EKSKLUZIVE/ “Kam ardhur të thyej ‘tabunë’ e trajnerëve italianë”, rrëfehet Kolela: Partizani synon titullin! Te “demat” më solli… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2022 | 21:12

EKSKLUZIVE/ “Kam ardhur të thyej ‘tabunë’ e trajnerëve italianë”, rrëfehet Kolela: Partizani synon titullin! Te “demat” më solli… (E PLOTË)

Xhovani Kolela debutoi me fitore në stolin e Partizanit në miqësoren ndaj Teutës, e zhvilluar në Durrës dhe e fituar me përmbysje me shifrat 1-2 nga “demat”. Te të kuqtë u pa një fytyrë krejt tjetër e ekipit në lojë, në krahasim me ndeshjen ndaj Bylisit. 

KOLELA

Skuadra ishte ndjeshëm më e lëvizshme dhe krijoi raste të shumta. Trajneri i ri kishte bërë disa ndryshime në formacion, që rezultuan mjaft të goditura. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, e para e tij si trajner i Partizanit, Kolela tregon përshtypjet pas ndeshjes së parë dhe nuk heziton aspak të zbulojë objektivat e të kuqve. Ai tregon se ka ardhur për titullin. Kolela shton gjithashtu se pret një sulmues nga merkatoja.

Kjo është hera e dytë që vini në Shqipëri. Kush ju propozoi për të qenë trajner i Partizanit?

Më ka kontaktuar drejtori Marini, me të cilin kam miqësi dhe njihem prej shumë vitesh.

Keni drejtuar Apoloninë, por u larguat pas vetëm 7 ndeshjesh, ndërsa tashmë jeni në një klub që ka synime madhore. Çfarë prisni të arrini te Partizani?

Këtu janë objektiva të rëndësishëm, pasi Partizani kërkon të fitojë kompeticionet ku merr pjesë, pra kampionatin dhe Kupën. Kur vjen në një klub të rëndësishëm si Partizani nuk mund të kesh objektiva të tjerë.

Në miqësoren me Teutën u panë shumë ndryshime në formacion. Së pari sa ju bindi ekipi në këtë ndeshje dhe a do të jetë ky formacioni që do të shikojmë edhe ndaj Egnatias?

Grupi i lojtarëve, sipas meje, është shumë i mirë që tani. Me shumë mundësi do të kompletohemi edhe me ndonjë afrim tjetër, por që tani mendoj se jemi një skuadër shumë e mirë. Për sa i përket formacionit me Egnatian, duhet të shikojmë gjatë javës.

Çfarë i keni kërkuar klubit sa i përket merkatos, prisni ende afrime apo jeni i kënaqur me këtë grup lojtarësh?

Më shumë mundësi do të afrojmë edhe një lojtar tjetër ofensiv, por të shohim se si do të mbyllet merkatoja.

A do të jetë Partizani pretendent për titullin?

Absolutisht që po.

Cilët shikoni si rivalët tuaj kryesorë në këtë sezon?

Më thonë që kampionati do të jetë shumë i ekuilibruar, pasi ka disa ekipe të mira, të cilat do t’i njohim më mirë gradualisht gjatë sezonit.

Ndeshjen e parë e luani ndaj Egnatias në Elbasan, çfarë prisni?

Më duhet ende ta shikoj dhe studioj kundërshtarin, por më kanë thënë që bëhet fjalë për një skuadër shumë të mirë, me lojtarë ekspertë dhe luftarakë. Kështu që pres një ekip të organizuar dhe një ndeshje të vështirë

Partizani ka pasur shumë trajnerë italianë në drejtim, por thuajse asnjëri nuk ka pasur sukses. Mendoni se do ta thyeni ju këtë “tabu”?

Nëse nuk do ta mendoja, nuk do të kisha ardhur këtu.

Keni pak kohë në dispozicion, pasi siç dihet sezoni fillon së shpejti. A është e vështirë për ju për ta përgatitur skuadrën në një kohë kaq të shkurtër?

Tashmë prej shumë vitesh trajnerët janë mësuar me situata të tilla, duke u futur edhe në mes të sezonit. Po, është e vërtetë që koha është e shkurtër, por kam gjetur një grup lojtarësh shumë të disponueshëm, shumë të mirë dhe të kujdesshëm, kështu që nuk mendoj se do të jetë një problem.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"