EKSKLUZIVE/ Duka kritikoi arbitrat, presidenti Noka: T’u hetojnë pasurinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2021 | 9:44

EKSKLUZIVE/ Duka kritikoi arbitrat, presidenti Noka: T’u hetojnë pasurinë

Gjok Noka përshëndet veprimin e Armand Dukës. Ai mendon se kreu i FSHF-së bëri mirë që ua tërhoqi vëmendjen gjyqtarëve, e megjithatë pret që gabimet të mos kalohen vetëm me kritika. Presidenti i Besëlidhjes kërkon që të aplikohen dënime shembullore, ashtu sikundër ndodh rëndom me lojtarët.

gjok noka

Kujtojmë se ai ankua hapur për Juxhin Xhajën pas ndeshjes së luajtur në Burrel, ku skuadrës së tij iu mohua penallti sade. Numri një i klubit lezhjan i mëshon faktit që arbitri i cili zotëron edhe stemën e FIFA-s bëri faj me paramendim.

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, evidenton se ka ardhur koha që të bëhen investigime edhe për pasuritë e gjyqtarëve, për të kuptuar si i kanë vënë ato. “E falënderoj presidentin Armand Duka që ua ka tërhequr vëmendjen gjyqtarëve, përfshi këtu edhe Juxhin Xhajën që zotëron stemën e FIFA-s. Sa i takon takimit Burreli-Besëlidhja, dua të saktësoj se gjyqtari nuk dha as karton të verdhë, ndërkohë që në shtyp për të justifikuar veprimin e tij u shkrua se është dhënë ky karton i verdhë (i referohet lojtarit që bëri ndërhyje ndaj Nikol Milanoviçit, pikërisht Sadush Danajt).

Në ndeshjen Burreli-Besëlidhja gjyqtari Juxhin Xhaja nuk ka bërë gabim, por faj me paramendim. Kur ia thamë këtë atij në pushimin e ndeshjes, nuk e pranoi. Gabimi kalon edhe me një qortim, por faji duhet ndëshkuar. Besoj se me këtë lloj mentaliteti që kanë këta gjyqtarë nuk mjafton thjesht tërheqja e vëmendjes. Ka futbollistë të cilët ndëshkohen me nga 4-10 ndeshje dhe kjo thjesht për një protestë.

Pse nuk dënohen edhe gjyqtarët sikurse futbollistët? Dënimet e lojtarëve me masa drastike janë një dëm tjetër i madh ndaj investimeve tona dhe cilësinë sportive. U tërhiqet vëmendja gjyqtarëve, evidentohen gabimet e tyre që ndikojnë në ndeshje, por asnjë masë tjetër. Kush ma kompenson trepikëshin e humbur në ndeshjen Burreli-Besëlidhja? Ne investojmë në futboll dhe këtë investim po e shkatërrojnë gjykimet skandaloze. Merrni iniciativën dhe investigoni pasuritë e tyre dhe si i kanë vënë ato”, përfundoi Gjok Noka, i cili pret që të hetohen edhe pasuritë e arbitrave.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"