EKSKLUZIVE/ Ish-ministri socialist: Flamurtari mezi udhëtonte drejt Tiranës në ’97, na kontrollonin targat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2020 | 0:00

EKSKLUZIVE/ Ish-ministri socialist: Flamurtari mezi udhëtonte drejt Tiranës në ’97, na kontrollonin targat

Debatit për titullin ka mpion të sezonit 1996-1997 i shtohet edhe qëndrimi i ish-ministrit të Financave në atë kohë të vështirë, Arben Malaj. Ndonëse me një gjuhë eufemike, ish-deputeti i Vlorës shfaq për herë të parë ekskluzivisht për “Panorama Sport” atë që ka ndodhur në epilogun e sezonit me skuadrën vlonjate sipas këndvështrimit të tij.

arben-malaj-636x375

Zoti Malaj, duke ju falënderuar për këtë intervistë ekskluzive, së pari si është shëndeti juaj dhe si po e kaloni këtë periudhë?

Faleminderit edhe juve për intervistën! Jam dhe jemi mirë. Kemi respektuar të gjitha normat, si familje, jo thjesht për t’u mbrojtur, por edhe për të mos krijuar mbingarkesë psikologjike nga shkelja e rregullave, sepse jemi njerëz që jetojmë në komunitet, jemi familjarë dhe kemi preokupacion shoqëror. Nuk mund t’ia kalojmë dikujt tjetër riskun dhe shqetësimin. Këto nuk janë rregulla vetëm shqiptare, por të imponuara nga shumë vende të botës.

E keni ndjekur debatin në “Panorama Sport” për titullin kampion të vitit 1997?

E kam ndjekur, madje më kanë kërkuar shpesh prononcim edhe gazetarë vlonjatë… Unë e kam ndjekur sportin, edhe pse nuk kam qenë aq i përkushtuar ndaj kësaj fushe, pse ta fsheh. Ai vit, 1997-ta, ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme në të gjitha aspektet, edhe në futboll, pavarësisht angazhimit pozitiv që kemi pasur.

Gabimet e gjyqtarëve, sido që të ishin, nuk duheshin shoqëruar me ndërprerje të ndeshjes apo ca më tepër dhe braktisje të fushës, sepse Flamurtari do të kishte penalitete më të rënda nga ky qëndrim dhe mua do të më vinte shumë keq. Ja pse nuk isha tërësisht në mbështetje të atij vendimi ekstrem të Flamurtarit, pavarësisht se skuadra mund ta mendonte se po cenohej nga një gjykim i padrejtë, por isha për një reagim brenda kufijve të caktuar, jashtë emocioneve, sepse Flamurtarit mund t’i sillnin më pas më shumë penalizime nga organizmat e futbollit evropian.

Flamurtari Vito

Romeo Haxhiaj, ish-futbollist i Flamurtarit, në një intervistë për gazetën tonë, është shprehur se ka qenë pikërisht ndërhyrja juaj që e ka bindur skuadrën vlonjate për t’u rikthyer në fushë në ndeshjen vendimtare me Tiranën. Çfarë  ndodhi realisht dhe çfarë mbani mend nga ajo ndeshje?

Që të jem i sinqertë, nuk është se rikujtoj kaq shumë detaje, pasi kam pasur jo pak raste në futboll dhe në basketbollin e femrave. E them prapë: Nuk kam qenë tifoz kushedi çfarë, por më ftonin dhe unë i respektoja duke shkuar në çfarëdo ndeshjeje futbolli a basketbolli.

Me këtë episod të futbollit, në atë vit, në atë ndeshje me Tiranën, nuk e di cila mund të ishte një zgjidhje tjetër më e mirë, në kësi rastesh tipike. Kur unë angazhohesha për të ndërhyrë, sidomos në atë vit të mbrapshtë, besoj se kam ndikuar pozitivisht. Pa mendoni sikur Flamurtari të mos kthehej për vazhdimin e ndeshjes në fushë. Nëse do të ndodhte ashtu, besoj se sot nuk do ta kishim këtë debat, pasi Flamurtari mund të penalizohej me humbje aforfe dhe, ca më keq, edhe me sanksione më të rënda nga UEFA.
FLAMURTARI
Pas 23 vitesh nga ai sezon, të shkarkuar emocionalisht dhe me frymë neutrale, mendoni se Flamurtarit i është bërë padrejtësi si në kampionat, ashtu edhe në kupë?

