EKSKLUZIVE/ “Garën e kemi me veten”, Dede: Në sport s’ka hakmarrje, Elbasani tregon se kush është kundër Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2024 | 8:56

EKSKLUZIVE/ “Garën e kemi me veten”, Dede: Në sport s’ka hakmarrje, Elbasani tregon se kush është kundër Flamurtarit

Elbasani do të presë të dielën në shtëpi Flamurtarin, në një ndeshje midis dy skuadrave të traditës, që kanë synim Superioren.

Dede

Verdheblutë vijnë në këtë përballje me një moral më të lartë, pasi kanë fituar dy ndeshjet e para të vitit dhe ndihen disi më komodë në klasifikim. Trajneri Nevil Dede në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj sfide, beson te gjendja optimale në të cilën vjen skuadra dhe eksperienca e djemve.

“Morali është i duhuri, duke treguar edhe karakterin që fituam në një fushë të vështirë si Burreli, ku realisht shumë pak skuadra mund të dalin fituese aty. Më shqetëson mungesa e Grecës dhe të shpresojmë që të rikthehet sa më parë me grupin dhe kartoni i kuq i Peres. Problematika ka edhe Kasa, por të gjitha këto besoj që grupi edhe djemtë kanë mundësinë për të mbyllur çdo boshllëk me kapacitetet dhe eksperiencën që kanë”, u shpreh fillimisht tekniku kryeqytetas i Elbasanit.

REVANSHI – Flamurtari i ka mundur në ndeshjen e kaluar në Vlorë, por Dede nuk shikon si “hakmarrje”, por kërkon fitore edhe për tifozët.

“Fjala revansh apo hakmarrje nuk shkon në sport. Në çdo përballje që kemi ne mundohemi mbi të gjitha të tregojmë se cilët jemi. T’u tregojmë tifozëve tanë që ne përmirësohemi çdo ditë dhe jemi me meritë aty ku jemi”, vijoi Dede.

Sa i përket situatës që po kalon kundërshtari, tekniku verdheblu pohon se nuk ka shumë rëndësi kjo, pasi në Elbasan të gjithë motivohen, edhe kur duket se kanë problematika.

“Në qoftë se në një ambient sportiv flitet për një investim serioz, me qëllime afatgjata të klubit tonë, atëherë çdo skuadër ka një motivim ekstra. Përpos kësaj, të mos harrojmë faktin që numri i madh i tifozëve tanë, qyteti dhe stadiumi ynë, bën çdo kundërshtar që të japë mbi maksimumin e tij. Është një motiv për të kënaqur njerëzit dhe ata do të vijnë për të dhënë më të mirën e tyre, nuk ka rëndësi se çfarë problematikash kanë”, pohoi Nevil Dede.

GARA – Aktualisht diferenca me Flamurtarin është 10 pikë dhe një fitore e verdhebluve e thellon edhe më shumë, por Dede nuk bën llogaritë e kundërshtarit që mund të dalë jashtë gare.

“Ne garën e kemi me veten dhe zhvillimet e skuadrës tonë. Kampionati është një maratonë e gjatë ku ka pengesa. Ka raste që nuk i kalojmë ashtu siç duhet, por në fund fare duam të vërtetojmë që ne po bëjmë mirë dhe është një klub që po zhvillohet dhe ndërtohet. Një skuadër që është në formim do kohën e saj. Çdo projekt apo qëllim i mirë në sport që nuk bëhet me një të shtypur butoni, ku mjaftohen të hidhen disa para edhe të arrihet gjithçka”, mbylli prononcimin e tij për gazetën trajneri i skuadrës së Elbasanit, Nevil Dede.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"