EKSKLUZIVE/ “Kukësi dhe Partizani nuk e arritën kurrë nivelin e Skënderbeut”, rrëfimi i Marko Radas: Ja sekretet e Dajës dhe Josës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2021 | 10:46

EKSKLUZIVE/ “Kukësi dhe Partizani nuk e arritën kurrë nivelin e Skënderbeut”, rrëfimi i Marko Radas: Ja sekretet e Dajës dhe Josës

Mirel Josën dhe Ilir Dajën i konsiderojmë sot si babaxhanët e trajningut shqiptar. Jo vetëm sepse janë më fituesit e dy dekadave të fundit, por edhe sepse kanë disa të përbashkëta si trajnerë. Afërsisht në një moshë (Iliri ka lindur në vitin 1966, ndërsa Mireli në 1963) dhe fatet e tyre janë kryqëzuar shpesh gjatë viteve të fundit. Kur iku Daja nga Tirana, vendin e tij e zuri Josa. Kur iku Josa nga Skënderbeu, vendin e tij e zuri Daja. Njerëz të përkushtuar në punën që bëjnë, të drejtpërdrejtë në opinionin publik, ekspert të formimit të grupeve fituese. Dinë të mbajnë presionin, të menaxhojnë talente me kokë të nxehtë dhe mbi të gjitha dinë të fitojnë.

radas-770x446-770x446

Josa ka fituar 4 tituj me Skënderbeun dhe një me Tiranën. Daja ka fituar një titull me Elbasanin, pastaj me Dinamon dhe më pas me Skënderbeun. Të suksesshëm, por edhe argëtues me filozofitë e tyre për futbollin. “Panorama Sport”, duke përfituar edhe nga fakti që të dielën luan Kukësi i Josës dhe Partizani i Dajës kontaktoi një ish-futbollist që ka punuar me të dy trajnerët në periudhën më të mirë të tyre te Skënderbeu. Bëhet fjalë për 37-vjeçarin kroat, Marko Radas. Ish-mbrojtësi luajti për 8 sezone në Korçë, duke fituar gjithçka dhe u bërë lider. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën, Radas flet për të veçantat e Dajës dhe Josës, por gjithashtu për veten dhe përshtypjet e tij për kampionatin aktual.

Marko, shumë kohë pa folur. Ku jetoni aktualisht dhe si ka vazhduar karriera juaj, pasi këtë sezon nuk ju kemi parë të luani më te NK Rudes në Kroaci?

Po e vërtetë, u bë një kohë e gjatë që nuk kam folur për mediat shqiptare. Por, ta dini që më keni munguar, pavarësisht se gazetën “Panorama Sport” në versionin “online” e shoh çdo ditë dhe prej atje informohem për gjithçka çfarë ndodh me futbollin në Shqipëri. Unë momentalisht vijoj me futbollin, por në nivel amator dhe jo më në atë profesionist. Jam pjesë e kampionatit amator të futbollit këtu në Kroaci, ku marrin pjesë të gjithë futbollistët që kanë lënë karrierën si profesionist. Ka shumë emra të njohur, por mund t’u përmend Ivica Oliç, me të cilin jam në të njëjtën skuadër.

E keni ndjekur sadopak kampionatin shqiptar?

Të them të drejtën e kam ndjekur shumë. Mbase jo çdo javë, por sa herë kam kohë shikoj shumë ndeshje të Superiores. Jam në dijeni të situatës që po kalon futbolli në Shqipëri dhe mbi të gjitha të gjendjes së Skënderbeut.

Ju ka bërë ndonjë gjë përshtypje?

Këtë vit më bën çudi Vllaznia, që është në krye, megjithëse nuk ka emra të njohur, por më tepër djem të rinj. Po ashtu edhe fakti që shumë ekipe që ishin pretendente javë pas jave, sikur po zhgënjejnë.

Radas

Skënderbeu, ku ju fituat gjithçka, po kalon vitin më të errët të dekadës së fundit, teksa rrezikon të zbresë nga kategoria. E prisnit këtë situatë?

