EKSKLUZIVE/ “Muçit do i dalë në ëndërr ai rast, si mua penalltia”, Devi Muka: Tirana ka mundësi të shkojë në grupe, por duhet të forcojë… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2020 | 12:35

EKSKLUZIVE/ “Muçit do i dalë në ëndërr ai rast, si mua penalltia”, Devi Muka: Tirana ka mundësi të shkojë në grupe, por duhet të forcojë… (E PLOTË)

Devi Muka e sheh Tiranën në grupet e Ligës së Europës. As që e kishte menduar këtë ecuri, e megjithatë tashmë duket i bindur për kualifikimin. Drejtori i akademisë nuk ka si të mos “krenohet” me të rinjtë që po shkëlqejnë te bardheblutë, por kjo nuk e pengon që të thotë që duhen përforcime. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” 43-vjeçari, edhe pse vlerëson Ernest Muçin si shpresën e madhe të kryeqytetasve, thekson se “frenat” e sulmit nuk duhet t’i lihen vetëm atij. Nuk kishte si të mos fliste edhe për sezonin e ardhshëm, ndërsa hapur e deklaron se 25 herë kampionët e vendit do të jetë pretendentët kryesorë për titull.
devi muka
Pas disa ndeshjeve të mira në Europë dhe fatit, Tirana tashmë ka shansin që të shkojë grupe. Është “play off-i” i kalueshëm?
Mundësitë janë, duke pasur parasysh që po luhen edhe ndeshje teke. Ky është një favor shumë i madh këtë edicion. Kur janë me sistem vajtje-ardhje, bëhet gjithnjë e më e komplikuar, madje mund të tregoj një eksperiencë që e kam përjetuar edhe vetë kur luaja futboll. Kemi pasur një rast kur jemi mundur nga Nova Gorica 2- 0 në Slloveni e pastaj e kemi kthyer 3-0 në “Qemal Stafa” (korrik 2005, trajner i Tiranës ka qenë Sulejman Starova). Është një kompeticion që ofron surpriza, pasi në fund të fundit është i paparashikueshëm.
tirana
E kishte menduar Muka që Tirana do të shkonte deri këtu?
Të gjithë e dinim që Tirana kishte forca, por të them të vërtetën nuk e mendova që do të arrinte deri këtu. Këtë e them duke pasur parasysh që në grup kishte çuna pa eksperiencë, por që në fund dëshmuan se edhe ata kishin merita në këtë arritje. Dhanë një kontribut të madh lojtarë si Çelhaka apo Ismajlgeci. Që në ndeshjen e parë të Champions League ata treguan që janë pjekur dhe gërshetuar më së miri me pjesën tjetër të grupit. Të gjithë jemi të gëzuar dhe shpresojmë që historia të vazhdojë sa më gjatë të jetë e mundur në Europë. Kjo është shumë mirë për klubin, për të ardhurat e për çdo gjë.

Çfarë i duhet tani Tiranës?
Tani Tiranës i duhen përforcime. Afrimet e bëra deri më tani e treguan edhe ndaj Dinamo Tbilisit se janë të aftë. E kjo nuk është rastësi, pasi ata kanë luajtur në këto nivele edhe me Vardarin. Janë elementë të afirmuar dhe plot cilësi, por mendoj se afrime duhen edhe në sulm.
muci
A mjafton vetëm Muçi për sulmin?
Muçi është talent dhe kjo nuk ka diskutim, ndaj kemi njëfarë shprese tek ai. E megjithatë, mendoj që nuk mund t’ia lëmë tamam “frenat” e sulmit vetëm atij. Tirana duhet të shohë edhe të tjerët, si Avdijajn apo edhe ndonjë tjetër nuk do të ishte keq.

Tirana vjen pas fitimit të titullit, mendoni se edhe këtë sezon do të jetë favorite krahasuar me rivalët?

Normalisht, kështu duhet të ndodhë. Pas kësaj që u bë në Europë dhe me performancën e të rinjve që kemi në U-21 e Shqipërisë, Tirana e ka kontingjentin që të shpresojë. Unë besoj se këta të rinj që po gërshetohen me brezin e vjetër, me emra si Vangjeli, Batha apo Muça, do ta bëjnë këtë ekip sërish të frikshëm edhe për sezonin e ri. Pavarësisht se nuk kam shumë informacion se ku janë rivalët e çfarë kanë bërë, di të them ku është Tirana. Ferencvarosh mund të jetë kundërshtar i mundshëm për bardheblutë në “play off”.

TIRANA

Çfarë kujtimesh ju sjellin hungarezët? Ju ka mbetur peng ende ajo penallti që ju eliminoi nga Champions League?

Këto janë pengje që t’i lë Champions League. Edhe Muçit do t’i dalë në ëndërr gjatë gjithë jetën ai gol që nuk e bëri ndaj Crvena Zvezdës, ashtu si edhe Kobinas që shpërdori atë rast. Kështu më del edhe mua ajo penallti. Madje, në momentin që Tirana u eliminua atë ditë, e kam thënë direkt që nuk do të më ndodhte vetëm mua kjo gjë… E them me humor këtë, pasi në fund të fundit ky është Championsi. Arrin të bësh tre gola dhe nuk kualifikohesh dot.

Çfarë do t’i japë Devi sivjet Tiranës nga akademia?

Që sot janë gati 5 lojtarë, merrini emrat dhe nxirrini në gazetë (qesh). Kjo që po të them është e vërtetë. Mendoj që këtë vit kemi elementë të mirë, edhe pse dihet që nuk prodhosh dot vit, pasi edhe Tirana vetë në këto momente kërkon shumë cilësi. Dhe ai lojtar që kalon nga akademia duhet të përballojë direkt ekipin e parë. Mendoj që i riu Sefa mund të veçohet ndër të tjerë, këtë e kemi sjellë këtë vit. Është lojtar që ka lidhur kontratë. Është mesfushor, i datëlindjes 2001. Klubi ka firmosur edhe me 4-5 lojtarë të tjerë nga akademia, ndërsa 5-6 të tjerë do të angazhohen tek U-21.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"