EKSKLUZIVE/ “FSHF-ja do të duket para UEFA-s”, Sinan Idrizi: Ky sezon ka marrë fund (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2020 | 20:10

EKSKLUZIVE/ “FSHF-ja do të duket para UEFA-s”, Sinan Idrizi: Ky sezon ka marrë fund (E PLOTË)

Sinan Idrizi reagon pas mbledhjes së asamblesë së FSHF-së. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, administratori i Flamurtarit e cilësoi atë si një asamble rutinë, ku vetëm ngrihet dora për aprovim. Numri një i klubit vlonjat thotë se ka një handikap të madh kur kërkon të masivizosh futbollin dhe nuk rrit numrin e skuadrave pjesëmarrëse në kampionat.

Sinan-Idrizi

“Është një asamble rutinë. U bë me kushte të tjera për shkak të Koronavirusit, u bë me kushtet e digjitalit dhe asgjë më tepër. Ishte një rutinë, ju e patë edhe vetë. ‘Pro’, ‘pro’ dhe ‘pro’, e asnjë gjë tjetër. Pikat aty ishin shumë. Aty thuhet për një masivitet në futbollin shqiptar.

Nga njëra anë themi të rrisnim numrin e futbollistëve profesionistë dhe nga ana tjetër ngushtojmë ekipet pjesëmarrëse në Superiore. Kjo është ajo që më duket pak si handikap. Thua kemi 2 mijë e ca futbollistë t’i bëjmë 3 mijë apo 4 mijë, por nga ana tjetër kemi një kampionat të ngurtësuar, me sa më pak ekipe. Pra, është ajo ana masive që mungon”, tha fillimisht Idrizi.

KAMPIONATI

Administratori i Flamurtarit mendon që ky kampionat nuk duhet të vazhdojë. Ai saktëson se rreziku është prezent dhe kërkon kushte specifike. Thekson se federata po nxiton për t’u dukur e para te UEFA, në një kohë që janë klubet ato që ndëshkohen. “Ky është një kampionat që nuk duhet të vazhdohet. Është një farsë, ta fillojë nga i pari tek i dyti, kur flas për FSHF dhe për qeverinë.

Sinan Idrizi

Qeveria sigurisht që merr masat e saj në këtë situatë. Federata do patjetër që të jetë e para tek UEFA, por të parët që ndëshkohemi jemi ne. Jemi ne sepse nga ana sportive thonë ekspertët, unë nuk jam, është e vështirë që të kesh një gjendje të futbollistit që të luajë në fund të muajit. Në datën 18 maj vijnë këtu, tre muaj kanë qëndruar në shtëpi, të vijnë një ditë të bukur të luajnë futboll.

Për mua është absurd pasi janë disa çështje teknike pastaj. Nëse të vjen dikush këtu në Vlorë dhe sëmuret, del pozitiv nga testi i tij. Nëse ai do të pretendojë që këtë sëmundje e ka marrë në Vlorë, do të jemi ne ata që ndëshkohemi, qoftë penalisht e materialisht. Nga ana tjetër, po të flasim pak me terma më të thjeshtë është e vështirë që të gjesh nga një makinë për çdo lojtar për ta çuar në fushën e stërvitjes, është vështirë të gjejmë nga një hotel me nga një dhomë për secilin, është vështirë që të gjejmë një restorant të hapur që mund t’i plotësojë kushtet.

Siç e dini, restorantet janë të hapura vetëm nga pjesa e jashtme e tyre. Askush nuk na thotë se si do të luhet dhe cilat do të jenë kushtet, cilët janë organizatorët, cilat janë restorantet ku lojtarët tanë do të ushqehen, cilat janë hotelet, dhomat e të tjera si këto. Ka një dëshirë të nxituar për të qenë të parët për të filluar dhe ka një realitet që është pothuajse për mendimin tim, i pamundur që të realizohet. Ky sezon ka marrë fund. Le të ndërpritet sezoni aty ku është. Kuptohet që ne jemi ata që ndëshkohemi, por nuk ka sens të vazhdojë”, u shpreh administratori.

SKEMA E RE

Sinan Idrizi deklaron se skema e re e kampionatit duhet që të hyjë në fuqi sezonin që vjen dhe jo tani. Kreu i klubit vlonjat tha se Flamurtari nuk kërkon shpëtim në tavolinë.

Idrizi-750x430

“Nuk ka kuptim që të luajmë në qershor apo në korrik. Do të thotë që ne me këto kushte që flasim sot është e vështirë që të vazhdojmë. Atëherë çfarë kuptimi ka? Ne jemi të fundit, nuk kemi asnjë pretendim. Do të thotë që nëse ne kemi humbur në fushë, gjithë këtë kampionat kemi bërë një gjë të shëmtuar, nuk kemi pse të kërkojmë tani të qurravitemi dhe të tjera si këto që të fitojmë diçka nga tavolina. Ajo kërkesa jonë për ta bërë kampionatin me 14 ekipe nuk është për këtë vit, është për vitin tjetër. Do të ishte një qëndrim që nuk është i merituar.

Ne kemi humbur dhe e them gjithmonë që është përgjegjësia ime e drejtpërdrejtë pavarësisht problemit që kemi me lojën e kungulleshkave. Edhe nëse qëndrojnë në elitë, është një qëndrim i pamerituar. Nuk ka lidhje fare. Nuk dua të kërkoj mëshirë nga askush, pasi ka nga ata që thonë që Flamurtari është për ndërprerje të kampionatit pasi kjo do të ribëjë formulën, absolutisht jo, në këto kushte futboll nuk luhet më”, tha Idrizi.

flamurtari
PRIVATIZIMI

Sinan Idrizi flet edhe për situatën te Flamurtari dhe ligjin e sportit, që u vonua më shumë nga çfarë pritej. “Kemi rreth një vit e gjysmë a dy, që ka probleme të theksuara. Tashmë që nuk është më loja e kungulleshkave, por është një situatë e drejtpërdrejtë, pasi ne si investitorë që jemi, kemi kërkuar që të qartësoheshim për problemet që kishim te Flamurtari, për detyrimet që na vinin dhe qartësimin e pozicionit tonë si strukturë. Kur ne jemi prej 6 vitesh me 0% të aksioneve në këtë skuadër dhe qytetit nuk i kemi kërkuar asnjë dollar, kemi kërkuar pozicionin tonë. Ligji i sportit zgjati më shumë nga sa duhet, duke i vënë të gjitha palët në një situatë të pakëndshme. Por ky nuk është justifikim. Klasifikimi është ai që tregon çdo gjë. Përgjegjësinë e parë dhe të drejtpërdrejtë e kam unë si administrator. Ju si qytetarë paguani taksa. Këto taksa kërkoni që të shkojnë për pastrimin e qytetit, për rrugët e bukura, për çerdhet dhe kopshtet. Nuk ka pse këto para që ju jepni për këtë punë të shkojnë në xhepat e futbollistëve. Nuk ka logjikë që 15- 20% të buxhetit të bashkisë ta marrë sporti. Lojtarët që vijnë nga Afrika, Brazili, bota, vijnë në Vlorë e marrin taksat tuaja. Është alogjika më e madhe nga të gjitha. Ne kemi kërkuar që kjo strukturë të zhbëhet dhe të kalojë në funksionim kapitalist, që do të thotë se ai privat që e merr përsipër ta organizojë si strukturë edhe t’i dalë për zot. Ky është ligji sportit, që te pjesa e sponsorizimit krijon shanse që të gjithë të jenë në lojë”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"