Të vjen keq kur e mendon, e jo më ta shikosh Skënderbeun në këtë situatë. Është një periudhë tejet delikate dhe aspak e mirë. Skënderbeu kishte krijuar një tjetër standard, por tashmë një situatë e tillë është normale, pasi kështu ndodh kur ndëshkohesh rëndë nga UEFA. Kështu është futbolli dhe vetë jeta në përgjithësi. Pa financa gjithçka merr fund… Në kohën tonë mbuloheshim nga fondet e Europës për pjesëmarrje. Pa ato, çdo ekip vuan. Këtë po e tregon edhe Skënderbeu tani. Këtë sezon më vjen keq, pasi janë kandidatë për të rënë nga kategoria, ndryshe nga disa vite më parë. Kur isha te Skënderbeu, i shihnim ekipet nga lart, ndërsa tani po i shikojnë nga poshtë. Është mëkat!

Të dielën luhet Kukësi-Partizani, dy ekipe që kanë qenë rivalë të Skënderbeut dhe tashmë drejtohen nga Mirel Josa dhe Ilir Daja. Cili mendoni se e fiton duelin mes trajnerëve kampionë që ju keni punuar në Korçë?

Pres të jetë një ndeshje e fortë, pasi janë dy ekipe që kanë investuar dhe për më tepër Partizani do titullin. Ishin rivale të denja për ne, por nuk arritën të ngjiteshin asnjëherë në nivelin e Skënderbeut. Këtë ndeshje jam i ndarë në dy pjesë: 50 me 50. Besoj se do të mbyllet në barazim, nuk shoh fitues.

Na tregoni pak të veçantat dhe ndryshimet mes Josës dhe Dajës?

Është e vështirë për mua, pasi kam punuar me të dy. Me Josën kam punuar më shumë. Për katër vite arritëm të ndërtonim një ekip shumë të fortë dhe të suksesshëm. Më pas me Dajën morëm të tjera suksese të mëdha për një sezon e gjysmë dhe ishte vërtet periudhë e bukur. Mendoj se kanë shumë ndryshime dhe pak pika të përbashkëta, por janë trajnerët më të mirë në Shqipëri. Josa është një motivues i paparë, një person i madh që di të komunikojë me lojtarët. Ndërsa Daja për mua është trajneri më i mirë i momentit.

Cili bërtiste më tepër në stërvitje dhe ndeshje?

Të dy bërtisnin në kohën kur nuk shkonte diçka apo shikonin që ndonjë gjë iu dilte jashtë kontrollit. Por, unë personalisht mendoj se Daja bërtiste më shumë. Të paktën me mua…

josa daja

Po me anën taktike kush merrej më tepër?

Pa dyshim Ilir Daja. I kushtonte vëmendje të veçantë një ndeshjeje, duke u ndalur edhe në detaje. Madje, shkonte aq larg, sa të analizonte edhe ato gjëra që kurrë nuk mund të të hyjnë në punë, por gjithsesi ai ndalej, sepse nuk donte që t’ia linte asgjë rastësisë.

Cili prej tyre bënte më tepër analiza?

Patjetër që Daja, për sa kohë është më teknik, edhe analizat janë më të shumta. Merrej me studimin e ekipit kundërshtar për ditë më radhë. Kishte një durim të paparë.

Me cilin prej tyre keni debatuar më tepër?

Më tepër me Ilir Dajën, pasi kur ka ardhur te Skënderbeu, unë kam qenë në një moshë më të madhe dhe kur ikin vitet, normalisht neglizhenca sa vjen e rritet, sidomos në ushtrimet fizike që të lodhnin.

Po më i komunikueshëm me futbollistët kush është?

Pa dyshim që Josa. Ishte mjeshtër i komunikimit dhe ndërtimit të marrëdhënieve me lojtarët. Kam kaluar katër vite me të si trajner dhe kanë qenë vitet më fantastike.

Cilën skemë preferonit më shumë, atë që përdor Josa apo Daja?

Shikoni, për mua nuk ka shumë rëndësi skema, pasi koha tregoi se të dy ishin trajnerë të suksesshëm. Megjithatë, meqë po më pyesni, po ju them se me Josën kemi qenë bashkë që në fillimet tona dhe atje është ndërtuar gjithçka, prandaj dhe ndihesha më mirë. Luanim me 4-2-3-1 dhe ishim më efektiv si grup.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"