EKSKLUZIVE/ “Më tha brazilian i ndyrë”, mbrojtësi i Luftëtarit akuzon lojtarin e Butrintit për racizëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2022 | 13:20

EKSKLUZIVE/ “Më tha brazilian i ndyrë”, mbrojtësi i Luftëtarit akuzon lojtarin e Butrintit për racizëm

AF Luftëtari fitoi me Butrintin në frymën e fundit në ndeshjen e luajtur të dielën në Gjirokastër, ku nuk mungoi as tensioni në fushë dhe shkallët e stadiumit. Mbrojtësi braziliani i bluzinjve, Glauber Gomes dos Santos u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 84-t pas dy të verdhave.

Glauber Gomes

Në momentin më të mirë të tij, Glauber ndërhyri në mënyrë të gabuar ndaj lojtarit të Butrintit, Indrit Sejko. Deri këtu gjithçka duket në rregull, por teksa braziliani nxitoi për të lënë fushën, lojtari sarandjot nisi ta ngacmonte me fjalë ofenduese.

Këtë e tregon për “Panorama Sport” vetë Glauber, i cili ka qenë pjesë e Butrintit në Kategorinë e Parë gjatë sezonit të kaluar, ndërsa këtë verë veshi fanellën bluzi.

“Sejko më ofendoi nga motra dhe më tha: brazilian i ndyrë. E përmbajta veten, u tregova i duruar në ato momente. Unë kam qenë pjesë e Butrintit dhe ruaj konsideratat më të mira për ish-shokët e ekipit. Edhe unë gjak kam në trupin tim, por për eksperiencën dhe përvojën që kam si futbollist, nuk do ia lejoja vetes përkeqësimin e situatës në ato momentit”, rrëfen 26-vjeçari, i cili tashmë do të mungojë për bluzinjtë në transfertën e së dielës në Memaliaj.

Glauber është afruar për të blinduar repartin e mbrojtjes gjirokastrite dhe deri tani ka bërë mirë për skuadrën e drejtuar nga Arben Çoni.

RIKTHIMI – Me shumë gjasa trajneri Çoni pritet të ketë të gatshëm në takimin e radhës në Memaliaj, mesfushorin sarandjot, Stiljan Barka, i cili që pas dëmtimit të pësuar para fillimit të kampionatit, nuk ka debutuar ende me Luftëtarin.

Ashtu si Glauber, edhe ai vjen pas aktivizimit te Butrinti, bashkë me Alesio Kolonjën. Merkato u fokusua në Sarandë për vetë fakti se lojtarët e njohin mirë këtë kategori.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"