EKSKLUZIVE/ “Mos prisni të na i bëjë golat Mërgjyshi”, Tafili nuk kursen askënd: E pafalshme të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2021 | 10:20

EKSKLUZIVE/ “Mos prisni të na i bëjë golat Mërgjyshi”, Tafili nuk kursen askënd: E pafalshme të…

Besa nuk shkoi më larg se barazimi me Lushnjën, duke i dhënë mundësi Egnatias që të nisë arratinë. Edhe pse dominuan për 45 minuta lojë dhe e mbyllën kundërshtarin në gjysmëfushë, nuk morën më shumë se një pikë. Alsid Tafili e quan të papranueshëm këtë rezultat.

Tafili Bes

Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, ai nuk i kursen kritikat për të gjithë lojtarët dhe kryesisht për ata që janë më afër sulmit. “Besoj se shumë tifozë që e kanë ndjekur ndeshjen, e panë se për 45 minuta e mbyllëm Lushnjën në portë. Por, në fund humbëm 2 pikë.

Detyra e një trajneri mbetet ta çojë ekipin te goli, por ai nuk mund të hyjë në fushë dhe të bëjë gola që duhet t’i shënojmë ne. Nuk duhet të presim të na i bëjë golat Mërgjyshi. Në ekip kemi futbollistë cilësorë që e njohin portën, si Kaina, Peqini, Lila, Hyseni, Muçaj apo Meçja dhe të mos shënosh, do të thotë se gjithë faji bie mbi ne”, u shpreh fillimisht 33-vjeçari.

DEFEKTI – Shkodrani nuk ngurron të flasë edhe për defektin që hasi në lojën e Besës. Ai evidenton që futbollistët kërkonin të hynin me gjithë top në rrjetë, duke harruar se Lushnja mbrohej me 8 lojtarë. “Sinqerisht u habita se si lojtarët tanë me gjithë atë presion që po ushtonim ne, ‘kishin frikë’ të godisnin nga distanca. E provoi Zekolli, djalë i ri dhe e patë çfarë prodhoi, një gol vërtet fantastik. Ushtruam presing nga të gjitha anët, me krosimet e Perjes e Zeqirit, por harruam se në luftën në ajër në zonë ishin 15 futbollistë.

Nëse do ishim treguar më të saktë, do të kishim fituar. I patëm rastet që në start me Lilën e më pas me Perjen, po ashtu edhe në pjesën e dytë ishte rasti ideal i qendërmbrojtësit tonë Moçi apo hezitimi i Hysenit për të goditur, që mund të kishin prodhuar tjetër rezultat. Nuk duhet ta kishim çuar lojën në atë situatë, i kishim të gjitha mundësitë. Më vjen keq jo vetëm mua, por gjithë grupit që humbëm 2 pikë, që gjithsesi nuk na largojnë nga objektivat, por na largojnë nga Egnatia.

Nga ky barazim duhet të nxjerrim mësimet e duhura. Nuk mundet më të gabojmë pasi do i largoheshim shumë Egnatias. Kjo nuk na falet. Dihet se mbi 90% e ekipeve kur kanë Besën përballë kërkojnë më shumë të mbrohen. E ne nuk duhet të bëjmë atë gabim që bëmë me Lushnjën. Mundësitë i kemi, sepse kemi lojtarë që dinë të përmbysin situata në favorin tonë. Tani thjesht duhet të shohim, diskutojmë e korrigjojmë lojën në sulm. Të mos presim vetëm nga Kaina apo Peqini, por nga i gjithë grupi. Të gjithë jemi përgjegjës”, përfundoi Tafili.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"