EKSKLUZIVE/ “Kolela është i përkushtuar ndaj Partizanit”, Ylli Shehu: Skuka e dashuron portën, këtë vit do të na shijojë gjeli i detit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2022 | 21:10

EKSKLUZIVE/ “Kolela është i përkushtuar ndaj Partizanit”, Ylli Shehu: Skuka e dashuron portën, këtë vit do të na shijojë gjeli i detit

Ylli Shehu është padyshim një nga embleat e klubit të Partizanit. Ish-sulmuesi i të kuqve në vitet 1980-1990 mbahet mend nga tifozët për spektaklin, golat dhe depërtimet e tij mes mbrojtjes bardheblu.

Collage Maker-20-Dec-2022-08.39-AM

Tashmë si pjesë e akademisë së Partizanit, ku drejton skuadrën U17 të “demave”, Shehu ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” në prag të derbit që të kuqtë do të luajnë ditën e nesërme ndaj Tiranës. Sipas tij, ka ardhur momenti që Partizani të kthejë historinë e ndeshjeve të fundit në favorin e vet, teksa tregon rëndësinë e kësaj sfide. Ai flet për Skukën, por edhe për rivalët e përjetshëm bardheblu.

Si ju duket ky Partizan? Është brenda pritshmërive që kishit në fillim të sezonit?

E nisën pak keq, por me ardhjen e trajnerit të ri, ekipi ka pësuar ndryshim për mirë. Bëjnë lojë cilësore dhe e dominojnë kundërshtarin, si dhe janë të rrjedhshëm në qarkullimin e topit. Kanë pasur edhe defekte, por kryesisht kanë zhvilluar lojëra të bukura. Më pëlqen fakti se është një Partizan edhe që e mban topin, ndryshe nga e shkuara, kur nuk ka qenë kështu.

Si ju duket menaxhimi që Kolela i bën skuadrës? A keni ndonjë komunikim me të?

Trajneri (Kolela) është shumë i përkushtuar te skuadra e tij, por jo vetëm. Madje edhe neve si trajnerë të akademisë na ka kërkuar shpesh të bisedojmë për hallet, lojtarët e talentuar dhe atë çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen. Është një trajner, që i hedh sytë nga fëmijët.

A ju duket disi ndryshe në krahasim me italianët e tjerë në të shkuarën?  Është ai disi më shumë “shqiptar”?

Po është, e shoh shpesh të vijë të na shohë nëpër ndeshje. Shoh që ka një përkushtim të madh. Ndoshta ndodh nga fakti që ka punuar me moshat dhe i pëlqen të angazhohet me të rinjtë. Ne si trajnerë na ndihmon kur kemi ndonjë problem që ai mund ta zgjidhë. Herë pas here sjell edhe trajnerët dhe përgatitësit atletik të stafit të tij për të bërë ndonjë seancë me lojtarët tanë dhe për të shkëmbyer eksperienca.

Stadiumi dhe titulli, a është kjo një ëndërr e realizueshme brenda një viti?

Stadiumi është diçka shumë e bukur dhe e rëndësishme për klubin, që për vite të tëra i është dashur të luajë e të stërvitet nëpër stadiume e fusha të tjera. Presidenti na ka dhënë fjalën që do ta përfundojë deri në detajet e fundit dhe nëse bëhen fushat dhe pjesa tjetër e projektit, aty do të finalizohet një kryevepër. Do të jetë një nga komplekset më të bukura në Ballkan.

Ne aktualisht bëjmë stërvitje në stadium, ku është një ambient shumë i mirë dhe ka bazën e duhur materiale. Ndeshjet gjithashtu i bëjmë atje dhe është shumë bukur. Për momentin jemi pak më shumë ekipe seç duhet në një fushë, por kur të ndërtohen dy terrenet e tjera stërvitore, gjithçka do të jetë në vendin e duhur dhe në perfeksion. Gjithsesi jemi bashkë dhe po bëhemi afërsisht si një familje tani.

A mendoni se Partizani e ka forcën të ruajë këtë ritëm deri në fund?

Partizani deri më tani është ekipi më i qëndrueshëm, krahasuar me të tjerët. Ka bërë disa gabime, por ka reaguar shpejt dhe ka arritur të kthehet në rrugën e duhur. Shoh një atmosferë të mirë dhe përkushtim të madh, kështu që mendoj se do ta mbajnë ritmin.

A mendoni se është disi e tepërt të luhen katër derbi në një vit? Ju duken si ndeshje normale apo e kanë ruajtur magjinë?

Nuk ka rëndësi, gjithnjë kanë specifikën e tyre të veçantë. Një herë i duhet njërës fitorja, një herë është tjetra pak më dobët, pastaj është betejë mes të barabartësh. Derbin mes Tiranës dhe Partizanit të gjithë njerëzit mezi e presin.

Është një ndeshje e shumëpritur nga të dyja tifozëritë. Sidomos këto derbet që luhen përpara Vitit të Ri, janë fantastike. Besoj se këtë herë do të na shijojë gjeli i detit. Është një ndeshje që tifozëria mezi e pret dhe ju mediat i kushtoni shumë më tepër rëndësi. Tifozët janë aq të interesuar për derbin, sa e përmendnin që para ndeshjes me Kukësin. Nuk e kishin mendjen te sfida e radhës.

Skuka është një nga lojtarët aktualë, që mund ta krahasojmë disi me ju, megjithëse ai ende është larg arritjeve tuaja. Çfarë cilësie keni pasur ju që ai nuk e ka dhe e kundërta?

