EKSKLUZIVE/ “Më vjen keq për Kukësin”, Brahja: Me Laçin një betejë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2023 | 13:57

EKSKLUZIVE/ “Më vjen keq për Kukësin”, Brahja: Me Laçin një betejë

Julian Brahja beson se në fund Kukësi mbije ton në elitë dhe Laçi arrin Europën. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-lojtari i të dyja ekipeve i bën një “skaner” sfidës së Kukësit ndaj Laçit në “Kukës Arena”, ku mendon se do të jetë një përballje e fortë dhe e luftuar nga të dyja ekipet në fushë.

Brahja-ne-dyluftim

Ai thekson se i vjen keq që verilindorët janë në këto pozita, ku duket se po vuajnë shumë edhe faktorin psikologjik, përpos punës së mirë që po bën Hallaçi. Sa i përket kurbinasve, sipas Brahjas, ulja në stol e Stavri Nicës ka dhënë menjëherë frytet e veta dhe jo më kot kjo skuadër ka shanse për të arritur edhe Europën.

Brahja, si po ju duket kampionati shqiptar katër javë nga fundi?
Është një kampionat i luftuar, ku gjithçka është e hapur për titullin dhe Europën. Ndërsa fundi i tabelës edhe pse luftohet për mbijetesë, mendoj se pak a shumë është e ndarë se cilat ekipe bien.

Këtë javë përballet Kukësi me Laçin, si e shihni sfidën?
Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë, që vë përballë dy ekipe me objektiva të ndryshme në këtë fundsezoni. Laçi kërkon Europën dhe Kukësi për t’u larguar nga fundi i tabelës. Më vjen keq për Kukësin që ndodhet në këto pozita.

Pse Kukësi po vuan sipas jush, duke rrezikuar edhe qëndrimin?
Kukësi po vuan fillimin e sezonit me ndërtimin e ekipit. Me ardhjen dhe largimet e shumë lojtarëve ndikoi që të mos bëhet një ekip i konsoliduar.

Sa e vështirë është edhe nga ana psikologjike për një skuadër që nuk është mësuar të jetë në këto nivele?
Me vjen keq për Hallaçin që po punon shumë mirë, pasi e mblodhi ekipin dhe bëri lojëra shumë të mira, ku fitoi shumë ndeshje. Por, shumë lojtarëve ju mungon përvoja dhe nuk e mbajnë presionin e rezultateve negative. Fakti që Kukësi ka shtatë ndeshje që nuk fiton, e ka rënduar shumë anën psikologjike të lojtarëve.

Ndërkohë Laçi shpreson Europën, mendoni se ka shanse për t’ia dalë?
Laçi po kalon një formë shumë të mirë dhe me ardhjen e trajnerit Stavri Nica ka ndryshuar shumë. Besoj se Laçi do t’ia dalë në fund të kapë Europën.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"