EKSKLUZIVE/ “Nuk i trembem shkarkimit”, Kolela: Matondo i dënuar, Egnatia rivale direkte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2023 | 13:41

EKSKLUZIVE/ “Nuk i trembem shkarkimit”, Kolela: Matondo i dënuar, Egnatia rivale direkte

Ditën e sotme Partiza ni luan një ndeshje mjaft të rëndësishme ndaj Egnatias, pasi vjen pas tri rezultatesh negative dhe kërkohet reflektimi. Para përballjes, që luhet në stadiumin e kuq dhe nis në orën 19:00, trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, foli për “Panorama Sport”. Ai e vlerëson Egnatian si kundërshtar direkt, teksa tregon se Matondo është ende i dënuar prej vonesës në festat e fundvitit. Ai shton se nuk i druhet aspak shkarkimit, pasi tashmë është mësuar me një presion të tillë. Kolela tregon edhe për zgjedhjen e Kristian Mbasë.

KOLELA 1

Sa i kënaqur jeni nga paraqitja e skuadrës në këto dy faza të para të kampionatit?

Përjashto tri ndeshjet e fundit, sidomos atë ndaj Teutës, ku nuk ishim aspak aty ku duhet, për mendimin tim kemi bërë mjaftueshëm në këto dy faza. Mund të bënim edhe më mirë.

Keni grumbulluar 19 pikë në fazën e parë dhe 11 në të dytën. Mos ju duket një rënie e madhe nga njëra fazë në tjetrën?

Sigurisht që janë pak, krahasuar me fazën e parë. Është një mesatare shumë e ulët në krahasim me atë që bëmë në startin e kampionatit. Është një moment që duhet të ndryshojmë dhe duhet ta menaxhojmë sa më qetësisht këtë situatë.

Egnatia nuk ka ecur mirë në ndeshjet e fundit dhe së fundmi ndryshoi edhe trajnerin. Si e prisni këtë përballje ndaj tyre?

Kur një skuadër ndryshon trajner, ka një motivim të ri. Pres një ndeshje të komplikuar, sepse edhe kampionati është shumë i ekuilibruar.

I konsideroni rrogozhinasit si kundërshtar direkt në rrugën e titullit?

Po, sigurisht që i konsideroj të tillë.

Në ndeshjen e fundit ndaj tyre keni bërë një paraqitje të ngjashme me atë ndaj Teutës. Çfarë duhet të ndryshojë këtë herë?

Janë dy paraqitjet më të dobëta të këtij sezoni. Më keq se kaq nuk mund të bëjmë. Mendoj se gjërat po ndryshojnë, pa i ndryshuar ne. Është shumë më e vështirë të ndryshosh, sesa të ndërtosh.

Në ndeshjen e fundit Matondo nuk luajti titullar. Është ky një vendim teknik apo i ardhur prej vonesës së tij për festat e fundvitit?

E dhatë ju përgjigjen. Janë gjëra, që profesionistëve nuk u falen. E di që ju nuk jeni mësuar. Ai do të qëndrojë pezull, derisa unë të vendos nëse do të luajë apo jo.

Jeni skuadra e dytë me më shumë gola të pësuar në kampionat. Tani që është larguar edhe Bitri, e shihni akoma më komplekse vazhdimësinë?

Jo, sepse në ndeshjen e fundit, sipas meje, linja e mbrojtjes zhvilloi një lojë mjaft të mirë. Sigurisht që Teuta e fitoi me meritë ndeshjen dhe nuk duhet ta diskutojmë, por nuk mendoj se na kanë vënë në vështirësi dhe reparti i mbrojtjes ka punuar mirë. Bitri është një lojtar shumë cilësor, ashtu si Skuka, dhe uroj që të kenë një karrierë të madhe. Ne në skuadër kemi lojtarë, që sipas meje mund të bëjnë shumë më mirë.

Do të donit më shumë kohë për të punuar me skuadrën teknikisht, por edhe psikologjikisht?

Nuk kemi aspak kohë. Ndeshjet janë shumë afër dhe e kemi shumë të vështirë për të menaxhuar apo ndryshuar. Sigurisht, na janë larguar dy lojtarë, disa gjëra ndryshojnë, por na duhet të punojmë me qetësi.

Në Shqipëri nuk tregojnë durim me trajnerët. Ndiheni në presion para kësaj ndeshjeje, apo keni një marrëveshje të heshtur me presidentin për të punuar i qetë?

Edhe në Itali është tërësisht e njëjta gjë. Kam 33 vite që e bëj këtë punë dhe nëse do ta vuaja presionin, do të duhej të ndryshoja profesion. Nuk më intereson asgjë. Unë kam kohën time, futbolli ka kohën e vet. Sigurisht që klubi merr vendimet dhe është e drejta e drejtuesve të vendosin për të ardhmen e trajnerit. Këtë lloj presioni nuk e ndiej mbi shpinë. Është diçka normale për një trajner. Kjo punë nuk mund të bëhet pa presion. Por është e vërtetë, në disa momente kërkohet qetësi, edhe nga ana ime.

Kristian Mba është zgjedhur për faktin se mund t’u ngjajë karakteristikave të Skukës apo është një lojtar krejt ndryshe, që është gjykuar se i shërben skuadrës?

Mendoj se është e gabuar të zgjedhësh një lojtar, me mendimin se duhet t’i ngjajë atij që u largua. Çdo lojtar ka karakteristikat e tij. Larguam dy lojtarë dhe tani do të luajnë lojtarë me cilësi të ndryshme. Dhe kështu ndryshojnë edhe mekanizmat e lojës, pasi një lojtar është i ndryshëm nga tjetri.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"