EKSKLUZIVE/ Ivan Gvozdenoviç nuk ka dyshime: Betejë e veçantë me Partizanin, por qëndrojmë të pamposhtur (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2024 | 8:32

EKSKLUZIVE/ Ivan Gvozdenoviç nuk ka dyshime: Betejë e veçantë me Partizanin, por qëndrojmë të pamposhtur (E PLOTË)

Skënderbeu po mbyll përgatitjet për ndeshjen me Partizanin, që do të luaj këtë të diel në Korçë. Pas një humbjeje në ndeshjen e prapambetur ndaj Dinamos, korçarët kanë nisur të mbledhin forcat për të qenë gati për këtë takim.

gvozdenovic

Ndaj Partizanit, për trajnerin Ivan Gvozdenoviç është një ndeshje mjaft e fortë, ndaj edhe për këtë fakt numri një i pankinës korçare kërkon maksimumin nga të tijtë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Skënderbeut ka kërkuar përqendrim në një ndeshje, që i ka të tria rezultatet, por që duhet interpretuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ivan, ju gjithmonë e quani një “derbi”. Sa e vështirë është ndeshja me Partizanin?

Është vërtet një derbi, të paktën për mendimin tim, pasi janë dy ekipe, që kanë histori në futbollin shqiptar. “Derbi” ishte edhe ndaj Dinamos, por kjo është e një rëndësie më të veçantë për vetë faktin se përballen dy ekipe, që për shumë vite në dekadën e kaluar i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar. Është një ndeshje e vështirë, që kërkon impenjim maksimal dhe qetësi psikologjike për të marrë më të mirën e mundshme.

Është i qetë Skënderbeu pas asaj humbje me polemika ndaj Dinamos?

Ne e kemi lënë pas ndeshjen me Dinamon dhe është diçka që ka kaluar tashmë. Që në momentin e parë pas atij takimi jemi fokusuar te ndeshja e radhës dhe jemi duke menduar vetëm për këtë. Kemi zhvilluar disa seanca dhe të shtunën do të zhvillojmë të fundit. Ekipin e kam parë të përqendruar dhe gati për të dhënë më të mirën e vet. Kjo është ajo që unë dua nga ekipi im në një ndeshje të tillë.

Si vjen Skënderbeu në këtë takim?

Jemi të qetë dhe po punojmë fort. Kemi parë disa mangësi që kemi pasur në ndeshjet e kaluara dhe do të mundohemi që t’i rregullojmë deri të dielën për të qenë gati ndaj Partizanit. Ekipi është gati dhe kam besim te grinta dhe dëshira që kanë djemtë. Të tilla ndeshje nuk duan shumë dozë motivimi, pasi lojtarët vetmotivohen.

Ju mungon Frenklin. Sa do ta vuajë skuadra?

Më vjen keq, pasi ishte duke kaluar një moment të mirë dhe po rritej në lojën e tij. Është një lojtar, që na ka ndihmuar shumë në fazën sulmuese, ndaj edhe mungesa e tij është e rëndësishme. Por te Skënderbeu nuk ka të pazëvendësueshëm, kemi 25 lojtarë dhe të gjithë janë gati për të qenë titullarë. Kemi disa alternativa për të zëvendësuar mungesën e Frenklin dhe besoj se do të bëjmë zgjedhjen më të mirë në momentin e fundit.

Skënderbeu është ekipi i vetëm që Partizani nuk e ka mundur asnjëherë në këtë sezon. A do të vijojë kjo statistikë?

Po, është e vërtetë që kemi marrë një fitore dhe një barazim ndaj tyre. Por unë nuk shkoj shumë në bazë të statistikave në futboll. Futbolli i ka të tria rezultatet, prandaj është një sport kaq i bukur. Ne jemi Skënderbeu dhe do të hyjmë në fushë për të marrë maksimumin në këtë takim pa menduar shumë për statistika.

Keni një koment për arbitrat, nisur nga ndeshja e fundit?

Nuk dua të bëj asnjë koment, unë jam trajner futbolli dhe përgjigjem vetëm që të nxjerr ekipin në fushë në mënyrën më të mirë. Nuk më takon mua të bëj koment. Të gjithë gabojmë, edhe ne trajnerët, lojtarët dhe arbitrat. E rëndësishme është që gabimet të mos jenë të stisura për të dëmtuar qëllimisht një ekip.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"