EKSKLUZIVE/ Gjyqtari i dhunuar në Kamzë, Hamiti: Më vranë, edhe Qarri më goditi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2019 | 23:49

EKSKLUZIVE/ Gjyqtari i dhunuar në Kamzë, Hamiti: Më vranë, edhe Qarri më goditi

Eldorjan Hamiti ka rënë pre e një dhune barbare në Kamzë. U dhunua nga tifozë dhe drejtues të klubit, pas një ndeshjeje që përfundoi me rezultatin 1-1.

5c7bf3de366d0816703174

Ai deklaron se nuk ka asnjë peng në ndërgjegje, sepse penalltia ishte e pastër, madje ia ka pranuar edhe vetë portieri. Por ndërkaq thotë për “Panorama Sport” se në atë fushë dje është ndierë i vrarë: fizikisht, moralisht dhe profesionalisht.

Eldorjan, si jeni tani?

Jam më mirë. Kam dhimbje në kokë dhe në qafë, por mjekët më thanë se mund të rri në shtëpi.

A u qetësuan familjarët?

Po si mund të qetësohen kur të shohin ashtu “live” në televizor. Ishte padrejtësi e madhe, ishte një maskaradë. Unë kam gruan shtatzënë dhe një djalë të vogël 5 vjeç. E kuptoni ju, çfarë kanë përjetuar ata sot (dje) së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes?

5c7bf3de68c0a002623946

Çfarë ndodhi në Kamzë, pse gjithë ajo dhunë?

Nuk e di çfarë ndodhi. Kush e ka parë ndeshjen, le të gjykojë vetë. E kam ndërgjegjen të pastër, sepse nuk i hëngra hakun askujt dhe nuk bëra asnjë gabim


Pse mendoni se u revoltua aq shumë Kamza?

Nuk e di, nuk i jap dot një shpjegim logjik

Mos ndoshta tek aksioni i fundit që solli edhe penalltinë patën pretendime për faktin që ishin dy topa në fushë?

E kanë gabim pra, nëse mendojnë kështu. Topin në fushë e hodhën vetë kamzalinjtë dhe ai top nuk u përfshi as në aksion dhe as në dinamikën e ndeshjes. Jo gjithnjë mund të ndërpritet ndeshja kur hidhet një subjekt i palejuar në fushë, kur ai nuk ndikon në aksion. Topi nuk ishte as afër që të ngatërronte lojtarët. Por këto janë çështje teknike. Nuk ka argument që e justifikon atë sjellje barbare. Nëse u mërzitën për një top, atëherë po ua çoj unë dhjetë topa dhuratë dhe le t’u bien gjithë ditën… Po u çoj edhe gjithë fisin që të merremi vesh siç e meritojnë ata… Më vranë more në fushë, e kupton apo jo? Më gjuajtën si mundën, sa mundën, me çfarë kishin në dorë.

Ku ju kanë dëmtuar?

Pas kokës, në anën e majtë të fytyrës dhe më kanë thyer edhe hundën. Edhe në krah kam hematoma. A keni pasur probleme të mëparshme me Kamzën ose drejtuesit e saj? Asnjëherë. Unë kam qenë edhe në ndeshjen e parë, kur Laçi fitoi 2-1. Nuk pati asnjë problem

Po me Qarrin, çfarë ndodhi?

Qarri më goditi. Erdhi aty dhe fillimisht bëri sikur po më mbronte, pastaj më goditi.

A patët ndonjë kontakt me të para se të niste dhuna?

Erdhi në pushim të ndeshjes dhe na foli ne gjyqtarëve

Çfarë ju tha?

Na tha, ‘Mbajeni drejt. Dua drejtësi’.

Po ju çfarë i thatë?

I thamë që drejt e kemi mbajtur. I fola vetë dhe i thashë më thuaj çfarë ke parë ndonjë gjë që nuk shkon. ‘Jo, jo – tha ai -, por mbaje drejt. Kaq, edhe iku.

Po pse gjithë ai skandal në fund?

Nuk e di. Sinqerisht nuk e di. Por tani dëmi u bë. Qarri më pas u bë iniciatori i asaj dhune.

A ju ka ndodhur më parë një situatë si kjo?

Shikoni, unë prej vitesh punoj si menaxher marketingu në një kompani. Natyrisht, kam gabuar dhe do gaboj sepse këtë profesion kam. I kam marrë parasysh edhe ata që flasin në studio sipas oreksit apo sipas atyre që kanë mbi kokë, por nuk jam përzier ndonjëherë në muhabete kafenesh apo në punë të tjera. Nuk jam as ndonjë frikacak, që pas ndonjë ndeshjeje të fshihem dhe të mos dal. Përpiqem të bëj më të mirën kur jam në fushë dhe kaq. Por le të dalë dikush edhe të më thotë se çfarë tendence panë dje dhe ku gabova…

Tani që jeni pak më i ftohtë, a do ta kishit dhënë atë penallti sërish?

Patjetër që po. U bënë gjashtë ndërrime dhe me rregullore i takonin 3 minuta. Pastaj, hyri dy herë mjeku, plus edhe vonesa të tjera të stërzgjatura, vendosa që të mos ia ha hakun askujt dhe akordova 5 minuta. Penalltia u dha brenda pesëminutëshit.

A ishte penallti?

Pa dyshim që po. Madje, po ju them se portieri i Kamzës erdhi menjëherë edhe më kërkoi t’i kurseja kartonin e verdhë se e kishte të katërtin. Nuk më tha se nuk kishte bërë faull. Këtë u thashë edhe lojtarëve të Kamzës kur erdhën të protestonin: pyesni shokun tuaj portierin nëse kam të drejtë apo jo.

Po çfarë ju thoshin në momentet e fundit?

Asgjë fare. Thjesht erdhën më goditën dhe kaq. Më vjen keq, sepse unë e dashuroj këtë sport, e dashuroj këtë profesion. Unë nuk jam legen rrugësh që të kem frikë të pranoj edhe kur gaboj. Por dje nuk bëra asgjë.

JETMIR HALILAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"