EKSKLUZIVE/ Kukësi në kërkim të një “bomberi”, gati bisedimet me klubin grek (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2018 | 22:28

EKSKLUZIVE/ Kukësi në kërkim të një “bomberi”, gati bisedimet me klubin grek (E PLOTË)

Kukësi hidhet në kërkim të një “bomberi”. Largimi i Gurit në verë ka lënë shumë boshllëk të madh në sulm. Rexhinald, edhe pse është një lojtar me mjaft vlera dhe këtë e dëshmon me 6 golat e realizuar në 13 ndeshje, nuk është një “pykë” e mirëfilltë. Sipas drejtuesve teknikë të verilindorëve, 28-vjeçari nga Mozambiku bëhet shumë më i rrezikshëm kur aktivizohet si sulmues i dytë, pasi është mjaft i zhdërvjelltë dhe ka shumë grintë, por nuk është sulmues qendre. Madje, te Luftëtari dhe Laçi, kur nuk ka luajtur në “majë”, por në pozicionin e tij natyral, ka shpërthyer, madje te kurbinasit bëri plot 19 gola. Përveç këtij fakti, Kukësit i ka lindur nevoja për një sulmues qendror, pasi veç Rexhinaldos nuk ka asnjë alternativë tjetër. (Shpehar, Melo dhe Kalaja janë mesfushorë të adaptuar si sulmues).

131735-1525153529

ALTERNATIVA – Kukësi i rikthehet pistës së Petar Kuniç. Drejtuesit nuk gjetën dot akordin në merkaton e verës me atë që konsiderohej si “sozia” e Sindrit Gurit, për shkak të pretendimeve të larta financiare që ai kishte (donte rrogë 10 mijë euro). Gazeta mëson ekskluzivisht se me largimin e Haris Harbës, klubi ka nisur kontaktet me 25-vjeçarin shtatlartë, i cili duket se nuk po përshtatet te Larisa. Në 8 takime të luajtura në Greqi, ai ka marrë 528 minuta dhe nuk ka shënuar asnjë gol, duke humbur edhe vendin e titullarit.

kunic

Duke parë situatën e lojtarit, Kukësi mund të përfitojë. Nuk ka pasur një përgjigje konkrete nga sulmuesi boshnjak, por deri në fund të dhjetorit do monitorohet situata e tij dhe nëse nuk do jetë i kënaqur në Greqi, Kukësi është një alternativë reale. Verilindorët i kanë shprehur gatishmërinë sulmuesit për të negociuar me homologët e Larisës për të rënë dakord, ose nëse vetë lojtari bie dakord me drejtuesit e klubit grek, aq më mirë për të dyja palët. Kukësi e ka ndjekur prej vitesh karrierën e sulmuesit dhe beson te aftësitë e lojtarit, ku mos harrojmë që gjatë sezonit të fundit në Bosnje ai ka bërë mirë duke shënuar 12 gola në 29 takime.

Mbetet për t’u parë se çfarë do ndodhë. Sakaq, klubi kanë shpërndarë skautë në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Belgjikë, por edhe në Shqipëri për të studiuar dy-tri alternativa për sulmin dhe mesfushën, por emrat e të cilëve nuk bëhen akoma të ditur. E sigurt është që verilindorët do afrojnë me çdo kusht një sulmues pykë dhe një mesfushor qendre.

kunic1

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"