EKSKLUZIVE/ Luis Kaçorri: U dëmtova te goli, por do ta bëja përsëri. Ja kujt ia dedikova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2024 | 8:56

EKSKLUZIVE/ Luis Kaçorri: U dëmtova te goli, por do ta bëja përsëri. Ja kujt ia dedikova

Luis Kaçorri i hapi rrugën fitores së Dinamos kundër Skënderbeut. Sulmuesi gjeti golin vetëm pas 3 minutash lojë, duke larguar sadopak presionin nga skuadra, që duhej ta fitonte patjetër atë 90-minutësh.kacorri

Dhe ishte e gjitha meritë personale e futbollistit 26-vjeçar, i cili me zgjuarsi rrëmbeu topin mes dy mbrojtësve kundërshtarë dhe pastaj me dy veprime shumë të bukura teknike zhbllokoi shifrat. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Kaçorri, autor i 8 golave me fanellën e Dinamos në këtë kampionat dhe i shkëputur tashmë nga shokët e repartit, tregon fillimisht emocionet e golit dhe pastaj shpjegon edhe dëmtimin.

“Ishte një gol i bukur vërtet. U entuziazmova që shënova shpejt një gol, që më pas e bëri punën më të lehtë për skuadrën. U kënaqa po ashtu, sepse në stadium ishin edhe familjarët e mi, nëna, daja dhe gjyshja. Dedikimi është për ta, veçanërisht për gjyshen. Quhet Marte Deda dhe vjen gjithmonë në stadium për të më mbështetur, përveç rasteve kur është koha e ftohtë. Më erdhi shumë keq pastaj për dëmtimin. Ndjeva një shqetësim në rastin e golit, te zgjatja për të marrë topin. Por do ta bëja përsëri për atë gol, jo vetëm se ishte i bukur, por edhe i rëndësishëm. Ndjeva keqardhje më shumë akoma kur pashë ndeshjen, që u prodhuan aq shumë raste për shënim. Besoj do ta kisha ndihmuar më shumë skuadrën. I shkëputur nga shokët e sulmit? Nuk ka rëndësi kjo pjesë, ata mi japin golat dhe të gjithë jemi të lumtur që shënojmë për Dinamon”, ka thënë Kaçorri.

FITORJA – Sulmuesi doli në minutën e 18-të dhe pastaj kishte mundësinë ta shikonte ndeshjen si “tifoz”. Për të, Dinamo e meritoi plotësisht suksesin ndaj korçarëve.

“Për aq sa isha në fushë, por edhe nga sa pashë nga jashtë pas dëmtimit, mendoj se Dinamo e meritoi plotësisht të fitonte kundër Skënderbeut. Ishim dominues gjatë gjithë ndeshjes, krijuam shumë raste shënimi dhe mund të kishim fituar më thellë, por rëndësi ka që i morëm 3 pikët në një moment shumë delikat të kampionatit. Vinim pas disa ndeshjesh pa fitore dhe tashmë besoj se ndryshon situata edhe në moralin e ekipit”, ka shtuar sulmuesi blu.

TEUTA – Vetëm pas ditë më luhet sfida me Teutën. Kaçorri do të kryejë sot një eko për të parë shkallën e dëmtimit, me shpresën për të qenë në fushë të mërkurën, edhe pse do të jetë shumë e vështirë që të rikuperohet në kohë.

“Shpresoj të jem kundër Teutës, do të bëj çmos, por të shohim përgjigjen e ekos. Na pret një ndeshje shumë e vështirë, sepse Teuta ka ndryshuar shumë javët e fundit dhe është një kundërshtar i rrezikshëm. Megjithatë, ne besojmë se do të bëjmë mirë për të realizuar objektivin e klubit”, ka përfunduar golashënuesi më i mirë i Dinamos, Luis Kaçorri.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"