EKSKLUZIVE/ Gati për gjyq, Shehi çon Tiranën në Federatë. Në pritje është akoma… Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2023 | 23:44

EKSKLUZIVE/ Gati për gjyq, Shehi çon Tiranën në Federatë. Në pritje është akoma… Partizani

Orges Shehi ndërmerr hapa konkretë në drejtim të Tiranës. Trajneri i pezulluar i bardhebluve ka dorëzuar në FSHF dhe për Tiranën një shkresë njoftuese. Trajneri i shkarkuar apo i pezulluar, dhe kjo varet nga interpretimi që i bëjnë situatës palët, ka kërkuar zbatimin korrekt të kontratës dhe detyrimeve.

SHEHI Tirana

Një lëvizje kjo që pritej nga trajneri, i cili qëndron i emëruar në krye të bardhebluve, ndonëse është i pezulluar nga puna. Tirana, nga ana e saj, pritet të përmbushë kontratën mes palëve, pasi e ka detyrim ose do ta kalojë në heshtje.

PËRPLASJA – Tirana dhe Orges Shehi janë në një marrëdhënie dhe nëse njëra palë nuk përmbush kontratën, atëherë shkallët e veprimeve mund të jenë të ndryshme si nga njëra dhe tjetra palë.

Nga ana e trajnerit mund të ketë një vendim për kalimin e çështjes në gjyq për të prishur kontratën që ka me KF Tiranën për mospërmbushje detyrimesh.

Edhe KF Tirana mund të kërkojë prishjen e kontratës. Në fund, dhe më e logjikshmja është që Tirana dhe Orges Shehi mund ta mbyllin bashkëpunimin me marrëveshje, pa shkuar nëpër gjyqe, por kjo është në dëshirë të palëve.

ÇFARË NDODHI – Tirana pas sfidës me Laçin pezulloi Orges Shehin. Krisja mes klubit Tirana dhe Orges Shehit kishte kohë dhe nuk ishin dy humbjet me Erzenin e Laçin. Akulli mes palëve nisi që kur Orges Shehi donte të largohej nga Tirana në fund të sezonit të shkuar.

Shehi qëndroi, me Tiranën që i plotësoi kushtet financiare dhe i premtoi një skuadër fituese. Klubi, ama, nuk i mori lojtarët që donte Shehi, por drejtuesit e ndërtuan vetë ekipin, sipas filozofisë së tyre. Më pas erdhën disa përplasje në heshtje, por nuk pati dorëheqje nga trajneri. Pas dy rezultateve të dobëta erdhi pezullimi i famshëm.

PARTIZANI – Duam apo nuk duam, tashmë është pothuajse zyrtar pëlqimi i të kuqve për Orges Shehin. Gazeta mëson se Partizani e do me ngulm Orges Shehin si trajner të vetin. Për këtë qëllim klubi nuk po emëron trajner tjetër, pas largimit të Zoran Zekiçit. Shehi pëlqehet nga Gaz Demi, Olsi Rama dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të ekipit, të cilët e duan në krye të Partizanit.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"