohës ndaj Flamurtarit, ndërsa konfirmon se klubi nuk i ka asnjë borxh.

“Patjetër që e mendoj një rikthim në Vlorë. Flamurtari ishte klubi i parë që më dha mundësinë të luaja jashtë Brazilit, në Europë. Isha shumë i lumtur në Shqipëri.

Eksperienca në Vlorë më rriti shumë si një lojtar profesionist. Flamurtarit i jam shumë mirënjohës për gjithçka. Nuk e përjashtoj një rikthim të mundshëm.

Por për periudhë kohore nuk mund të flas. Presidenti Idrizi është treguar shumë korrekt me mua. Nuk më kanë asnjë detyrim financiar.

Kam qenë ndër të parët që më kanë likuiduar. Do të rikthehesha me dëshirë”, përfundoi 31- vjeçari.

MERKATO – Në Vlorë presin shumë lojtarë me emër, edhe pse skuadra do të militojë në Kategorinë e Parë. Në klub thonë se është arritur marrëveshja paraprake me Abdurraman Fangajn, ndërsa pritet mbërritja në Vlorë e shkodranit.

Në dëshirën e Flamurtarit, janë edhe disa lojtarë të tjerë, si Mentor Mazrekaj i Laçit, braziliani i Dinamos, Jose Denison Silva dos Santos, sulmuesi i Drenicës, Kreshnik Uka. Në ditët në vijim priten zhvillime nga merkatoja vlonjate.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"