EKSKLUZIVE/ Nuk po stërvitet me ekipin, sulmuesi drejt “divorcit” me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2023 | 9:26

EKSKLUZIVE/ Nuk po stërvitet me ekipin, sulmuesi drejt “divorcit” me Flamurtarin

Elvi Berisha, drejt largimit. Prej dy ditësh, ai as nuk po përgatitet me Flamurtarin. Kjo situatë vjen fiks pas pezullimit që mori në fillim të këtij muaji. Edhe pse u duk se erdhi “paqja”, nuk po rezulton kështu.

Zhgënjeu te Tirana në Superligë, Flamurtari merr sulmuesin e bardhebluve - Shqiptarja.com

“Panorama Sport” mëson se dy ditë më parë sulmuesi ka shkuar në stërvitje, por nuk iu bashkua grupit. Ai është takuar me drejtuesit e klubit dhe vetëm sa ka diskutuar. Zërat thonë se ai po negocion “divorcin”, ndonëse palët tregohen të rezervuara. Gazeta kontaktoi dje me Berishën për t’i marrë një reagim rreth këtyre zhvillimeve, por 24-vjeçari nuk ka pranuar që të flasë. Drejtuesit as pohojnë dhe as mohojnë një largim të mundshëm të fierakut. Burime të rezervuara pranë klubit thonë se për momentin ekziston një çështje “Berisha” dhe se gjërat kanë mbetur peng i kontratës. “Do të zbatohet kontrata deri në fund”.

Kështu shprehen pranë klubit, kur pyeten për këtë temë. Gjë që në fakt e pati thënë më herët për gazetën edhe vetë Sinan Idrizi. Kujtojmë që Elvi Berisha u aktivizua si titullar ndaj Tomorit, por rezistoi vetëm 36 minuta në fushë. Në ndeshjen e javës së kaluar u aktivizuan nga stoli edhe dy të huajt, që kanë pasur të njëjtat probleme si Berisha. Duket se kjo ka qenë ndoshta edhe një provë për lojtarët e pezulluar për të marrë në fund një vendim. Gjasat janë që të kemi largime përpara janarit…

MUNGESAT – Flamurtari do ta presë Luzin me mangësi. Ka dëmtime, skualifikime dhe pezullime. Antonio Ilieski është larguar drejt Maqedonisë së Veriut, ku do të kryer operacionin për pubalgjinë. Gjithashtu nuk do të jetë i gatshëm për arsye shëndetësore Antoni Beji. Dy mungesa të tjera të rëndësishme vijnë prej kartonëve. Indio Oliveira u skuq ndaj Tomorit, ndërsa Behar Ramadani plotësoi numrin 4 të të verdhëve. Në listë shtohet ndoshta edhe Elvi Berisha. Nuk përjashtohet mundësia që numri të shtohet, kur dihet që edhe Erion Vucaj nuk është në gjendjen optimale. Ai është grumbulluar në stol javët e fundit, por nuk është gati për 11-shen për shkak të dëmtimit. Gjithashtu nuk dihet as fati i Mateos Indio dhe Aleksa Mrdja, ndonëse u duk se “i thyen akujt” ndaj beratasve.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"