Skuka është një element i spikatur dhe që kur ka ardhur i ka dhënë shumë Partizanit me lojën dhe cilësitë e tij. Ka fituar një siguri te vetja, në mbajtjen e topit, në goditje. Skuka ka një dashuri të veçantë për golin dhe për portën. Ndonjëherë madje edhe e tepron, sepse dëshiron të shënojë edhe vetë. Është një lojtar shumë i mirë, plot cilësi, që e ndihmon shumë ekipin dhe me golat e tij i ka dhënë pikë të rëndësishme.

Në lidhje me krahasimin, flasim për kohëra të ndryshme. Kemi jetuar në kushte të tjera. Gjithsesi, unë mund të them se kam qenë më i shpejtë se Skuka dhe më i zhdërvjelltë me topin në këmbë. Kurse ai është më i gjatë se unë dhe luan edhe me kokë, unë nuk kisha gjatësinë e tij dhe nuk isha aq i aftë në lojën në ajër. Ka momente që Skuka tregohet shumë më i zhdërvjellët seç pritet për gjatësinë që ka, sidomos në lëvizjet në brendësi të zonës.

Sa vlerë ka ky derbi për titullin?

Kjo ndeshje do të ketë një vlerë të madhe, sepse pas saj janë disa ditë pushim për shkak të festave të fundvitit dhe më pas nis stërvitja në ditët e para të janarit. Një fitore në derbi do t’i mbante në gjendje të mirë emocionale lojtarët dhe do t’i jepte entuziazmin e duhur. Nga ana tjetër, pas disa shkëmbimesh të vendeve me njëra-tjetrën, ka edhe shansin të shkëputet. Prandaj, ky derbi duhet fituar me patjetër. Sepse vlen për të dyja këto aspekte.

Çfarë shihni një tregues që Tirana e ka më të mirë dhe një tjetër ku Partizani shkëlqen më së shumti?

Në këto ndeshjet e fundit, Tirana nuk ka treguar cilësinë që shfaqte më parë. Ata kanë lojtarë shumë të mirë, që luajnë me shpirt, edhe pse derbi nuk ka nevojë për shumë motivim. Partizani ka disa ndeshje që nuk i ka ecur mirë në derbi dhe pret me padurim të fitojë dhe këtë mund ta kthejë në avantazh. Para dy vitesh, Tirana fitoi derbin dhe nuk u ndal më.

Kurse tani, mendoj se nëse Partizani e fiton këtë derbi, do të jetë e vështirë për kundërshtarët që ta ndalojnë. Janë djem që stërviten shumë fort, janë të përkushtuar. Është një grup shumë cilësor dhe i duhet vetëm besimi, që mund t’ua japë ky derbi, për të vazhduar të jenë akoma më mirë.

Cili lojtar ju ka surprizuar më së shumti për mirë?

Jam i kënaqur me Buxhelajn, të cilin e morën nga të rinjtë, i dhanë dorën dhe ai po e justifikon këtë besim. Për këtë është edhe merita e grupit, që e ka mirëpritur në mënyrën e duhur. Trajneri gjithashtu ka merita për faktin që i ka dhënë besim dhe e ka aktivizuar.

Si ju duket atmosfera e tanishme përpara derbit në krahasim me kohën kur ju ishit në fushë?

Unë mendoj se derbi është më i bukur tani me atmosferën që bëhet. Atëherë kishte ndoshta më shumë njerëz, por tani me flamujt, me këngët, me spektaklin që dhurojnë tifozët, e bëjnë atmosferën më të zjarrtë. Gjithashtu luhet në një stadium shumë modern dhe kjo ndikon. Mua më duket shumë herë më bukur tani. Atëherë tifozët rrinin të gjithë bashkë, ndërsa tani i ke përballë njëri-tjetrit. Problemi i vetëm është që e teprojnë pak me sharjet, por edhe ato kanë lezetin e tyre, sepse në fund është një ndeshje futbolli.

Cili derbi ju ka ngelur më së shumti në mendje?

Unë kam shënuar shpesh në derbi. Kemi dalë me kokën lart, por edhe në disa raste me kokën poshtë. Atëherë ka qenë edhe më e vështirë në rastet e humbjeve. Kemi qenë akoma më shumë në kontakt me tifozët, sepse nuk kishte makina. Sot nuk njeh komshiun, kurse atëherë na dukej Tirana sikur ishim të gjithë njerëz të afërt. Çdo gjë rrotullohej pas derbit.

Një ndeshje që më kujtohet është kur humbnim në pjesën e parë 1-0 dhe më pas ka dalë Perlati (Musta) me karton të kuq. Në pjesën e dytë luante Genc Tomori në portë dhe unë shënoja për Partizanin dhe merrnim një barazim pa portier të mirëfilltë dhe me një lojtar më pak.

A ka në akademinë e Partizanit ndonjë lojtar tjetër, që është gati për ekipin e parë?

Janë disa lojtarë që trajneri Kolela i ka afruar disa herë në ndeshjet ekipit të parë dhe i ka aktivizuar herë pas here. Disa prej tyre kanë cilësi dhe mendoj se mund ta ndihmojnë në të ardhmen ekipin. Janë stërvitur me ekipin e parë dhe mendoj se trajneri dhe stafi i tij i ka në vëzhgim dhe është gati t’i japë shansin nëse ata kanë cilësinë të ndihmojnë.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"