EKSKLUZIVE/ Flamurtari hedh “grepat” në Fier, negociata me Apoloninë për sulmuesin e talentuar. Vjen dhe ishi i Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2024 | 10:25

EKSKLUZIVE/ Flamurtari hedh “grepat” në Fier, negociata me Apoloninë për sulmuesin e talentuar. Vjen dhe ishi i Kukësit

Flamurtari hedh “grepat” në Fier. Antoni Umejiego është në optikën e vlonjatëve. Lajmi konfirmohet për “Panorama Sport” nga burime konfidenciale pranë drejtuesve. Dritan Resuli kërkon që të “blindojë” sulmin dhe sheh 21-vjeçarin si të duhurin. Lotari i lindur në Enugu të Nigerisë më 31 dhjetor 2002, prej janarit të 2022-shit është pjesë e Apolonisë.

umejiego apolonia

Në sezonin 2022-2023 ka bërë një performancë të shkëlqyer me bardhejeshilët, duke shënuar edhe 11 gola. Ndërsa në këtë kampionat e ka gjetur 5 herë rrugën e rrjetës, duke treguar cilësi në vijën e parë.

Këto statistika kanë bërë që vlonjatët të hedhin vështrimin nga Fieri. Por në Vlorë e pëlqejnë edhe për disa cilësi të tjera që i disponon si futbollist. Antoni është shtatlartë, 2.01 metra. Shquhet për luftën në ajër, por edhe për aftësitë teknike dhe taktike të tij si dhe për forcën fizike.

KONTRATA

Ngërçi qëndron te kontrata, që është ende aktive me Apoloninë. Kjo gjë është pengesë për transferimin e tij në Vlorë. Por “Panorama Sport”, mëson se vlonjatët kanë hyrë në kontakte edhe me drejtues të klubit fierak për të mundësuar afrimin e tij.

Janë të gatshëm që të paguajnë, për të marrë shërbimet e Antoni Umejiego. Tashmë mbetet për t’u parë se cila do të jetë përgjigja e fierakëve dhe nëse do ta lënë të lirë apo jo Antonin. Klubi vlonjat ka si politikë gjatë kësaj merkatoje dimërore afrimin e lojtarëve në moshë të re. Nigeriani 21 vjeçar është pikërisht ai që kërkohet.

 

LA TORRE

Sebastian la Torre del në stërvitje me Flamurtarin. Ish-sulmuesi i Kukësit vihet nën urdhrat e stafit teknik. Gazeta zbuloi në numrin e djeshëm akordin me futbollistin nga Peruja. Mësohet se ai ka ardhur në Vlorë në huazim, pas një akordi mes dy klubeve.

la torre

Këtë e konfirmoi edhe vetë administratori Sinan Idrizi, ku nuk ka lë pas as batutën.

“Sebastian la Torre do të jetë pjesë e Flamurtarit për sezonin e mbetur. Stafi teknik beson te vlerat që ai lojtar ka dhe shpresojmë që të japë më të mirën te ne. E kemi marrë me qera”, shprehet administratori.

La Torre shihet si një alternativë e vyer për ofensivën, ndërkohë që merkato vijon. Po shihet mundësia edhe për afrimeve të tjera, sidomos në mbrojtje dhe mesfushë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"