Në atë situatë të tmerrshme të ’97-ës, Vlora ka qenë në fokusin e këndvështrimit politik, parë me sy të shtrembër nga forca politike që qeveriste, sepse nga Vlora nisën protestat e para dhe fryma e rebelimit. Kanë qenë një sërë faktorësh dhe unë jam i bindur që futbollistët vlonjatë e kanë ndier jo pak atë trysni dhe atë presion. Ishte një situatë më shumë se e vështirë. Mbaj mend që, kur niseshim për të luajtur nga Vlora për në Tiranë, në Kavajë mezi kalonim: bllokim i rrugëve, presioni, fryma kundër Flamurtarit, mënyra si shiheshin targat e Vlorës… Brezi i ri sot as që e imagjinon atë periudhë, madje i duket “fiction”… Dhe në këtë situatë, risku për të penalizuar një ekip, sidomos një Flamurtar të Vlorës, ishte i madh, edhe nëse kjo skuadër meritonte të fitonte çdo titull. Por, që të vazhdoj të mbetem i sinqertë me ju, nuk mund të them me saktësi, sepse nuk mbaj mend shumë detaje… Më kujtohet një shprehje e Çurçillit: “Mos më kërkoni të merrem me të shkuarën, sepse kam frikë se do të humbas të ardhmen”. Në këtë sens, edhe Flamurtari tani më shumë duhet të hedhë vështrimin drejt së ardhmes.

Flamurtari sot… është ekipi i fundit në Superiore; pavarësisht “matematikës” dhe nëse luhet në fushë, kjo skuadër ka pak gjasa për mbijetesë. Paçka eufemizmit tuaj, etikës dhe delikatesës fine, cili është komenti për këtë “derexhe” të kësaj skuadre?

Pavarësisht se sportin në tërësi e ndjek pak, Vlora, Flamurtari kanë qenë dhe janë në zemrën time. Asokohe, kur isha deputet dhe ministër, jam përpjekur për të plotësuar kërkesat që vinin nga pushteti vendor dhe kryetari Shpëtim Gjika. Kam ndihmuar në krijimin e qendrës stërvitore dhe të tjera nevoja që vinin si kërkesa për klubin nga pushteti lokal. Flamurtari është ikonë e Vlorës, krenari jo vetëm e atij qyteti, por e gjithë Shqipërisë. Kam pasur rastin të ndiqja në Vlorë ndeshjen Flamurtari-Barcelona në 1986-ën. Ishte hera e parë që shihja ato “kartolinat” e futbollistëve, sepse disa nga punonjësit e bankës shkuan për të bërë konvertimin e monedhave në hotelin ku qenë akomoduar futbollistët spanjollë.
flamurtari barcelona
Ju dhuruan kartolina lojtarët e Barcelonës?
Po, pasi ata nuk erdhën në bankë dhe punonjësve tanë lojtarët e Barcelonës u dhuruan poster-kartolina të çdo futbollisti të skuadrës së tyre, që për ne në atë kohë dukej e pazakonshme. E, pra, Flamurtari i Vlorës i asaj periudhe është eliminuar me vetëm dy barazime nga Barcelona, për shkak të golit të pësuar në Vlorë. Emocione të veçanta që i kam përjetuar kur unë nuk isha më shumë se 25 vjeç. Flamurtari ishte krenaria e gjithkujt. Të gjithë linin gjithçka vetëm për të shkuar në stadium në përkrahje të skuadrës.
sukaj-flamurtari
OK, por çfarë mendoni për situatën në të cilën ndodhet sot klubi?
Situata sot realisht do një zgjidhje afatgjatë. Duket se ka pengesa në skemën e financimit, por duhet qartësuar raporti i bashkisë me ekipin dhe duhet që sponsori kryesor të përcaktojë më qartë se çfarë do të ndodhë në një sezon në vijimësi. Unë mendoj se me këtë histori që ka Flamurtari, me pak promovim, mund të ishte një nga ekipet që do të kishte gjetur një hapësirë më të madhe sponsorizuese në sektorin privat dhe të strukturohej si të gjitha ekipet më moderne në botë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"